Partia Socialiste duket se nuk po jeton ditë të mira, pavarësisht se publikisht deri më tani zëri më i fortë kundër mënyrës se si po drejton Edi Rama, ka qenë ai i Ditmir Bushatit, ish-ministër i Jashtëm.
Në këtë ditë të thatë pa lajme, një mesazh i postuar online nga ish-ministri tjetër i Ramës, Niko Peleshi, po bën xhiron e rrjetit. Peleshi, ish-ministër i Bujqësisë, është nën verifikim hetimor lidhur me një insekticid që ndodhet në treg e që pretendohet se është i rrezikshëm.
Por përmes postimit, Peleshi duket se e grupon veten tek socialistët e lexuar dhe në reflektim. Në këtë drejtim flasin disa mesazhe të Niko Peleshit që tingëllojnë të koduara, ndërsa zgjedh të theksojë se e mira dhe e keqja janë kudo dhe se nuk ka sistem puritan dhe as totalisht të korruptuar.
Peleshi zgjedh të flasë përmes shkrimit “Dhe tani një fjalë nga një fanatik” te David Brooks në New York Times. Ish-ministri i qeverisë Rama përzgjedh një paragraf ku ndër të tjera thuhet: “Sistemi im moral është i thjeshtë: Lart është e keqja dhe poshtë është e mira. Njerëzit me status hierarkik më të lartë se unë janë të korruptuar, ndërsa ata që janë përreth meje janë viktimat e korrupsionit të tyre”.
Peleshi thotë se dekadenca morale është ngjitëse për shkak se shoqëria është një sistem ingranazhesh të lidhur me njëri-tjetrin. Pastrimi i vetëm njërit prej tyre nuk bën punë. Në të njëjtin linjë, ai nënvizon edhe një mesazh të fundit nga libri i ish-ministrit grek te Financave, Jani Varufakis, për vlerësimin e të mirave që të mbushin jetën, duke të sjellë gëzim e lumturi, mbi mallrat edhe pse edhe atyre në ekonomi ju referohemi si të mira.
Edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmri Bushati, ka përcjellë mesazhe kritike për çfarë po ndodh në gjirin e socialistëve, mesazhe që nuk janë pritur mirë në selinë rozë.
Ndërkohë, mjeshtri Bujar Kapexhiu vazhdon të sjellë punimet e tij pikante për situatën brenda selisë rozë. Ndiqeni punimin e radhës dhe disa prej karikaturave të tij më të mira të ditëve të fundit.