Aktualitet

Edukimi në rrezik, prej 2 vitesh nxënësit dhe studentët janë të pashkolluar














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:49 - 15/02/21 |
Mirela Karabina

Prej dy vitesh, nxënësit dhe studentët nuk pajisen me aftësi e shprehi për të mësuar dhe për të kuptuar. Viti shkollor dhe akademik 2019-2020 rezulton të jetë realizuar vetëm 50% pasi mësimi online, nga marsi deri në qershor, u cilësua i paklasifikuar për sistemin parauniversitar. Ndërsa viti akademik universitar u mbyll rrokapjekthi me provime.





Shkolla dhe universiteti janë në kohët më të vështira pasi po përjetojnë pamundësi në arritjen e synimeve të tyre, nxënësit dhe studentët nuk kanë thellësi të të kuptuarit. Që të mbijetojnë këto institucione të të nxënit duhet të jenë të lidhur në mënyrë dinamike me mjedisin që i rrethon. Por sot, ato janë të shkëputur prej tij dhe kanë humbur funksionin. Tërmeti dhe pandemia dëshmuan gjendjen e rëndë të sistemit arsimor dhe paaftësi e papërgjegjshmëri të qeverisë për të menaxhuar këtë situatë.


Kështu, shkollat dhe universitet sot janë të mbyllura, as mësim në klasa fizike dhe as mësim eficient në distancë për arsye të mungesës së investimeve për akses të nxënësve dhe studentëve në internet të shpejtë dhe falas dhe platformave akademike online.





Prej dy vitesh, nxënësit dhe studentët nuk pajisen me aftësi e shprehi për të mësuar dhe për të kuptuar.



Viti shkollor dhe akademik 2019-2020 rezulton të jetë realizuar vetëm 50% pasi mësimi online, nga marsi deri në qershor, u cilësua i paklasifikuar për sistemin parauniversitar. Ndërsa viti akademik universitar u mbyll rrokapjekthi me provime.


Por, viti shkollor dhe akademik 2020-2021 rezulton të jetë edhe më i rëndë, pasi thellon situatën e krijuar nga viti i kaluar. Kështu, në kushtet e mësimit të alternuar me orë 25 minutësh në shkollë dhe mësimit online jo eficient dhe, tashmë vetëm online, maturantët i bie të kenë kryer të plotë 1/3 e studimit të tyre të arsimit të mesëm të ulët pra, vetëm vitin e parë mësimor 2018-2019. Dhe sot, ata duhet të përgatiten për provimet e maturës shtetërore. Nxënësit nga familje në vështirësi ekonomike që nuk kanë asnjë mundësi kontakti me mësuesin dhe shkollën në kushtet pandemike të mësimit online, janë plotësisht dy vite pas (cilësuar kjo dhe në raportin e PISA, dhe Bankës Botërore).

Studentët e ciklit të parë (Bachelor) që kanë filluar studimet më 2020 dhe nuk kanë shkelur ende fizikisht auditorin, po përballen për herë të parë me mësim në distancë. Ndërsa studentët e vitit të dytë, të po këtij cikli, mund të realizojnë pothuajse 50% të studimit, kështu çalë e çalë me gjoja mësim online. Mos flasim pastaj për ata të ciklit të dytë (Master) që janë në vitin e dytë të studimit, kanë zhvilluar pothuajse vetëm këtë lloj mësimi, pra në distancë.

Por, ministrja e Arsimit deklaron se gjithçka shkon mirë. Kështu sipas saj mësimi në universitete po zhvillohet mirë, edhe pse është vetëm në distancë. Por “harron” të theksojë vështirësitë e platformave mësimore që po aplikohen për herë të parë, vështirësinë e aksesit të studentëve për arsye të ngarkesës së rrjetit dhe pamundësisë për të marrë pjesë në mësim të studentëve në vështirësi ekonomike dhe mungesës së rrjetit në disa zona.

Ndërsa për shkollat, ministrja, liston gatishmërinë e tre skenarëve në përshtatje me situatës, duke gënjyer publikun, të cilët po vuajnë pasojat e pashkollimit të fëmijëve të tyre. Asnjë skenar nuk ka funksionuar: as mësimi në klasa fizike sepse për arsye të numrit të madh të nxënësve në klasa mësimi u kthye në disa turne dhe me orë të shkurtuara, pra, për të thënë që po bëhet mësim; as mësimi i alternuar klasë-shtëpi pasi mësimi online është jo eficient për arsyet e renditura më lart; dhe sot ka hyrë në fuqi skenari i tretë, i gjithë mësimi do të zhvillohet online, d.m.th., shkolla ka pushuar së funksionuari.

Ndaj jemi në një situatë emergjente për të nxjerrë shkollën dhe universitetin, fillimisht, nga bataku i pasojave 2-vjeçare të tërmetit, pandemisë dhe qeverisë.

Dhe kjo arrihet nëse shihen me kujdes dy aspekte të rëndësishme: përcaktimi i problemeve imediate të situatës së krijuar, që padyshim nuk do të jetë e lehtë për arsye të kompleksitetit dhe vështirësive në zgjidhje dhe, strategjive qe duhen të përqendrohen pikërisht te sjellja e ndryshimit.

Kështu, buxheti i posaçëm për situatën e krijuar duke shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare për arsimin do të sigurojë investime në infrastrukturë dhe në burime njerëzore. Mjete teknologjike në shkolla dhe universitete si dhe internet falas për mësuesit dhe nxënësit nëpërmjet kontratave që qeveria do të sigurojë me kompani private, pse jo edhe asistencë teknike prej tyre, do të mundësonin përdorimin eficient të platformave mësimore, të cilat bashkë me mësimin në klasa dhe auditore do ndihmojnë në plotësim të programit mësimor të parealizuar.

Mbështetje shëndetësore për mësuesit dhe pedagogët, vaksinimi i tyre dhe i nxënësve e studentëve është përgjegjshmëri për sigurinë e jetës, në radhë të parë.

Ristrukturim të shkollës në drejtim të vendimmarrjes dhe kompetencave të mësuesve duke i çliruar nga burokracia e centralizuar dhe ndikimi i ngurtë i saj. Për universitetet kjo është më e lehtë pasi ligji iu njeh autonominë, por ato duhet ta realizojnë atë.

Mësuesit të kenë fleksibilitet në planifikimin e orëve mësimore dhe për më tepër në situatën e krijuar. Ato duhet të planifikojnë vetë jo vetëm mësimin ditor, por dhe mundësitë e aktiviteteve mësimore për boshllëqet e krijuara. Për këtë, drejtoritë e shkollave duhet t’i mbështesin mësuesit me asistencën teknike të nevojshme: në materiale mësimore, në burime njerëzore dhe në ato financiare.

Mësues mbështetës dhe mësues të rinj të futen në sistem, duke krijuar mundësinë e mësimit të individualizuar për fëmijët me vështirësi në të nxënë dhe me nevoja të veçanta dhe duke i dhënë frymëmarrje shkollës, pasi mësimi me disa turne ka detyruar mësuesit të qëndrojnë gjatë në shkollë duke cenuar cilësinë e mësimit. Kjo jo vetëm do t’i bëjë shkollat më të ndjeshme ndaj nxënësve të saj, por do të realizojë funksionin e saj të edukimit të të gjithë nxënësve.

Në kushtet e krijuara, qeveria të ndihmojë shkollat dhe universitetet për mundësi bashkëpunimi dhe koordinimi të tyre me organizata dhe agjenci të tjera, si publike dhe private, me qëllim që të shumëfishojnë potencialin e burimeve ekzistuese për një edukim më të mirë.

Ashtu siç Gardner pohon, dobësitë e shkollave pasqyrojnë mangësitë e shoqërisë në përgjithësi, pikëpamjet tona mbi të nxënit dhe zhvillimin e vetes sonë dhe të sistemeve të vlerave tona si individë dhe qytetarë.

Por, shkolla dhe universiteti janë në ditët e qametit, nuk zhvillojnë dot sistemin e vlerave as si individ dhe as si qytetar.

Problemi është se kjo qeveri që shkaktoi pandeminë shkollore nuk është në gjendje ta shpëtojë shkollën dhe universitetin nga gjendja e pandemisë natyrore, pasi e ka futur vetë sistemin në kolaps.

Të shpresojmë që qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e prillit do ta vendosë prioritet kombëtar edukimin.

Në të kundërtën, një shoqëri e pashkolluar do të jetë e destinuar të vuajë pasojat e paditurisë së saj!

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas