Kryesore

Edhe sa do e durojnë socialistët Edi Ramën?






               Publikuar në : 08:30 - 30/03/19 |
mapo.al

A ka një lëvizje në korridoret e errëta të PS? A po krijohet një grupim për t’i rezistuar Ramës që sundon partinë me autoritarizëm? Edhe për sa kohë do ta pranojnë këtë stil socialistët që janë mësuar me debat dhe t’i kundërvihen kryetarit, kur ai bëhet kosto për ta dhe për vendin? A po shkon drejt shpërthimit ena që nuk mban dot socialistët të shpërfillur e të nëpërkëmbur nga rilindasit? MAPO përpiqet të shpjegojë dhe t’u përgjigjet këtyre pyetjeve…


Pakënaqësitë e socialistëve ndaj qeverisë dhe ndaj Edi Ramës, mund t’i ndeshësh kudo, në çdo ambient, në çdo takim me ta, në kafe, në rrugë, në biseda, por ende jo në publik. Nuk janë të kënaqur sidomos radha e atyre partiakëve tradicionalë që bëjnë zakonisht betejat me demokratët, që luftojnë në fushata, e në komisione numërimi. Ndihen të shpërfillur shumë kontributorë dhe emra të njohur. Më të shpërblyerit, janë të tjerë. Nëse sheh sot qeverinë, postet kyçe i kanë njerëz të afërt ekskluzivisht me Edi Ramën, por jo me strukturat. Hendeku i krijuar po thellohet. Ka një krisje, që deri tani po mbahet nën kontroll me forcë dhe me kurim imazhi. Po sa do zgjasë kjo.



Në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, kujdesi ishte i veçantë për t’u treguar harmonia, entuziazmi dhe bashkimi si kurrë më parë. PS dhe Rilindje bashkë. Kur dy mjeshtra të imazhit dhe propagandës, Edi Rama dhe Erion Veliaj, rivalë në “hije”, por të bashkuar në publik, vihen në një qëllim për mbarëvajtjet vizuale dhe akustike të Kongresit, padyshim ai do kishte sukses për ithtarëve të së majtës. Duartrokitjet dhe shkëlqimi i fytyrave ishin të sinkronizuara deri në atë pikë sa nëse nuk i hidhje sytë datës dhe vitit, mendja të shkonte pas në kohë, që i përngjante kongreseve të famshme të Partisë së Punës. Flamujt e kongresit u mbajtën lart e më lart, por të vërtetën përtej leximit të drejtë të së dukshmes, e dinë personazhet që në korridoret e errëta thurin plane për rrëzim, zëvendësim apo shkurtimin e ditëve të një lideri, që autoritarizmin partiak e ka të theksuar. Uni i Ramës mbizotëron mes PS-së dhe Rilindjes. Harmonia ekziston vetëm atëherë kur të gjithë ndajnë të mirat e pushtetit, por pakënaqësitë ndaj tij kanë nisur të intensifikohen. Shkarkimi i disa ministrave solli valën e parë të një qejfmbetjeje, por kurrë nuk e shfaqën, madje një pjesë e tyre i dinë kapacitet që kanë dhe po e “falënderojnë” për aq kohë sa i mbajti, nën përfitimin e ofiqeve, e madje edhe në mbulimin e skandaleve të rënda të dyshimit për korrupsion. Në këtë tablo, bën përjashtim me sa duket ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Një personazh i vendosur, që edhe kur ishte brenda oazit qeveri, shprehu mendim kundër për dy çështje më se thelbësore: problemi i korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe çështjen e ndarjes së detit me Greqinë, ku nga kjo e fundit vendosi një autoritet të dukshëm larg Ramës. Aktualisht Bushati në regjistrat e vjetruar të PS-së, figuron si i “internuar” në Shkodër, (ose stazh Partie), për t’u marrë me riorganizimin e strukturave atje. Ndoshta për shkak edhe të punës si kryediplomat, Bushati është treguar i rezervuar në qëndrime, duke lënë më shumë nënkuptimin sesa deklarata që do zyrtarizonin një fraksion brenda PS-së.

Kur “xhaketat e vjetra” sjellin “risi”

Rilindja është koncepti që Rama futi jo vetëm për t’i dhënë tjetër ngjyre trëndafilit rozë të PS-së, që e ktheu në mavi të çelët, por si koncept politik, qoftë edhe abstrakt. Sot, të gjithë ministrat, me përjashtim të zëvendëskryeministrit dhe atij pa portofol të Diasporës, janë një prurje pa lidhje me traditën, por të ofruar nga Rama si botë e Rilindjes. Gjithashtu, më shumë se 70% të deputetëve kanë nisur ta quajnë Rilindjen “parti”. Këta Rama i ka të vetët, me numra, por pa cilësi, nuk ia del dot. Dy personazhe shtyllë të PS-së tradicionale janë Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj. Të dy në dukje pa lidhje me pushtetin ekzekutiv. Ruçi si kryetar Kuvendi dhe Xhafaj si një ish-ministër, i “vëtëdorëhequr me heqje” nga kryeministri Edi Rama. Karrierën e tyre personale nuk e mendojnë si kryetarë të partisë, por si gjithnjë, janë ata të parët që më shumë se kushdo nuhasin se nga do anojë pushteti, kush do jetë kryetari i ri pas rënies së të vjetrit. Fillimisht një emër pasardhës shfaqet në hije. Ai është gjithnjë një “yll në ngjitje”, që gëzon një popullaritet, të blerë apo manipuluar dhe kjo staturë ka një emër të përveçëm. “Mishi me thoin nuk di të jenë më afër se ne. Në 30 vite pluralizëm nuk di të ketë patur një kryeministër që ka qenë kaq afër sa unë me Edi Ramën. Unë dhe kryeministri flasim mesatarisht 20 herë në ditë. Unë jam pjesë e kryesisë së PS, jap kontributin tim në vendimmarrjen qendrore të PS”, -tha kryebashkiaku Veliaj dy ditë më parë, ndërsa shtoi se “më ka promovuar, më ka mbështetur në ditët më të vështira, edhe larg syrit të medias”. Por “thoi” ka nisur të rritet, aq sa po lëndon mishin… Më shumë se për të qartësuar dyshimet për një rivalitet të mundshëm, Veliaj po tenton të qetësojë kryeministrin, që ai të ulë vigjilencën, sepse “lufta e klasave” zhvillohet edhe brenda partisë. Këtë e dinë më mirë ustallarët e vjetër. Jo rastësisht daljen e parë publike, pas dorëheqjes, Xhafaj e zgjodhi përkrah Erion Veliajt. “Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur që kanë kapur një karrige. Ka njerëz që marrin një pushtet dhe janë të lumtur që marrin një pushtet. Ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision dhe që duan të lënë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti, dhe ky është Erion Veliaj”, -deklaroi Xhafaj. Është një figurë që edhe në hije ka ndikim, për më shumë mbetet pjesë e përhershme e strukturave të Partisë Socialiste, bashkë me Ruçin, Finon, Majkon apo Angjelin. Nën moton e bashkimit, e për më shumë për të mos dëmtuar partinë, nuk mund të akuzohen për fraksione e grupime jashtë linjës së politikës ku militojnë, por janë baza e një grupimi që me një thirrje të vetme dinë të mbledhin mbështetës, me dhe pa teserë. Ka më shumë nevojë Veliaj për ta apo ata për Veliajn, kjo mbetet e vështirë për t’u matur, por kandari ngjan se shkon 50 me 50.

Rama do pranojë një “thikë të ëmbël”

Është në gjenin politik të së majtës tradicionale për të “vrarë babanë politik” kur humbet pushteti. Kjo ndodhi edhe me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe ai që e çoi deri në greminë, për të mos e kthyer kurrë më, ishte Edi Rama. Për të, Nano një vit para se të humbte pushtetin, pas tetë vitesh qeverisje pati deklaruar: “Edi Ramën e mora me thonj pa prerë nga Parisi dhe e bëra ministër”. Në rastin Veliaj, kryeministri aktual Rama e mori të “kuruar” që në vitin 2004 për ta ngjitur gjithnjë drejt majave. Historia përsëritet edhe me koincidenca jo tërësisht rastësore. Veliaj e provoi me partinë “G99”, por nuk mori as 0.99 % të votave. E vetmja mënyrë për ta promovuar qe përfshirja e tij brenda Rilindjes, më pas një post ministror, që Veliaj e justifikoi me një bombardim PR modern, apo “agjitpropi” tradicional. Marrja e bashkisë ishte hapi final i një pushteti të madh. Këtë ka treguar koha në 18 vitet e fundit, lideri i një partie të madhe, PS apo PD, më parë kalon nga zyra e bashkisë. Rama po i shkurton ditët vetes. Kjo për shkak të politikave të tij të ndjekura, problemit të madh të ekonomisë së vendit, kanabizimi, korrupsioni e mbi të gjitha arroganca qeverisëse. Nëse Rama po rrëzon veten, një shtysë të fundit pritet t’ia japë edhe grupimi që po bën gati një tjetër pasues. Rama do të donte një fund më të lavdishëm se ai i paraardhësit të tij dhe për ta arritur këtë, mbetet në duart e personazhit më shumë mediatik se real Erion Veliaj. Që të paktën, kur të ftohet në të ardhmen të ruajë shkëlqimin edhe si “lider historik”. Kjo është maksimalja që mund të pretendojë Rama në rastin e humbjes së pushtetit, për më shumë ende pa përfunduar mandatin e dytë. Kjo është nga ato raste ku Rama do e pranojë me dëshirë thikën pas shpine të Erion Veliajt.

 

Minxhozi: Nuk ka grupime anti-Rama, Veliaj ende i ri për partinë

Flet Skënder Minxhozi, analist politik

Edhe pse nuk janë shfaqur publikisht, duket se ekzistojnë dy grupime, ata që mbështesin kryeministrin Edi Rama, pa asnjë rezervë apo kritikë dhe një grup tjetër, që janë ish-ministra të “zhgënjyer” bashkë me “gardën e vjetër” të Partisë Socialiste, që herë pas here shfaqen në qëndrime të moderuara, që gjithsesi nuk shkojnë në vijën që ndjek Rama. Në gjykimin tuaj, a ka grupime qoftë edhe të pashpallura?

Grupime të tilla janë fenomene fiziologjike të shumicave që qeverisin. Ka patur në kohën e Nanos, Metës, Majkos e Berishës. Nuk përbën sekret që mes dy qeverive Rama, në gjashtë vite, janë krijuar pakënaqësi që pasqyrohen në reagime dhe kritika të ndryshme. Por njëra anë të konstatosh pakënaqësi të tilla sporadike dhe diçka tjetër është të flasësh për grupime apo fraksione. Unë mendoj se sot në PS nuk ka grupime të mirëfillta anti-Rama. Mund të ketë në të ardhmen, por tani nuk shoh një nivel të tillë opozitarizmi të brendshëm. Lidershipi i Ramës duket se do ta shoqërojë PS edhe në fushatën e ardhshme elektorale për një mandat të tretë, kurdo që ajo të mbahet. Ikja e Blushit dhe fakti që Veliaj është ende i ri për postin e liderit të partisë, bën që Rama të mos ketë rivalë direktë në garën për postin e kreut të partisë. Të paktën edhe për disa kohë.

Kryeministri Edi Rama nuk është në ditët më të mira të qeverisjes, kujtojmë që brenda katër muajve u zhvillua protesta masive e studentëve (që kanë lajmëruar se mund të rinisin sërish), reagimin e banorëve të Unazës së Re dhe tashmë edhe protestat e opozitës. A po shfrytëzohet ky moment që të dalin në dritë grupimet kritike brenda radhëve të PS-së?

Rama i ka dhënë PS, me kalimin e viteve, formën dhe pamjen që ka dashur t’i japë. Tashmë kjo është partia e Edi Ramës në të gjitha kuptimet e fjalës. Mbetet për t’u parë nëse trysnia e qeverisjes dhe krizat jo të lehta ku po kalon mandati i tij i dytë, do t’i krijojnë Ramës probleme edhe së brendshmi. Ju kujtoj se gjatë protestave të dhjetorit të studentëve, një oponencë e tillë nuk u pa. Ndoshta një pjese të PS nuk i vjen keq që Rama të ndodhet në vështirësi, por kjo është një pjesë e pazëshme, e heshtur, në partinë e sotme socialiste.

Një nga emrat që po përflitet si pasues i kreut të PS-së Edi Rama është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Në vitin 2005 Edi Rama rrëzoi Fatos Nanon, edhe pse ky i fundit e kishte promovuar, ndërsa aktualisht Veliaj mund të jetë pasuesi i Ramës, ndonëse është aty mbi të gjitha nga mbështetja që i ka ofruar kryeministri. A mund të “përsëritet historia” brenda Partisë Socialiste?

Rëndom thuhet se zyra e kreut të Bashkisë së Tiranës është paradhoma e lidershipit të dy partive të mëdha. Kjo është provuar djathtas me Bashën dhe majtas me Ramën. Besoj se Veliaj ndodhet në të njëjtën korsi, por gjykoj se do t’i duhet ende kohë që të synojë seriozisht poltronin e Ramës në parti dhe qeveri. Reputacioni i Erion Veliajt ka ardhur duke u rritur kryesisht falë rezultateve si ministër dhe kryetar bashkie, por edhe në saje të imazhit të freskët dhe rinor që ka në krahasim me pjesën tjetër të lidershipit. E kishte edhe Basha këtë imazh në vitin 2005, por e humbi rrugës. Në këtë aspekt, Veliaj shihet sot, me gjasë, si i pari politikan i profilit të lartë, që ka shansin të jetë drejtuesi i parë i ardhshëm i Shqipërisë normale dhe jo një ndër liderët e fundit të tranzicionit.

Çfarë po ndodh me forcat politike shqiptare, përse është kaq i pranishëm “Uni” brenda partisë, ku kryetari kontrollon gjithçka dhe tenton të shuajë çdo zë kritik që në gjenezë ende pa lindur?

Fola më lart për tranzicionin postkomunist. Mendoj se një ndër shfaqjet më të shëmtuara të tij, është demokracia formale dhe e rrejshme e brendshme e partive politike kryesore. Kemi formacione politike që mbushen me besnikë dhe servilë, me emra të katapultuar që s’kanë lidhje me meritokracinë, kemi të bëjmë më pas me klane parellinjsh dhe me persona të lidhur me fije të dyshimta me botën e biznesit. Kjo është një partitokraci, më shumë sesa një sistem normal forcash politike që garojnë për pushtetin në bazë rregullash të qarta dhe transparente. Shikoni si përpilohen listat e deputetëve dhe krerëve të pushtetit lokal; një proces okult dhe pa kurrfarë demokracie të brendshme. Sot partitë tona politike janë prona të kryetarëve, jo bashkime vullnetare njerëzish me të njëjtat ide. Kjo bën që edhe produkti i kësaj situate të jetë toksik dhe thellësisht i dëmshëm për cilësinë e qeverisjes qendrore dhe lokale. Ndodhemi nën një diktaturë të pashpallur partish me demokraci të brendshme false, të cilat nga ana e tyre ndodhen nën një diktaturë të shpallur kryetarësh të plotfuqishëm.

 

Mërtiri: Ka pakënaqësi brenda PS, Rama po qeveris me burokratë

Flet Ergys Mërtiri, analist, sociolog

Edhe pse nuk janë shfaqur publikisht, duke se ekzistojnë dy grupime, ata që mbështesin kryeministrin Edi Rama, pa asnjë rezervë apo kritikë dhe një grup tjetër që janë ish-ministra të “zhgënjyer” bashkë me “gardën e vjetër” të Partisë Socialiste, që herë pas here shfaqen në qëndrime të moderuara, që gjithsesi nuk shkojnë në vijën që ndjek Rama. Në gjykimin tuaj, a ka grupime qoftë edhe të pashpallura?

Është normale që të ketë grupime, pasi është në natyrën e politikës që aktorët të grupohen rreth qendrave të ndryshme dhe t’i mbrojnë interesat e tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Të tilla ka edhe në PD dhe natyrisht që do të ketë edhe në PS. Në përgjithësi, grupimet shfaqen më shumë kur partitë bien në opozitë, pasi kryetarët e tyre janë më të dobët, kur nuk kanë shumë pushtet për të ndarë. Përveç kësaj, duke qenë se në opozitë kryetarët janë përgjithësisht ende të rinj në lidership, duke ardhur në krye pasi liderët e mëparshëm humbasin zgjedhjet dhe japin dorëheqjen, terreni bëhet më shumë fluid dhe përplasjet dalin më shumë në pah. Kur partitë janë në pushtet, ato janë më të konsoliduara, ndërsa mundësitë për të kënaqur orekset e aktorëve të tyre janë më të mëdha. Megjithatë Edi Rama ka shkaktuar shumë më tepër pakënaqësi në PS, sesa ka qenë e pritshme, me gjithë karizmën e tij dhe me gjithë përqendrimin absolut të pushtetit dhe hapësirës mediatike në duart e tij. Kjo vjen për shkak se ai nuk po qeveris me partinë që e solli në pushtet, por me të rinj burokratë jopartiakë, të cilët zbatojnë me korrektesë atë çfarë ai iu kërkon. Gjithashtu, ai nuk po i ushqen sa duhet orekset e aktorëve brenda partisë së tij, duke i ndarë interesat ekonomikë me faktorë të tjerë jopolitikë. Me një fjalë ai po qeveris me rilindjen dhe jo me PS-në, ndërsa po “ushqen” financiarisht një grup oligarkësh, përgjithësisht pa lidhje me këtë parti. Të gjitha këto kanë bërë që pakënaqësitë të rriten, ndonëse ato mbahen nën rrogoz për shkak të pushtetit të madh që Rama ka akumuluar, si dhe konfliktualitetit që ai provokon në skemën politike. Duhet thënë se konfliktualiteti i ndihmon konsolidimit dhe shtrëngimit të radhëve brenda një partie, për shkak se prania e ndjeshme e “armikut” bën që divergjencat e brendshme të mbahen më lehtësisht nën kontroll.

Kryeministri Edi Rama nuk është në ditët më të mira të qeverisjes, kujtojmë që brenda katër muajve u zhvillua protesta masive e studentëve (që kanë lajmëruar se mund të rinisin sërish), reagimin e banorëve të Unazës së Re dhe tashmë edhe protestat e opozitës. A po shfrytëzohet ky moment që të dalin në dritë grupimet kritike brenda radhëve të PS-së?

Në gjykimin tim, kur kritikat brenda një partie, dalin në publik, nuk kemi të bëjmë thjesht me kritika, por me konflikt të brendshëm. Përgjithësisht grupet rivale në të tilla raste, i bëjnë llogaritë para se të hyjnë në përplasje dhe e zhvillojnë rivalitetin jashtë vëmendjes së publikut. Kur konflikti shpërthen publikisht do të thotë se tensioni ka shkuar aty ku nuk mban më, por nga ana tjetër, grupet janë të dyja njësoj të forta dhe nuk kemi një situatë të qartë se cili grup do të fitojë. Në çdo situatë tjetër, grupet do të tërhiqeshin nga shfaqja e konfliktit, pasi “të mundurit” nuk do të kishin arsye t’ia shtonin kostot vetes, kur llogaritë ju tregojnë se nuk mund të fitojnë dot. Në momentin që flasim, jemi në një situatë ku Rama është i dobët, për sa i përket imazhit publik, ndonëse ka akumuluar pushtet absolut në duar, ndërkohë që pakënaqësitë brenda PS-së janë të mëdha. Kjo do të thotë se terreni është gati për një krizë të brendshme në PS. Gjithçka varet nga si do luajnë dhe po luajnë aktorët pas kuintave dhe sa do të arrihet të vendoset një ekuilibër i brendshëm. Por, gjithçka do të varet gjithashtu edhe nga mënyra se si do të shkojnë ngjarjet në vijim. Një rritje e destabilitetit politik, siç parashikohet të ndodhë me mosfutjen e opozitës në zgjedhjet lokale, do të shtojë presionet ndaj Ramës dhe, nëse ai nuk hap rrugë, do të jetë vetë PS-ja nga brenda që do t’i krijojë probleme dhe do ta vendosë në rrezik.

Një nga emrat që po përflitet si pasues i kreut të PS-së Edi Rama është kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Në vitin 2005 Edi Rama rrëzoi Fatos Nanon, edhe pse ky i fundit e kishte promovuar, ndërsa aktualisht Veliaj mund të jetë pasuesi i Ramës, ndonëse është aty mbi të gjitha nga mbështetja që i ka ofruar kryeministri. A mund të “përsëritet historia” brenda Partisë Socialiste?

Është e kuptueshme që z. Veliaj do të donte një përmbysje sa më të shpejtë të Ramës, e cila do të përshpejtonte kushtet për realizimin e ambicieve të tij politike për kreun e PS-së. Por, ai nuk i ka ende forcat për ta bërë të mundur këtë, ndaj, deri në momentin e duhur, ai do të jetë i detyruar të bëjë djalin e mirë, mikun e dashur dhe vartësin e devotshëm ndaj një shefi me autoritet të padiskutueshëm. Deri tani, Veliaj ka arritur t’i imponohet Ramës që ta rikandidojë për Bashkinë e Tiranës, por duket që nuk ka mundësi më shumë se kaq. Këto lloj situatash janë të tilla që, humbet ai që e fillon konfliktin, ndaj hapi i Veliajt mund të zgjatet vetëm deri këtu.

Çfarë po ndodh me forcat politike shqiptare, përse është kaq i pranishëm “Uni” brenda partisë, ku kryetari kontrollon gjithçka dhe tenton të shuajë çdo zë kritik që në gjenezë ende pa lindur?

Është në natyrën e politikës të jetë e tillë. Aktorët në politikë përballen me kokëçarje të shumta dhe zgjidhjet kërkohen gjithmonë duke kërkuar më shumë pushtet. Problemi është se në Shqipëri mungon kultura demokratike, ndaj dhe liderët ia dalin të fitojnë kaq shumë pushtet, kur është vetë populli që iu jep kaq shumë autoritet. Në Shqipëri mungojnë institucionet që mund ta pengojnë një lider të bëhet i gjithëpushtetshëm, ashtu siç mungon edhe vetëdija qytetare për të mos e adhuruar pushtetin, por për të ruajtur shpirtin opozitar. Sigurisht, trashëgimia e një kulture totalitare, vijon të ketë ende efekte dhe do na duhet ende kohë, derisa të fitojmë kthjelltësinë, përvojën dhe kulturën e duhur për të qenë një shoqëri e përgjegjshme dhe e vetëdijshme për rolin e reagimit shoqëror dhe skepticizmin ndaj udhëheqësve të gjithëpushtetshëm.

 


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas