Kryeministri Edi Rama deklaroi mesditën e sotme nga godina e Kryeministrisë se duhet shmangur rikthimi i një karantine të dytë në të mirë të ekonomisë së vendit. Ai u shpreh se izolimi do të ishte i papërballueshëm për vendin.
Kreu i qeverisë përmendi pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, si dhe shumën e dedikuar nga buxheti i shtetit me të cilën po ndërtohen sipas tij shkolla dhe banesa, duke shtuar se “mundësitë nuk janë të pakufishme”.
“Jemi në kushtet kur kemi angazhuar gjithçka për të përballuar pasojat e tërmetit, mjafton t’i hedhim një sy shumës së dedikuar nga buxheti i shtetit me të cilën po ndërtohen shkolla, banesa. Kemi angazhuar gjithçka për pasojat e mbylljes së përgjithshme. Mundësitë nuk janë të pakufishme dhe nuk mundet dot të shkojmë drejt një mbylljeje të përgjithshme si cjapi tek kasapi”, tha Rama.
Më herët, ai është shprehur i prerë se nuk do të ketë rimbyllje, ndryshe nga sot. Ai u shfaq i zbutur në qëndrim, teksa la të kuptohej se në rast se do të kemi një rimbyllje të dytë, jo vetëm që ekonomia do të jetë në zgrip, por edhe të prekurit nga koronavirusi mund të lihen në mëshirë të fatit.
“Kini parasysh që para dy ditësh është shënuar dita me numrin më të lartë të infektimeve në botë, si në asnjë ditë tjetër. Ne kemi punuar në mënyrë intensive. Unë nuk kam dashur të stresoj qytetarët duke e përfshirë në komunikimin e përditshëm mbrojtjen anti-Covid”, tha Rama.