Pas kthimit në atdhe, ashtu siç edhe kishte lajmëruar, Edi Rama doli në një komunikim, për situatën e krijuar pas vrasjes nga policia në Tiranë, të 25 vjeçarit Klodian Rasha.
Teksa gjendja është mjaft e tensionuar, Edi Rama zgjodhi të përdorë një gjuhë urrejtjeje dhe të helmët, e të sulmojë me egërsi, protestuesit, dhe kundërshtarët politikë.
Ai e quajti atë që ndodhi dje, revoltën në bulevard të të rinjve, një vulgaritet brutal.
Këto tone, mesa duket kanë nxitur në të njëjtën kohë një protestë tjetër, e lajmëruar, revoltë shpërthyese në rrugët e Tiranës.
Rama tha se Ministri i Brendshëm i ka paraqitur dorëheqjen, por sulmoi e anatemoi këdo.
Kjo, teksa pritej një qendrim më i përmbajtur, dhe më i përulur.
Edhe pse ka qënë e dukshme, se protesta, si dje edhe sot, është mjaft gjenuine, spontane dhe e paorganizuar, krejt larg partive politike, ku kanë marrë pjesë, në shumicë dërrmuese të rinj e të reja, po edhe vajza e gra, dhe familjarë, sërish Edi Rama i ka etiketuar ata si militantë dhe ka anatemuar e sharë Presidentin dhe Kryetarin e Opozitës.
Teksa Rama ka përdorur këtë gjuhë nxitëse dhe përçarëse, revolta në Tiranë ka shpërthyer edhe më shumë dhe kryeqyteti është në një lloj kaosi.
Në fjalimin e përgaditur e të shkruar, Rama për asnjë moment nuk ka pranuar përgjegjësi për aktin e ndodhur, ku u vra një 25 vjeçar nga një efektiv me uniformë, duke e quajtur një shembull të izoluar, fatal, po pa asnjë lidhje me frymën apo menyrën se si drejtohet policia.
Edhe pse kërkoi në një moment falje për familjarët dhe miqtë e viktimës, Rama e kaloi të gjithë mesazhin 19 minutësh në sulm dhe revansh.