1.3 milionë euro është shuma që kinezët e Çangçung Jatait janë të gatshëm të paguajnë për kartonin e tij. Sipas mediave austriake, Salihi do të marrë në Kinë një rrogë prej 450 mijë eurosh në sezon dhe, ndonëse kjo do të ishte një rrogë shumë më e vogël sesa ajo që Lorik Cana merr tek Lacio, sërish bëhet fjalë për një ofertë të rëndësishme. Vetë Salihi është shprehur se në Kinë do të pranonte të shkonte vetëm për një shumë tepër të madhe financiare. Sulmuesi i Rapidit të Vjenës pret ndonjë trokitje skoceze, pasi Gllazgou Rejnxhërs apo edhe Sëlltik kanë treguar interesim për të, por edhe enciklopedia on-line, Wikipedia, e ka parkuar bomberin shkodran në Lindjen e Largët, teksa e ka zyrtarizuar tranfserimin e tij në Kinë. Salihi ka mesatare shumë të mirë realizimi tek Rapidi duke shënuar 53 gola në 90 ndeshje, ndonëse shumë herë ka luajtur si zëvendësues.