Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka flet për shumëçka në një intervistë për gazetën “Mapo”. Paloka komenton bojkotin e opozitës, protestat, qëndrimin e mazhorancës e deri masat që qeveria aktuale po merr për prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje, si dhe rritjen e çmimit të energjisë.
“…I paaftë për të zgjidhur situatën, i vetëdijshëm se nuk mundet të ndërtojë por vetëm të shkatërrojë, Rama ka zgjedhur të ecë sipas një postulati të vjetër romak që thotë: “Skllavit hiqi bukën dhe shtoi drurin, nëse do që ta sundosh”
Intervistoi: Nevila Perndoj
Rritja e çmimit të energjisë përmes heqjes së fashës, rritja e taksës mbi të ardhurat apo edhe mbi depozitat, si dhe çdo masë tjetër shtrënguese që mazhoranca po ndërmerr, për kryetarin e deputetëve demokratë, Edi Paloka, nuk është gjë tjetër veçse pasojë e “paaftësisë së kryeministrit Edi Rama për të qeverisur”. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së komenton edhe bojkotin ndaj Kuvendit, duke theksuar ndër radhë se partia më e madhe në opozitë “nuk ka as kushte dhe as kërkesa specifike ndaj mazhorancës qeverisëse” me qëllim futjen e saj në parlament. “Ne duam vetëm një gjë nga kjo qeveri e kjo mazhorancë; të zbatojnë ligjet e këtij vendi, të zbatojnë Kushtetutën dhe të drejtat e liritë e qytetarëve, të cilat po shkelen çdo ditë. Fatkeqësisht, për të realizuar këtë duhet ndihma e ndërkombëtarëve, sepse Rama përfundimisht ka vërtetuar se nuk e njeh dhe nuk dëshiron ta njohë demokracinë si mënyrë drejtimi…”, – shprehet ai. Paloka thekson gjithashtu se “protestat popullore nuk janë një dëshirë e opozitës për t’u rikthyer në pushtet, por domosdoshmëri për të ndalur Ramën”.
Paloka, e nisim me votimin e fundit në Kuvend, ku mazhoranca miratoi përbërjen e saj në dy komisionet hetimore, pjesë e kërkesave që ju parashtruat për hyrjen e PD-së në Kuvend… Ky votim u parapri nga një ftesë e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, drejtuar juve për të marrë pjesë në parlament, ndërsa përgjigjja nga ana juaj ka qenë e prerë; marrëveshje me garanci ndërkombëtare. Në fakt, a do ishte më e udhës që gjërat të zgjidheshin mes vetë partive dhe kur thoni garanci ndërkombëtare, cilit prej të huajve i referoheni konkretisht?
Unë kam patur një reagim të menjëhershëm pas deklaratës hipokrite të Metës.
Së pari duhet të riqartësoj se komisionet hetimore nuk kanë qenë kërkesa apo kushtet tona për t’u rikthyer në parlament dhe mazhoranca nuk na bëri neve ndonjë favor duke votuar ato komisione kur ne jemi jashtë Parlamentit. Ngritja e komisioneve hetimore nga opozita është një detyrim kushtetues, detyrim të cilit kjo mazhorancë i është shmangur mëse një herë. Kërkesat tona për komisionet hetimore janë në parlament prej shumë e shumë muajsh dhe megjithëse për to pati ndërkohë dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që urdhëronte mazhorancën të zbatonte Kushtetutën e të lejonte ngritjen e tyre, përsëri kjo mazhorancë, duke shkelur dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk pranoi ngritjen e komisioneve. Për këto shkelje, Meta si kryetar Parlamenti është përgjegjës direkt bashkë me Ramën. Fakti që papritur mazhoranca e majtë, pas muajsh të tërë refuzimi, vendosi të zbatojë Kushtetutën për këtë çështje, vërteton pikërisht atë që ne kemi ngritur si problem; që ligji dhe Kushtetuta për këtë mazhorancë nuk janë detyrime për tu zbatuar por lodra me të cilat ata luajnë sipas tekave të tyre. Mos harrojmë se pikërisht ditën që ftonin opozitën në Kuvend, Rama dhe deputetët e tij shkelnin përsëri Kushtetutën duke iu ndërprerë mandatin dy anëtarëve të KLD-së. Një shkelje tjetër e rëndë e ligjit dhe konsensusit është mënyra se si po veprohet me AMA-n ku mazhoranca (pa përmendur shkeljet e deritanishme) që ka detyrimin të bashkëpunojë me opozitën për përjashtimin e kandidaturave për kryetar duke përdorur justifikimin se opozita nuk është në Parlament, vendosi të bëj vetë zgjedhjen e kryetarit. Po të bëjmë një paralelizëm me KQZ, kur PD-ja ishte në mazhorancë, në momentin që PS-ja nuk pranoi të plotësonte vendet që i takonin në KQZ me logjikën e sotme të PS, ne duhej t’i zëvendësonim me kandidatët tanë vendet e mbetura bosh. Ja pra pse qëndrimi i Metës dhe i Ramës për këtë çështje është më shumë se hipokrizi. Ata kërkojnë një shtet që të mos funksionojë sipas ligjit e Kushtetutës, por sipas humorit dhe tekave të Rampallës. Një shtet që qëndron mes anarkisë dhe diktaturës mund të krijohet vetëm nga të sëmurë mendorë si kryeministri ynë. Për këto arsye ne kemi kërkuar një marrëveshje nën monitorim ndërkombëtar dhe siç e dini, reagimet e para nga BE-ja kanë ardhur. Jo më larg se dy ditë më parë, zëdhënësi i BE-së deklaroi se është rritur shkalla e monitorimit të Shqipërisë nga BE. Besoj se konkluzionet për një qëndrim të tillë janë të qarta.
A ka diçka konkrete PD-ja në synimin e saj, apo mund të merret thjesht si një pretekst nga ana juaj për të vijuar bojkotin ndaj Kuvendit?
Edhe një herë më duhet të përsëris se ne nuk kemi as kushte dhe as kërkesa specifike ndaj mazhorancës qeverisëse. Vërtetë dikur ishte Rama që bënte presion e kërcënonte se nuk do të votonte tre ligjet e do të pengonte integrimin e Shqipërisë (sic bëri në fakt) nëse nuk i jepej qarku i Fierit apo kërkesa të tjera të këtij lloji. Ne duam vetëm një gjë nga kjo qeveri e kjo mazhorancë; të zbatojnë ligjet e këtij vendi, të zbatojnë Kushtetutën dhe të drejtat e liritë e qytetarëve të cilat po shkelen çdo ditë. Fatkeqësisht për të realizuar këtë, duhet ndihma e ndërkombëtarëve sepse Rama përfundimisht ka vërtetuar se nuk e njeh dhe nuk dëshiron ta njohë demokracinë si mënyre drejtimi. Më se një herë ai e ka bërë të qartë se nuk e kupton dhe nuk do ta kuptojë se çfarë janë zgjedhjet në një vend demokratik dhe çfarë është shteti ligjor. Atij i pëlqen të mendojë se më 23 qershor shqiptarët e votuan për sundimtar dhe jo për të qeverisur për një mandat 4-vjeçar. Këtë e ka shprehur dhe e shpreh hapur çdo ditë vetëm se siç e ka bërë zakon, iu vë emra të tjerë koncepteve që ka në kokë dhe nuk thotë do sundoj, por “do të udhëheq”. Tanimë kush do të shohë, e ka kuptuar se Rama është një qenie antiligj, antishtet dhe antinjeri.
Keni paralajmëruar se, nëse nuk ka reflektim nga ana e shumicës, atëherë opozita do të fillojë protesta masive me qëllim rrëzimin e qeverisë…A është ky një kërcënim që vjen nga PD-ja për ta vënë shumicën para faktit të kryer që kjo e fundit të plotësojë kërkesat që ju synoni?
Protestat popullore sot nuk janë një dëshirë e opozitës për t’u rikthyer në pushtet. Jo. Protesta dhe revolta qytetare sot janë një domosdoshmëri për të ndalur sa nuk është vonë këtë kryeministër monstër i cili brenda një viti arriti t’ua bëj shqiptarëve jetën të paduruar. Tanimë janë shumë pak dhe ata që e kanë votuar Ramën, që nuk e kanë kuptuar se çfarë fatkeqësie i kanë sjellë këtij vendi dhe vetes. Të vetmit që vazhdojnë të jenë “entuziastë” për “Rilindjen ” e Ramës janë ministrat, të afërmit e tyre që kanë uzurpuar poste dhe një grup i afërt pranë Ramës e Metës që po e rrjepin përditë këtë vend. Të tjerët, ata që e votuan, të gjithë janë të zhgënjyer dhe kanë kuptuar se janë mashtruar keq edhe pse jo të gjithë e pranojnë hapur, dikush për sedër e dikush se ende ka të fortë pakënaqësinë ndaj qeverisjes sonë të mëparshme. Sidoqoftë, realiteti është se brenda një viti Rama arriti të fitojë pakënaqësinë dhe urrejtjen e pjesës më të madhe të shqiptarëve dhe ai e di mirë këtë. Për këtë arsye ka vendosur që shtetin ligjor ta zëvendësojë me shtet policor sepse e gënjen mendja se një popull që po shkon drejt revoltës, mund ta sundojë nëpërmjet represionit. Prandaj unë mendoj se protesta është e vetmja rrugë për t’u ballafaquar me këtë regjim. Një vit më parë Rama iu premtoi shqiptarëve se do të ulte taksa dhe çmime, se do iu bënte shërbime falas, por realiteti i sotëm është krejtësisht i kundërt. I mashtruan shqiptarët e tani kërkojnë edhe të tallen. Dëgjoje ministrat që me stilin e Ramës përpiqen e përdridhen duke gjetur fjalë të bukura për akte të shëmtuara. “Nuk do rrisim çmimin e energjisë do e ristrukturojmë” thotë njëri, ndërkohë që me heqjen e fashës mbrojtëse të vendosur nga PD, çmimi i energjisë rritet gati me 70% dhe godet pikërisht të varfërit. “Nuk do t’i rrisim taksat, – thotë një ministër tjetër, – do i balancojmë”, e ndërkohë do të rritet akciza për mallrat e konsumit e sidomos për karburantin që do të thotë një rritje çmimesh zinxhir për shumë mallra e shërbime. E të gjitha këto, duke u tallur thonë se i bëjnë për të mirën dhe shëndetin e qytetarëve. “Çfarë ndodhi herën e parë kur shtrenjtuam karburantin dhe opozita dha alarmin? Asgjë nuk ndodhi”, – thotë Rama. Sigurisht nuk pritej që të plaste ndonjë bombë, ndodhi që qytetarët shqiptarë u varfëruan më shumë, por kjo Ramës i duket “asgjë”. Shqiptarët po shkojnë pak nga pak në ekstremin e varfërisë me këtë qeveri që vetëm shkatërron, varfëron e dhunon, ja pse duhet të ndërgjegjësohemi se sa më shpejtë të largohet Rama aq më pak dëme do të kemi. Nga ana e tij, edhe Rama është koshient për këtë situatë. I paaftë për të zgjidhur situatën, i vetëdijshëm se nuk mundet të ndërtojë por vetëm të shkatërrojë, Rama ka zgjedhur të ecë sipas një postulati të vjetër romak që thotë: “Skllavit hiqi bukën dhe shtoi drurin nëse do që ta sundosh”
Po a janë shqiptarët skllevër ashtu siç do dëshironte Rama? Unë mendoj se koha kur shqiptarët sundoheshin nën kërcënimin e bukës së gojës dhe policit, ka mbaruar një herë e mirë. Këtë besoj që qytetarët shqiptarë do e tregojnë vetë. E kundërta do të ishte fatkeqësi fatale.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi dy ditë më parë se protestat popullore do të jenë rruga e vetme për të ndalur të keqen e këtij vendi. A po përgatit PD-ja një axhendë konkrete në këtë drejtim dhe, kur thuhet rruga e vetme, a nënkupton kjo një bojkot edhe më të gjatë nga ana e PD-së ndaj Kuvendit?
Unë kam qenë dhe jam me bindjen se, pavarësisht faktit të gjithëpranuar se vendi i opozitës është në parlament, në kushtet që mazhoranca e vuri Parlamentin, bojkoti ishte zgjidhja më e mirë për opozitën dhe opozitarizmin. Fakt është që largimi ynë nga Parlamenti sensibilizoi të gjithë ata faktorë që deri në ato momente ishin indiferentë apo nuk reagonin ndaj asaj që ndodhte në parlament ku çdo ditë shkelej rregullorja, ligji e Kushtetuta; ku opozitës dhunshëm iu morën të gjitha të drejtat, përfshi së fundmi dhe të drejtën elementare, atë të fjalës. Praktikisht, opozita në parlament ishte pothuajse e eliminuar e nëse ne do të vazhdonim të qëndronim atje, ajo gjendje do të kthehej në rutinë, në një opozitë false, fasadë dhe atëherë realisht opozitarizmi do kishte mbaruar në Shqipëri. E çfarë do ishte më e keqja askush nuk do e vinte re një gjë të tillë. Prandaj besoj se bojkoti ndihmoi në sensibilizimin për problemet e parlamentit dhe demokracisë në Shqipëri. Fakti që BE-ja deklaron se po monitoron më nga afër demokracinë në Shqipëri, është një tregues për këtë.
Cili është opinioni juaj për aksionet e fundit të qeverisë: shembjen e ndërtimeve me dhe pa leje?
I ashtuquajturi aksion për ndërtimet pa leje nuk është gjë tjetër, veçse pjesë e strategjisë së Ramës për të vënë nën terror qytetarët shqiptarë. Pse e them këtë?
Të gjithë ne duam që hapësirat publike të jenë të lira dhe ligji të zbatohet, por qëllimi i Ramës, qartazi nuk është ky. Së pari nuk duhet të harrojmë se ishte Rama si kryetar bashkie që betonizoi dhe i mori frymën Tiranës. Së dyti aksioni i Ramës do të shihej ndryshe nëse bashkë me ndërtimet pa leje nuk do të shkatërroheshin dhe ndërtime me leje, e jo vetëm në prona publike por dhe private e mbi të gjitha, çdo akt i kryer në mënyrë selektive. Miqtë e Ramës, të afërmit e ministrave dhe ata që paguajnë ryshfet, shpëtojnë. Të tjerët, të gjithë janë në rrezik e nën terror sepse mjafton t’i mbushet mendja EUNUKUT Rama dhe shtëpia e prona e gjithkujt mund të shkatërrohet pa pasur asnjë mundësi për tu mbrojtur. Kjo është strategji terrori; kush nuk bindet, kush nuk i pëlqen udhëheqësit, kush e kundërshton apo e denoncon, jo vetëm i shkatërrohet prona por edhe burgoset, i shkatërrohet edhe jeta.
Aksionin ndaj atyre që kanë vjedhur energjinë, por edhe nismën për heqjen e fashës së energjisë, që automatikisht çon edhe në rritje të çmimit të saj, kryeministri Rama e ka justifikuar si masë për gropën e madhe që ka lënë qeverisja e kaluar tetëvjeçare. Së pari; A keni ndonjë koment për këto masa dhe këtë qëndrim të Ramës? Së dyti; A duhet të mbajë edhe PD-ja pjesën e saj të përgjegjësisë (sa i takon kohës kur qeverisi) për situatën energjetike të krijuar në vend?
E njëjta gjë është edhe me “aksionin” tjetër për gjoja kapjen e hajdutëve të energjisë. Futja e policisë, arrestimet, dhuna, terrori me të njëjtat parime selektive ka vetëm një synim, terrorin. Të njëjtin synim që ka vendosja e gjobave të larta apo arrestimi i qytetarëve që kalojnë semaforin me të kuqe. Represion policor edhe për të blerë fashot e mamasë së Tahirit. E gjithë kjo ndodh në një kohë që shqiptarëve gjithnjë e më të varfër po iu rrisin çmimin e energjisë, po iu rrisin përsëri taksat mbi të ardhurat dhe mbi depozitat. Po iu rrisin akcizat e mallrave të konsumit e të karburantit. Gjithçka lidhet me paaftësinë e Ramës për të qeverisur, prandaj ai ka zgjedhur rrugën që i duket më e lehta; t’iu heqë bukën e t’iu shtojë drurin shqiptarëve. Shpejt druri do t’i bjerë kokës.