Një vit politik mbyllet atëherë kur mbyllet edhe sesioni parlamentar, pavarësisht se vera vazhdon inercinë e disa debateve.
Këtë të hënën nis sesioni i ri parlamentar.
Drejtori i gazetës Mapo, Ervis Iljazaj shkruan në editorialin e ditës se ky vit politik është thuajse jetik për fatet e vendit, pas një sesioni parlamentar mediokër.
“Në aspektin politik, ka çështje të rëndësishme si reforma zgjedhore, si dhe përgatitja e infrastrukturës për zgjedhjet e ardhshme lokale, që janë në prag të sezonit të ri politik. Apo, përcaktimi i koalicioneve dhe përzgjedhja e kandidatëve, të cilët do të jenë tregues i rëndësishëm për frymën dhe vizionin që do të paraqesë secila nga palët politike për pushtetin lokal.
Në aspektin e drejtësisë, është e qartë se kryefjala është vazhdimi i Reformës në Drejtësi, që me sa duket i sheh opozitën dhe mazhorancën më larg se kurrë. Për sa i përket kësaj çështjeje, ka një qëndrim midis palëve, që nuk bën optimist askënd për mbarimin me sukses të saj. Ka akuza dhe kundërakuza, të cilat janë duke e dëmtuar dhe paragjykuar Reformën në Drejtësi. Ndërkohë që, ajo është një reformë ku janë shpenzuar shumë energji politike dhe shoqërore, ku për shkak të saj dhe ngërçin që ajo ka krijuar në sistemin e drejtësisë, Shqipëria ka patur me siguri dhe kosto të mëdha ekonomike. Në këtë kuptim, bashkëpunimi politik është i domosdoshëm për të hequr çdo lloj hijeje dyshimi mbi efikasitetin dhe suksesin e saj.
Po ashtu, ky është një vit i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në procesin e integrimit, ku çelja e negociatave kërkon gjithashtu një përpjekje bipartisane dhe një klimë politike reformuese dhe jo konfliktuale.
Prandaj, sesioni i ri parlamentar duhet të fokusohet te këto çështje, dhe jo te kotësitë e politikës së ditës, nga e cila nuk po arrijmë dot të dalim. Politika shqiptare është kapluar nga mediokriteti, dhe nga çështje që nuk janë aspak çështje që mund të krijojnë politikën e madhe dhe vizionare,” shkruan Iljazaj.
Lexoni më poshtë tekstin e plotë:
http://www.mapo.al/shqiperia-pret-te-reformohet/