Editorial

Editorial/ Një betejë si e Manjolës me makinerinë më të madhe propagandistike në rajon








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:53 - 13/09/20 |
Mapo.al

Manjola Cakoni ka prishur rëndë qetësinë e Edi Ramës. Sepse ajo ka shembur murin e censurës.


Një mur që mban në këmbë ngrehinën fasadë të Kryeministrit prej vitesh. Një pallat genjeshtrash që është ngritur kat mbi kat mbi propagandën. Denoncimi i Manjolës ka shkaktuar të krisura të forta në këtë strukturë. Ndaj, i është vërsulur sot një njeriu të zakonshëm, dhe krejt të pazakonshëm në hallin që ka, me gjithë industrinë e PR-it. Me një reportazh të gjatë mbi 6 minuta, për ta turpëruar atë grua.


Atë grua që guxoi të dalë nga rreshti, e të thotë të vërtetën e premtimeve boshe për viktimat e tërmetit. Të vërtetën se ata janë braktisur nga qeveria.


Edi Rama nuk e ka problem pse doli edhe një premtim tjetër i pambajtur. Çfarë e shqetëson atë është se kur një grua që ka aq shumë nevojë për qeverinë, fiton trimërinë ta denoncojë, mijëra të tjerë do ta bëjnë.


Rama ka qendruar mirë e bukur këto vite në pushtet me një pritë censure ku nuk e ka lejuar zërin e qytetarëve të bëhet i dëgjueshëm e i fortë, duke e mbytur me propagandë apo duke gjetur hile për ta politizuar çdo shqetësim të njëmendët.

Po sot, ai është në një betejë që e ka të humbur. Kreditet morale të Manjolës janë në kulm, të Ramës përdhe. Çdokush i beson asaj, dhe jo qeverisë. Ndaj, e vetmja rrugë ngelet sulmi. Siç veproi edhe sot.

Duke bullizuar Manjolën, Rama shpreson t’ia bëjë të qartë kushedi sa e sa familjarëve, burrave e grave në vend, që të mos e çojnë në mend të ankohen, sepse ai të godet me fuqinë e pushtetit që ka edhe disa muaj.

Historia është kjo.

Në Thumanë, në tërmetin e 26 nëntorit, Manjola humbi burrin dhe vajzën, ndërsa mbijetoi mrekullisht djali i saj Alesio. Edi Rama kreu perfeksionin e propagandës me djaloshin, i cili e pa veten nga rrënojat e një pallati të shëmtuar në një qytezë të humbur, në sallat me shkëlqim të Juventusit, ku takoi Kristiano Ronaldon.

E pa veten, në makinën luksoze të kryeministrit, i cili tha se do ta merrte në shtëpinë e tij nëse do të ishte nevoja.

Pra çdokush mendoi se një e ardhme, dhe një fat si i Alesios, zor se të vjen në këtë jetë. Edi Rama bëri mrekullinë me të.

Po ditët kaluan, dhe vakti i publicitetit shkoi.

Manjola me Alesion përherë e më shumë po shihin se as banesa e premtuar, as pensioni nuk po vinin.

Kjo grua, u ndje e përdorur. Doli dhe e tha në ekran. Një kurajo si ajo, pakkush e ka sot. Për më keq, pasi ngriti zërin, ajo pohon se nga Edi Rama i erdhi një kërcënim. Sepse, Manjola tregoi jetën reale të viktimave të tërmetit, të cilët po bëhen gati për dimrin e dytë në çadra dhe pa strehë.

Sot kryeministri reagoi si idhnak dhe me tërsëllimë. S’bëri tjetër, po i dha edhe më shumë besueshmëri e simpati në publik gruas nga Thumana që thjesht duke qënë e vërtetë po fiton një duel me makinerinë më të sofistikuar të propagandës, gënjeshtrës dhe trillimit në Ballkan e ndoshta më gjërë.

Në pastë ende media në këtë vend, ajo zonjë duhet mbrojtur. Nuk duhet lënë vetëm. Janë hijenat e rilindjes që mund ta bëjnë copa-copa.


Etiketa: , , , ,

Pas