New York Times e quajti atë “globi me gjemba që shihet në të gjithë botën”. Në fund të janarit, Alissa Eckert dhe kolegu i saj Dan Higgins në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve morën për detyrë të krijonin një ilustrim të koronavirusit. Duhej të ishte “diçka për të tërhequr vëmendjen e publikut”, shpjegoi Eckert më vonë për Times.
Ajo që ata prodhuan ishte një imazh i një globi të kuqërremtë me maja të ndritshme. Ishte ndjellëse dhe shqetësuese. Shpejt u shfaq kudo, duke dalë në gazeta, revista dhe në lajme në televizion.
Nëse tani po imagjinoni se si duket një koronavirus, atëherë ka shumë të ngjarë që ke parasysh imazhin e Eckert-Higgins ose një derivim të tij.
Në botën makabre të artistëve profesionistë të mjekësisë, kjo quhet “pamje goditëse”, një përshkrim nga afër i një grimce të vetme virale, duke e bërë atë të duket kërcënuese, por edhe masive. Në fakt, koronavirusi është rreth 1/10,000 i madhësisë së pikës që vendoset në fund të kësaj fjalie.
Shpesh na këshillojnë të mendojmë për gjëra të mëdha. Por mbase duhet të fillojmë të mendojmë për gjërat e vogla. Ne shpesh imagjinojmë rreziqet globale tradicionale me të cilat mund të përballemi, megjithëse ka pak gjasa të ndodhin, të tilla si sulmet ushtarake dhe pushtimet, duke planifikuar përgjigje simetrike e në shkallë të gjerë ndaj tyre.
Qeveritë shpenzojnë triliona dollarë për të modernizuar e mbajtur ushtri të mëdha dhe duke kryer stërvitje të gjera luftarake kundër armiqve të mundshëm. Vetëm SHBA i kushton pothuajse tre të katërtat e një trilioni dollarëve buxhetit të mbrojtjes çdo vit.
E megjithatë, ne ishim të papërgatitur për t’u mbrojtur nga një virus mikroskopik, i cili nuk është çudi të shkaktojë dëmin më të madh ekonomik, politik dhe shoqëror të njerëzimit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Tani nuk duhet të mendojmë vetëm për pandeminë, por edhe për botën që do të duhet të jetojmë pas pandemisë dhe – dhe më e rëndësishmja – përgjigjet tona ndaj kësaj situate.
Çdo goditje e madhe mund të ketë efekte të ndryshme, varësisht nga gjendja e botës në atë kohë dhe nga mënyra se si reagojnë qeniet njerëzore – me frikë, me kundërpërgjigje apo me përshtatje.
Ndikimi i koronavirusit, po përcaktohet prej faktit se bota është thellësisht e ndërlidhur, në një kohë kur shumica e vendeve nuk qenë të përgatitura për pandeminë, dhe se shumë prej tyre – përfshirë kombet më të pasura të botës – mbyllën brenda kufijve shoqëritë dhe ekonomitë e tyre me një mënyrë të pashembullt në histori.
Tani ne e dimë se si duket një pandemi. Ne kemi parë sfidat dhe kostot e reagimit ndaj saj. Pandemia Covid-19 mund të vazhdojë, por edhe nëse çrrënjoset, shpërthime të reja të sëmundjeve të tjera janë pothuajse të sigurta që do të ndodhin në të ardhmen.
Me këtë njohuri dhe përvojë, ne tani jetojmë në një epokë të re: epoka post-pandemi. Cilat janë saktësisht pasojat e kësaj pandemie?
Disa sugjerojnë se do të jetë ngjarja përcaktuese e historisë moderne, një moment që ndryshon përgjithmonë rrjedhën e tij. Të tjerët besojnë se pas një vaksine, ne do të kthehemi shpejt në punët tona si zakonisht. Ka ca të tjerë që argumentojnë se pandemia nuk do të riformojë historinë aq sa do ta përshpejtojë atë. Ky skenar i fundit duket më i mundshmi.
Lenini mendohet të ketë thënë një herë: “Ka dekada kur asgjë nuk ndodh, dhe pastaj ka javë më ngjarje sa për dekada me radhë.”
Bota post-pandemike do të jetë, në shumë aspekte, një version i përshpejtuar i botës që ne njihnim më parë. Por kur i përshpejtojmë gjërat, ngjarjet nuk ecin më natyrshëm dhe pasojat mund të jenë tronditëse, madje edhe vdekjeprurëse.
Në vitet 1930, shumë vende në zhvillim po modernizoheshin me një ritëm të qëndrueshëm, duke i lëvizur njerëzit nga bujqësia në industri.
Bashkimi Sovjetik vendosi ta përshpejtojë brutalisht atë proces. Ky vendim, kolektivizimi i bujqësisë, çoi në uri, “likuidim” të miliona fermerëve, forcim të diktaturës dhe deformim të plotë të shoqërisë sovjetike.
Një botë pas pandemisë mund të vuajë nga efekte anësore të paparashikueshme. Jeta post-pandemike do të jetë e ndryshme për vendet, kompanitë dhe veçanërisht individët. Edhe nëse ekonomia dhe politika kthehen në normalitet, kjo nuk do të ndodhë me qeniet njerëzore. Ata do të kenë kaluar sfidë të pazakontë, të vështirë dhe do të kenë një ndjenjë se kjo do të përsëritet.
“Ndërsa kalon më e keqja, ne dalim në ‘dritën e ftohtë të vdekur të së nesërmes’”, është shprehur shkrimtarja KatherineAnne Porter në novelën e saj gjysmautobiografike të vitit 1939, “Pale Horse, Pale Rider”, ku flet për mbijetesën nga pandemia e gripit spanjoll.
Pandemitë kanë pasoja
Duhej ta kishim parë duke ardhur. Koronavirusi mund të jetë i ri, por plagët që shkakton jo. Letërsia perëndimore fillon me një pandemi. Në vargjet hyrëse të Iliadës së Homerit, ushtritë greke janë shkatërruar nga murtaja.
Ky është një ndëshkim hyjnor drejtuar udhëheqësit të tyre, Mbretit të pangopur dhe grindavec Agamemnonit.
Historia e parë serioze e shkruar në Perëndim lidhet me murtajën. Historia e Luftës së Peloponezit nga Tukididi, përcjell kronikën e konfliktit të gjatë midis dy superfuqive të epokës, Athinës dhe Spartës.
Në fillim të luftës, shkruan Tukididi, një murtajë e tmerrshme përfshiu Athinën, duke vrarë një numër të madh të qytetarëve të aftë, dhe më e rëndësishmja edhe udhëheqësin e pashoq të qytet-shtetit, Perikliun.
Të dy palët kishin sisteme politike shumë të ndryshme: Athina ishte demokratike, Sparta ishte një shoqëri me organizim të rreptë ushtarak. Sparta përfundimisht fitoi, por nuk është aspak vështirë të thuash që, po të mos kishte pasur murtajë, Athina mund të kishte fituar dhe rrjedha e historisë perëndimore do të ishte krejt ndryshe – me një demokraci të gjallë që bëhej një model i suksesshëm.
Plagët kanë pasoja. Më me shumë pasoja ka qenë murtaja bubonike, e cila filloi në Azinë Qendrore në vitet 1330 dhe u përhap në Evropë në dekadën vijuese. Një kronist mesjetar akuzoi mongolët për futjen e sëmundjes në kontinent duke lëshuar me katapultë kufomat e të vdekurve nga murtaja në një fortesë gjenoveze – një armë e hershme biologjike.
Ka më shumë gjasa, që murtaja u përhap përmes tregtisë globale, e përcjellë nga karvanët dhe anijet që transportonin mallra nga Orienti në portet kryesore të Sicilisë dhe Marsejës. E quajtur edhe Vdekja e Zezë, ajo u transmetua nga pleshtat dhe minjtë dhe sulmoi sistemin limfatik të viktimave njerëzore, duke shkaktuar vuajtje dhe vdekje në një shkallë që nuk ishin parë kurrë më parë.
Gjysma e popullsisë së Evropës u zhduk. Sëmundja, si shumë të tjera, nuk u çrrënjos kurrë plotësisht. Organizata Botërore e Shëndetësisë ende raporton disa qindra raste të murtajës bubonike çdo vit, për fat të mirë tani e shërueshme me antibiotikë.
Murtaja bubonike pati efekte sizmike. Studiuesit besojnë se me kaq shumë të vdekur, ekonomia e kohës ishte përmbysur. WalterScheidel shpjegon se fuqia punëtore u pakësua dhe toka ishte më e bollshme, kështu që pagat u rritën dhe qiratë ranë.
Punëtorët fituan më shumë fuqi negociuese dhe fisnikët humbën. Skllavëria mori fund në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Sigurisht, ndikimi ndryshonte nga vendi në vend bazuar në strukturat ekonomike dhe politike të secilit.
Pabarazia në fakt u rrit në disa vende që morën masa shtypëse. Për shembull, pronarët fisnikë në Evropën Lindore përdorën mjerimin për të forcuar pushtetin e tyre dhe për të imponuar robërinë për herë të parë. Përtej këtyre efekteve materiale, murtaja nxiti edhe një revolucion intelektual.
Shumë evropianë të shekullit të katërmbëdhjetë pyetën pse Zoti po e lejonte këtë ferr mbi tokë dhe vunë në pikëpyetje hierarkitë e ngulitura – të cilat patën efektin përfundimtar për të ndihmuar Evropën të dilte nga vuajtja e saj mesjetare dhe të vinte në lëvizje Rilindjen, Reformizmin dhe Iluminizmin. Nga vdekja dhe tmerri erdhi shkenca, moderniteti dhe rritja.
Me Covid-19, fatmirësisht, nuk përballemi me të njëjtën vdekshmëri masive. Por a mundet kjo pandemia e epokës sonë të provokojë një frymë të ngjashme të reagimit shoqëror, një tronditje ekuivalente të vetëkënaqësisë sonë?
Historiani William McNeill, autori i vëzhgimit të thelluar “Pandemitë dhe Popujt”, u bazua tek epidemiologjia teksa po përpiqej të shpjegonte një enigmë: Si një numër i vogël i ushtarëve evropianë qenë në gjendje të pushtonin dhe konvertonin me shpejtësi miliona njerëz në Amerikën Latine?
Për shembull, eksploruesi spanjoll Hernán Cortés me vetëm 600 burra u përball me një Perandori Asteke me miliona. Përgjigjja, zbuloi McNeill, ishte murtaja. Spanjollët sollën me vete jo vetëm armë të përparuara, por edhe sëmundje si lia, për të cilën kishin krijuar imunitet, ndërsa vendasit jo.
Vlerësimet e numrit të të vdekurve nga shpërthimet pasuese janë tronditëse, duke filluar nga 30% e popullsisë në fillim në 60% e 90% gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë – që siç thonë të gjithë ishin dhjetëra miliona njerëz. McNeill imagjinon “pasojat psikologjike të një sëmundjeje që vrau vetëm indianët dhe la spanjollët të padëmtuar”.
Një përfundim që nxorën vendasit, spekulon ai, ishte se të huajt adhuronin perëndi më të fuqishme. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse kaq shumë prej tyre iu nënshtruan kontrollit spanjoll dhe u konvertuan në krishtërim.
Pandemia që mbetet ende në kujtesën tonë është gripi spanjoll, i cili goditi botën pas Luftës së Parë Botërore dhe vrau rreth 50 milionë njerëz, më shumë se dyfishi i numrit që vdiq në beteja. Ai u quajt gripi spanjoll jo sepse filloi në Spanjë, por sepse ai vend, duke qenë i papërfshirë në luftë, nuk i censuroi lajmet.
Përhapja e sëmundjes u raportua kështu gjerësisht nga Spanja, gjë që bëri që njerëzit ta supozonin atë se e pati origjinën aty. Shkenca ka përparuar jashtëzakonisht shumë që nga fillimi i shekullit XX.
Atëherë, askush nuk kishte parë ndonjëherë një virus, aq më pak dinte se si ta trajtonte këtë infeksion të ri: mikroskopët elektronikë nuk ishin shpikur, as ilaçe antiviralenuk kishte.
Por ende, tri udhëzimet më të rëndësishme nga autoritetet shëndetësore në atë kohë – distancimi social, maskat dhe larja e duarve – mbeten tre nga katër mekanizmat më të rëndësishëm të përdorura edhe sot për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, deri në zhvillimin e një vaksine.
Testimi i rregullt, është reagimi i katërt, i vetmi që vjen si një shtesë moderne.
Në dekadat e fundit, shpërthimet e SARS, MERS, gripit të shpendëve, gripit të derrit dhe Ebolas u përhapën shpejt dhe gjerësisht, duke bërë që shumë ekspertë të paralajmëronin se së shpejti do të përballeshim me një epidemi të vërtetë globale.
Në vitin 1994, libri më i shitur i Richard Preston, “Zona e nxehtë”, detajoi origjinën e virusit Ebola. Filmi “Contagion” i vitit 2011, i frymëzuar nga epidemia e SARS-it 2002–2003 dhe pandemia e gripit të derrit në vitin 2009, imagjinoi një virus që mori 26 milionë jetë në të gjithë botën.
Në vitin 2015, Bill Gates dha një paralajmërim të TED Talk se “nëse diçka vret mbi 10 milionënjerëz në dekadat e ardhshme, ka shumë të ngjarë të jetë një virus shumë infektiv”.
Në vitin 2017, ai dha alarmin më fort, duke parashikuar në një fjalim në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se kishte gjasa të arsyeshme që një pandemi e tillë të shpërthente në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.
Deri atëherë, nuk u desh shumë largpamësi të imagjinohej një pandemi dhe të argumentohej për të investuar më shumë kohë, burime dhe energji drejt ndalimit të saj.
Në qershor 2017, kur Presidenti Donald Trump propozoi shkurtime të buxhetit në agjencitë kryesore që merreshin me shëndetin publik dhe sëmundjet, unë i kushtova një pjesë të emisionit tim në CNN kësaj teme, ku thashë:
“Një nga kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara nuk është aspak një gjë e madhe. Në të vërtetë, është e vogël, mikroskopike, mijëra herë më e vogël se koka e një gjilpëre.
Patogjenë vdekjeprurës, të krijuar nga njeriu ose natyra, mund të shkaktojnë një krizë globale shëndetësore dhe SHBA është plotësisht e papërgatitur për t’u marrë me të… Duhet vetëm të shikojmë 100 vjet pas në 1918, kur pandemia e gripit spanjoll vrau rreth 50 milionë njerëz në të gjithë globin.
Në shumë mënyra, ne jemi edhe më të prekshëm sot. Qytetet me popullim të dendur, luftërat, katastrofat natyrore dhe flukset e udhëtimeve ajrore ndërkombëtare mundësojnë që një virus vdekjeprurës me origjinë nga një fshat i vogël në Afrikë të mund të transmetohet pothuajse kudo në botë, përfshirë edhe SHBA, brenda 24 orësh. . . .
Biosiguria dhe pandemitë globale tejkalojnë të gjithë kufijtë kombëtarë. Patogjenët, viruset dhe sëmundjet janë vrasës me mundësi të barabarta. Kur të vijë kriza, ne do të dëshironim të kishim më shumë fonde dhe më shumë bashkëpunim global. Por atëherë, do të jetë vonë”.
Qe vërtet tepër vonë. Patëm paralajmërime të shumta për ardhjen e Covid-19. Por përtej rreziqeve specifike të pandemisë, ne duhet të kishim kuptuar mundësinë e një goditjeje të fortë të sistemit tonë. Pas Luftës së Ftohtë, bota u vendos në një sistem të
ri ndërkombëtar të përcaktuar nga tre forca kryesore, një gjeopolitike, një ekonomike dhe një teknologjike – që janë përkatësisht fuqia amerikane, tregjet e lira dhe Revolucioni i Informacionit.
Të gjithë dukej se punonin së bashku për të krijuar një botë më të hapur dhe më të zhvilluar. Por ishte ende një botë e mbushur me kriza – disa prej të cilave do të dukeshin si jashtë kontrollit.
Luftërat Ballkanike, rënia financiare aziatike, sulmet e 11 shtatorit, kriza financiare globale dhe tani Covid-19. Ndërsa të gjitha janë të ndryshme, ata kanë diçka thelbësisht të përbashkët.
Të gjitha janë goditje asimetrike – gjëra që fillojnë të vogla por përfundojnë duke dërguar valë sizmike kudo nëpër botë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për të tre më të fuqishmet prej këtyre krizave: 11 shtatori, kriza financiare e 2008 dhe koronavirusi.
Sulmet e 11 shtatorit tronditën globin, duke përqendruar vëmendjen në një reagim të veçantë ndaj kësaj bote të re, të cilën shumë në Perëndim e kishin injoruar më parë.
Sulmet sollën në qendër të zemërimit Islamin radikal, tensionet në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të Perëndimit me të.
Ata më pas provokuan një përgjigje të egër nga Shtetet e Bashkuara. Vendi shkallëzoi një aparat të gjerë të brendshëm të sigurisë – por gjithashtu nisi luftërat në Afganistan dhe Irak dhe shënjestroi operacionet jashtë, duke shpenzuar, sipas një vlerësimi, 5.4 trilionë dollarë në “Luftën kundër Terrorizmit”.
Ajo fushatë çoi në gjakderdhje, revolucion, shtypje dhe refugjatë, me miliona viktima dhe pasoja që vazhdojnë edhe sot.
Tronditja e dytë ishte krejtësisht e ndryshme, një krizë financiare e një lloji të njohur në histori.
Kohërat e mira çuan në rritje të çmimeve të aseteve, të cilat çuan në spekulime, pastaj në flluska, dhe së fundmi, në mënyrë të pashmangshme, në kolaps.
Megjithëse kriza filloi në Shtetet e Bashkuara, ajo u përhap shpejt në të gjithë planetin, duke zhytur botën në rënien më të keqe ekonomike që nga Depresioni i Madh.
Ekonomia u rikuperua ngadalë, por tregjet lulëzuan, duke rritur ndarjen midis kapitalit dhe punës. Kur erdhi puna për politikë, kriza pati efekte komplekse dhe gërryese.
Edhe pse rrënjët e krizës ishin në sektorin privat, në shumë vende, njerëzit nuk u zhvendosën në të majtë ekonomikisht; ata lëvizën në të djathtë nga ana kulturore.
Ankthi ekonomik ngjalli ankth kulturor, armiqësi ndaj imigracionit dhe një dëshirë nostalgjike për t’u kthyer në një të kaluar të njohur. Populizmi i krahut të djathtë fitoi forcë në të gjithë Perëndimin.
Tronditja e tretë është kjo që po jetojmë. Mund të jetë më e madhja nga të gjithë, dhe sigurisht që është më globalja prej tyre. Ajo që filloi si një problem i kujdesit shëndetësor në Kinë shpejt u bë një pandemi globale.
Por ky ishte vetëm fillimi. Kriza mjekësore nxiti një bllokim të njëkohshëm të të gjithë biznesit në të gjithë globin, duke rezultuar në një Paralizë të Madhe, ndërprerjen e vetë ekonomisë. Dëmi ekonomik nga kjo pandemi tashmë rivalizon atë të Depresionit të Madh.
Pasojat politike do të shfaqen gjatë viteve të ardhshme në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme. Pasojat sociale dhe psikologjike – frika dhe izolimi – mund të qëndrojnë edhe më gjatë. Covid-19 po jep efekte të thella dhe të qëndrueshme tesecili prej nesh, pasoja që ende nuk mund t’i vlerësojmë plotësisht.
Pra secila nga këto tre kriza masive globale nisi nga diçka të vogël, në dukje e parëndësishme. Mendoni për sulmet e 11 shtatorit, të nisura nga nëntëmbëdhjetë të rinj, të armatosur me armët më të thjeshta dhe më të vrazhda, thika të vogla, jo aq të ndryshme nga ato të përdorura në epokën e bronzit 4,000 vjet më parë.
Por ata nëntëmbëdhjetë burra vunë në lëvizje një valë të luftës, operacioneve të inteligjencës, revoltave dhe përplasjeve e dhunës kudo nëpër botë. Ose kujtoni origjinën e krizës financiare globale – një produkt i dyshimtë financiar, “tregtimi i parazgjedhur i kredive”, një lloj i politikës së sigurimit kryesisht për hipotekat, i paketuar dhe ribashkuar, prerë në feta dhe kubikë, që u shit dhe rishit, derisa u bë një treg 45 trilionë dollarë, tre herë më i madh se ekonomia amerikane dhe tre të katërtat e madhësisë së të gjithë ekonomisë globale.
Dhe kur ai treg u rrëzua, mori me vete ekonominë botërore dhe, njëkohësisht shkaktoi një valë populizmi. Pa të, zor se mund të ishte bërë President Donald Trumpi.
Dhe në rastin e kësaj pandemie, ne të gjithë tani e pranojmë se si një grimcë e vogël virale, që qarkulloi në Provincën Hubei të Kinës, e ka gjunjëzuar botën – një shembull në jetën reale të efektit flutur, që thotë se përplasja e një krahu flutura në një anë të botës mund të shkaktojë ortekë në anën tjetër të saj.
Ndryshimet e vogla mund të sjellin pasoja të mëdha. Në rrjetet e energjisë ose rrjetet kompjuterike, nëse një element i vogël prishet dhe pastaj zhvendos ngarkesën e tij te një tjetër që edhe ai prishet, mund të prodhojë një reaksion zinxhir që rritet duke u bërë gjithnjë e më i madh, si një valë që bëhet një furtunë e frikshme.
Ky quhet “efekti kaskadë“. Një defekt i vetëm softuer ose transformator i prishur mund të shkatërrojë një sistem të tërë. Diçka e ngjashme ndodh në biologji.
Një infeksion i vogël në gjak mund të çojë në një mpiksje të vogël që, përmes një reaksioni zinxhir, mund të shkaktojë një goditje masive – një proces i quajtur kaskada ishemike.
Në kohët e hershme, epidemitë konsideroheshin diçka jashtë aftësisë dhe përgjegjësisë njerëzore. Fjala influenza (gripi), për shembull, vjen nga një mendësi popullore italiane se ftohjet dhe ethet vijnë nga ndikimi i yjeve.
Me kalimin e kohës, megjithatë, perceptimet ndryshuan dhe njerëzit u përqendruan më shumë në tiparet e problemit që ishin lehtësisht të dukshme, një hap i rëndësishëm drejt shikimit të asaj që mund të bëhej në lidhje me problemin.
Francezët filluan të thërrisnin influenza-n me emrin grippe (gripi) që ka kuptimin “bllokim”, me gjasë i referohet ngushtësisë që ndihej në fyt dhe gjoks. Që nga viti 1990, kriza të papritura dhe masive kanë përfshirë botën – rreth një në çdo dhjetë vjet – me efekte kaskadë.
Do të kemi edhe të tjera. Ato nuk ndodhin me një plan apo dizajn të përcaktuar, por njëkohësisht nuk janë as plotësisht aksidentale. Ato duket se janë një element i qenësishëm i sistemit ndërkombëtar që ne kemi ndërtuar.
Ne duhet ta kuptojmë atë sistem – me fjalë të tjera, të kuptojmë botën në të cilën jetojmë – në mënyrë që të kuptojmë rreziqet e botës post-pandemike.
Ky shkrim është përcjellja e librit “Dhjetë leksione për Botën Pas-Pandemike” të cilin gazetari Fareed Zakaria e ka botuar pak javë më parë.