Sa herë politikanët duan të përçajnë njerëzit, aktivizohet një rajon i trurit që njihet si ‘insula’. Arsyeja dinake e aktivizimit të kësaj pjese të trurit
Nga Enton Palushi
U pëlqen apo jo disave, historia është e tillë. Këtu e 6 milionë vjet më parë, një majmun i madh lindi dy të vegjël. Një prej tyre u bë paraardhësja e shimpanzeve. Tjetra është paraardhësja e njerëzve. Kjo është arsyeja se përse studiuesit janë kaq të fiksuar pas shimpanzeve.
Të dielën që shkoi, miliona njerëz u mbërthyen në mbrëmje përpara ekranit në Britaninë e Madhe për të ndjekur një dramë me politikë dhe pushtet. Mos mendoni se ishte ndonjë serial i stilit ‘House of Cards’, por i pari në serinë e dokumentarëve ‘Dinastitë’ nga bota e kafshëve, përgatitur me mjeshtëri nga Sir David Attenborough. Këtë herë në qendër të dokumentarit ishte David, një shimpanze, që në program përshkruhet si një lider i fortë dhe i vendosur.
Kjo është një histori me pushtet, politikë dhe luftë për mbijetesë, –thotë Attenborough, teksa prezanton emrin e shimpanzesë që lufton për të ruajtur pushtetin ndaj rivalëve të rinj, që i sfidojnë lidershipin. Tre ditë pas transmetimit të dokumentarit, David u gjet i pajetë në Senegal. Mes grupeve që luftonin për pushtet, kishte patur një përplasje të dhunshme. Të paktën gjashtë shimpanze ishin plagosur, kurse Davidi kishte humbur jetën nga duart e shimpanzeve më të reja.
“Kushërinjtë tanë shimpanze zakonisht jetojnë në grupe të vogla me disa duzina individësh. Ata formojnë aleanca të ngushta, gjuajnë së bashku dhe luftojnë krah për krah kundër majmunëve dhe armiqve të tjerë. Struktura e tyre shoqërore është hierarkike. Anëtari dominues, që është thuajse gjithmonë një mashkull, njihet edhe si ‘mashkulli alfa’. Meshkujt dhe femrat e tjerë e shfaqin përulësinë e tyre ndaj tij duke bërë disa tinguj të zhurmshëm, ndryshe nga njerëzit që përulen para mbretit. ‘Mashkulli alfa’ përpiqet që të ruajë harmoninë brenda tufës së tij. Kur dy individë luftojnë, ai ndërhyn dhe e ndalon dhunën. Me më pak dashamirësi, ai monopolizon ushqimet, sidomos ushqimet e mira, dhe i ndalon meshkujt e rangut më të ulët që të çiftëzohen me femrat”.
“Kur dy meshkuj luftojnë për të fituar pozicionin ‘alfa’ në një grup, zakonisht e bëjnë diçka të tillë duke formuar koalicione të gjera mbështetësish me meshkuj dhe femra brenda grupit. Lidhjet mes anëtarëve të koalicionit bazohen në kontaktet e përditshme intime- përqafime, prekje, puthje, ngacmime dhe favore reciproke. Ashtu si politikanët njerëzorë gjatë fushatave zgjedhore, që dalin në elektorat duke shtrënguar duar e puthur bebet, edhe aspirantët për pozicionin më të lartë në një tufë shimpanzesh, kalojnë shumë kohë duke përqafuar, duke u rrahur shpatullat ose duke puthur bebet-shimpanze. ‘Mashkulli alfa’ nuk e fiton zakonisht pozicionin e tij për shkak se është fizikisht më i fortë, por sepse ai drejton një koalicion të madh e të qëndrueshëm. Këto koalicione luajnë një rol themelor gjatë betejave të ashpra për pozicionin ‘alfa’, por edhe në thuajse të gjithë aktivitetet e përditshme. Anëtarët e një koalicioni kalojnë shumë kohë së bashku, ndajnë ushqimin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin në kohë telashesh”.
Ju duket përshkrim familjar? Mendoni se të tilla gjëra i keni parë edhe në Shqipëri në skenën politike? Ky është përshkrimi i historianit Yuval Noah Harari, që falë njohurive mbi majmunët, ka shkruar shumë mirë edhe për njerëzit.
***
Të kalojmë te një tjetër studiues i majmunëve, një shkencëtar me famë botërore, që ka jetuar mes kushërinjve tanë dhe që para disa muajsh ka publikuar një libër spektakolar, një kryevepër në fushën e studimit të trurit njerëzor. Ai quhet Robert Sapolsky dhe libri i tij ‘Behave’ është një mrekulli, i shkruar me stil e plot humor, por mbi të gjitha një burim i rëndësishëm informacioni për organin më të rëndësishëm dhe më pak të eksploruar e të kuptuar në trupin e njeriut: trurin. Është një libër kaq i vlerësuar, sa neurokirurgu Henry Marsh, që ishte së fundmi në një leksion në Universitetin Europian të Tiranës (se mos merret kush tek ne me të tilla ngjarje), e ka quajtur një ‘tour de force’. Mes të tjerash në libër shpjegohet se çfarë ndodh në trurin e njeriut kur drejtuesit, politikanët, sundimtarët, e ndajnë botën në ‘ne’ dhe ‘ata’, duke i etiketuar të tjerët si ‘shpellarë’, ‘alpinë’ apo krijesa që nuk marrin vesh nga e bukura.
***
A ju ka rastisur që të mësoni për një lajm kaq të ndyrë, sa të thoni se po ndjeni pështjellim në stomak? A keni bërë ndonjëherë diçka të keqe sa keni nxituar të lani duart ose të trupin? Disa e quajnë këtë ‘efekti Makbeth’, por shpjegimi është më interesant.
Të gjitha krijesat, kur hanë një ushqim të prishur, prishen në fytyrë, pështyjnë, kolliten dhe mundohen që ta nxjerrin sa më shpejt jashtë. Arsyeja? Për të mbrojtur trupin nga toksinat. Diçka e tillë ndodh edhe me njerëzit. Hani diçka të shpifur dhe do të nxitoni që ta villni. Por te njerëzit ndodh edhe diçka tjetër. Nëse dëgjoni për diçka të shpifur, stomaku juaj sërish bën të njëjtën gjë. Me pak fjalë, truri e ka të vështirë të dallojë pastërtinë morale me atë fizike. E për ta sqaruar akoma më shumë, kjo ndodh për shkak të një zone të trurit, e quajtur insula. Evolucioni nuk na ka dhënë një rajon tjetër në tru që të kryejë funksionin e reagimit ndaj pastërtisë morale. Laj-thaj, atje në insula do ndodhë reagimi.
Problemi? Insula nuk është shumë e mirë të ndajë gjërat dhe kjo është arsyeja se pse disa prej politikanëve më të këqij në historinë e njerëzimit e kanë përdorur dhe e përdorin vazhdimisht aktivizimin e saj. Hitleri e bënte që të çmendej insulën e njerëzve kur u thoshte se hebrenjtë nuk janë qenie njerëzore dhe se gjermanët janë racë superiore. Edhe Donald Trump bën të njëjtën gjë, kur i krahason emigrantët me minjtë, -thotë Sapolsky. Çdo luftë e gjenocid në këtë botë është bërë në emër të dehumanizimit: Ata ‘të tjerët’ janë ndryshe, janë të pistë, të palarë, janë parazitë, zaptues, pushtues, shpellarë po të doni. Ne jemi të pastër, të rregullt, të zgjuar dhe të bukur (edhe një modele shqiptare u raportua se tha së fundmi se i ka fobi njerëzit e shëmtuar). Njerëzit janë mjeshtra të ndarjes në grupe. Dikotomia ‘ne’ dhe ‘ata’ krijohet në të qindtat e sekondit. Fillimisht nuk na pëlqejnë të tjerët pasi mendojmë se u vjen era, më pas nuk u pëlqejmë idetë.
Nëse fusni njerëzit në një dhomë ku vjen era, kur të dalin prej andej do të keni gjykime më raciste për njerëzit. Insula e tyre çakordohet plotësisht.
Kur nazistët i bënë thirrje popullit të tyre për ‘zgjidhjen përfundimtare’, propaganda e tyre ishte se hebrenjtë janë minj dhe se Holokausti do të shfaroste parazitët. Për supremacistët e bardhë europianë, imazhi i Islamit është si një sëmundje. Për shumë kohë, afrikanët janë parë si qenie nën-njerëzore. Kur Hututë e Ruandës shkaktuan gjenocidin e vitit 1994, që shfarosi 75 për qind të fisit Tutci, propaganda e tyre i etiketonte këta të fundit si buburreca. Çdo propagandist efektiv në mënyrë intuitive e di për insulën- dhe bën që gjërat të shkojnë në pikën kur thirrja ‘ata’ aktivizon insulën dhe njerëzit do të shpërthejnë, -thotë Sapolsky.
Ndaj të dashur miq, sa herë dikush përpiqet që të aktivizojë insulën tuaj, duke e turbulluar me propagandë, refuzojeni. Mos e ndani njerëzimin në ‘ne’ dhe ‘ata’. Tregoni se jemi më ndryshe se shimpanzetë. Edhe ata i puthin fëmijët për fushatë…