Nga Jonathan Moules, Financial Times
Ka qenë një vit i mbarë për Frédéric Mion, drejtor i Institutit të Studimeve Politike të Parisit. Në muajin shkurt ai mori mandatin e dytë si drejtor i Universitetit Elitar Francez, një universitet i njohur për Shkencat Politike (Sciences Po). Pas pak kohësh universiteti raportoi për një rritje me 20% të kërkesave nga jashtë Francës për studimet Bachelor dhe Master. “Këtë mund ta quajmë efekti [Emmanuel] Macron”, thotë Mion, duke aluduar Shkencat Politike. “Kam një ndjesi se Franca gëzon një formë të re dinamike për sa i përket inovacionit dhe reformës”.
Shkencat Politike u themeluan në vitin 1872 si një kolegj privat, për të trajnuar një brez të ri të udhëheqësve politikë francezë pas pushtimit të vendit në Luftën Franko-Prusiane. Nga koha kur zoti Mion mori postin më të lartë në vitin 2013, institucioni është transformuar në një nga universitetet me shërbimet më të plota me 13,000 studentë të diplomuar, ku 47% e tyre janë nga jashtë duke përfaqësuar 150 vende. Ndonëse ky zhvillim strategjik filloi nën paraardhësin e tij, Richard Descoings, merita ka qenë kryesisht e zotit Mion, sipas vëzhguesve. Shkencat Politike vazhdojnë të tërheqin studentët e elitës franceze, duke konkurruar me shkollat e larta ndërkombëtare të biznesit për master.
Z.Mion, 48 vjeç, nuk ka ndjekur një rrugë konvencionale në akademi, por ai kishte role të larta në sektorin publik dhe biznes, së fundmi si Sekretar i Përgjithshëm i grupit mediatik Canal Plus. Jean-Pierre Choulet, ish-zëvendëspresident për strategjitë në Shkollën e Biznesit të Francës ‘Essec’, tani drejtor i Alumni dhe Zhvillimit në Henley Business School, thotë se zoti Mion ka injektuar “një vizion të vërtetë” të Shkencave Politike në një universitet selektiv ndërkombëtar.
Z.Mion ia atribuon suksesin e tij “shkallës së pabesueshme të autonomisë” të krijuar nga statusi i Shkencave Politike si një institucion privat i inkorporuar si një shoqëri aksionare. Kjo e bën atë të jetë larg nga shumica e universiteteve franceze, të cilat mbështeten te fondet shtetërore. “Studentët tanë paguajnë tarifat e shkollimit, të cilat i vendosim vetë ne”. Në shtetin francez, tarifa e shkollimit është një anatemë. As qeveria Macron nuk ka propozuar asnjë formë të pagesës së studentëve. Por z. Mion të paktën mbështet disa financime nga vetë studentët pasi “elementi financiar është thelbësor”, thotë ai.
Ai shprehet se është i trembur nga ndarja e Mbretërisë së Bashkuar me BE. “Si europian ndiej se Brexit është një katastrofë, madhësia e të cilit ende nuk është kuptuar plotësisht”, thotë ai. Ndërsa rezultati i referendumit të Britanisë së Madhe për BE ka qenë i dobishëm për Shkencat Politike – të paktën një pjesë e rritjes së aplikimeve të saj jashtë shtetit vjen nga studentët që mund të kishin studiuar në Britani të Madhe. Z. Mion thekson se Brexit do të jetë në fund të fundit i dëmshëm për institucionet akademike nëse universitetet nuk krijojnë lidhje mes tyre.
Për këtë qëllim ai ka mbajtur marrëdhënie me Universitetin e Kembrixhit, Kolegjin ‘King’ të Londrës dhe Shkollën e Ekonomisë në Londër rreth “përforcimit të mundshëm” të punës hulumtuese dhe shkëmbimeve të fakulteteve dhe studentëve.
Z.Mion po mbikëqyr zgjerimin: Një kampus i ri i Parisit po ngrihet përgjatë rrugës ekzistuese dhe Shkenca Politike ka hapur një kampus në Nairobi. Ai e përshkruan Afrikën si “kufiri i ri” për universitetet dhe paralajmëron se institucionet perëndimore janë mbrapa kolegëve kinezë.
“Dekani i Shkollës sonë të Punëve Publike, Yann Algan, shkoi në Pekin pak muaj më parë dhe u habit kur në një nga leksionet që ai dha, iu drejtua një auditori që ishte dy të tretat plot me studentë afrikanë”, tha Mion. “Ata e kuptojnë se është nevoja për të trajnuar këtë brez të ri afrikanësh. “Për sa i përket mësimit në internet, mendoj se është një tjetër sfidë”.
“Nuk mendoj se po shkojmë drejt një bote, në të cilën të gjitha universitetet do të bëhen virtuale”, thotë Mion. “Por ka një hapësirë të madhe për përmirësim në mënyrën se si i përdorim mjetet digjitale për të përmirësuar përvojën e të mësuarit”. Klasat virtuale, në të cilat profesorët i mësojnë studentët në distancë online, janë krijuar për kurset e magjistraturës.
Ai thotë se mësimi në klasë do të jetë gjithmonë kyç. “Kur e fillova këtë punë kishte një numër njerëzish. . . që thanë se universitetet siç i njohim janë të vdekura, se digjitalizimi do t’ju vrasë të gjithëve”, thotë ai. “Tani unë kam arritur të besoj shumë fuqishëm se njerëzit që thonë gjëra të tilla, janë thellësisht të gabuar”. Arsyeja pse universitetet do të vazhdojnë të kenë nevojë për hapësirë fizike nuk është që të heqin dorë nga njohuritë, por të sjellin njerëzit së bashku për të mësuar nga njëri-tjetri, shton Mion.
“Nëse do të përpiqeshim të krijonim një treg për MBA online, do të ‘bombardoheshim’”, thotë ai, duke vënë në dukje se njerëzit paguajnë për kurse të tilla pjesërisht për t’u dhënë mundësinë të takojnë shokë dhe të formojnë lidhje që do të jenë një rrugë e mirë për ta.
“Mësimi është një gjë e përbashkët”.
Politika në praktikë
Shkenca Politike ka për qëllim të prodhojë të diplomuar të mprehtë, nëse ambiciet e tyre janë për t’u bërë shefa shteti ose drejtues të lartë në biznes.
Universiteti ka krijuar atë që e quan laboratori i politikave në Fakultetin e Çështjeve Publike, në të cilin studentëve u kërkohet nga institucionet publike të zgjidhin disa prej çështjeve dhe problemeve reale. Kohët e fundit ky lloj aktivizimi i studentëve, përfshiu një angazhim në bashkëpunim me qeverinë e qytetit të Parisit, për sistemin e kanalizimeve të kryeqytetit.