fbpx

Kryesore

Edi Rama po na ndjek…, kur rilindja s’ka më ide





               Publikuar në : 18:56 - 09/11/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Një manifestim i zjarrtë sot i Partisë Socialiste, tentoi të tërheqë vemendjen e njerëzve, se i atillë u impostua, live në çdo ekran, dhe me një kujdes të madh për skenografinë. Dhe publiku me të drejtë mund të ngrehë veshët tek ky event me zhurmë, ku partia në pushtet, në gjysmën e mandatit të dytë, paska diçka të rëndësishme për të thënë.



Shumë shpejt, vjen shija e zhgënjimit, për këdo që kërkonte të dëgjonte, mendime, koncepte, apo teza politike. E gjitha përfundon në një klishe déjà-vu, si ato ushtrimet e gjimnastikës që bëheshin në shkolla para se të niste mësimi, në kohën e regjimit.


Çfarë kishte më shumë se një aktivitet sportiv, një kërcim së larti, apo vrapim në pistë, ajo çka ndodhi sot paradite në Parkun Olimpik në Tiranë.

Ka ca kohë që rilindja u ka dhënë duart ideve dhe po përjeton një thatësirë intelektuale. Por që të mblidheshin e ta shpallnin këtë vetë zyrtarisht, nuk qe fort e nevojshme.

U dëgjuan aty vetëlavdërime, mburrje pa hesap, sulme ndaj kundërshtarit, dhe ditirambe për liderin. Po asnjë projekt, asnjë ide, apo mendim, se çfarë mund të bëjë kjo forcë politike, në pushtet, për ta nxjerrë vendin nga kriza. Nga kriza e gjithanshme e shtrirë kudo.

Financat janë tkurrur, me gjasë arka është bosh, s’ka shpërblim për fundin e vitit dhe nuk do të ketë rritje pagash e pensionesh në vijim, koncesionet do të marrin më shumë para, Banka Botërore thotë se në Shqipëri nuk mund të bëhet biznes, apo më keq, raporton se korrupsioni është dyfishuar, ndërkombëtarët kërkojnë dialog për daljen nga ngërçi i gjatë politik, zgjedhjet e 30 qershorit po gjymtohen më keq se sa ishin, dhe në këtë atmosferë, ti dëgjon nga udhëheqja e vendit, se ata paskan punuar shumë, dhe të vetmin bilanc kanë rilindjen urbane, pra disa fasada në qytete.

Një gjë kuptohet qartë. Shefat e mazhorancës, ose kanë humbur çdo kontakt me realitetin, në rastin më të mirë, ose, më keq, bëjnë gjithë këtë shfaqje, dhe një zot e di se si pretendojnë të mbivendosin propagandën e tyre përkundruall jetës reale dhe fakteve e të vërtetave që prekin njerëzit çdo ditë.

Dhe kur nga fundi, dikush mund të shpresonte se do të kishte një shkrepëtimë, një bulëz mendimi, një vizion a diç të ngjashme, vjen epilogu fatal. Mëkëmbësi me gjasë i kreut të PS, pretendenti për fronin, shpall faqe të gjithëve një të madhe gjë. “Edi Rama po na ndjek nga ekrani”, thotë ai. Dhe kaq mjafton, që tërë gjindja aty të ngrihen në këmbë e të duartrokasin fort dhe çdokush tjetër përtej asaj salle ta bëjë paskëtaj gjumin e qetë, se mbroth po shkojnë punët e vatanit.


Etiketa: , , ,

Pas