fbpx

Aktualitet

“Edi Rama mos luaj me zjarrin!” Thirrje për protestë në Shkodër






               Publikuar në : 14:55 - 18/08/19 |
mapo.al

Të hënën prefekti pritet të thërrasë mbledhjen për konstituimin e këshillit të ri bashkiak të Shkodrës. Sakaq, Partia Demokratike e Shkodrës ka njoftuar për protestë nesër (e hënë, ora 10:00), ndërsa i bën thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, “të ruajë strikt paanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të PS-së”.


Demokratët kanë një mesazh për Kryeministrin: “I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes”.



Deklarata e plotë e degës së PD-së në Shkodër:

Partia Demokratike, dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00,para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës.

Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike,të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist.

Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën. Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes. Prandaj i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne, për dinjitetin e qytetit tonë,për dinjitetin e Shkodrës !”

Kujtojmë se ditën e djeshme, mediat cituan burime nga Partia Socialiste se në mbledhjen e parë, këshilltarët do të marrin mandatin e tyre pas zgjedhjeve.  Këshilli pritet të konstatojë përfundimin e mandatit të ish-kryetares së bashkisë, Voltana Ademi, dhe të zgjedhin një nënkryetar që do të drejtojë bashkinë deri në zgjedhjet e pjesshme aty.


Etiketa: , , , ,

Pas