Për herë të parë një institucion i lartë arsimor shqiptar, siç është Polis, fiton një projekt Tempus në rolin e koordinatorit. Bëhet fjalë për një projekt mbi zhvillimin e arsimit profesional në fushën e eficiencës së energjisë për të cilin Polis do të punojë me 10 partnerë nga rajoni dhe BE si Gjermania, Holanda, Portugalia dhe Sllovakia. Rektori i Universitetit POLIS, Prof. Dr. Besnik Aliaj, në aktivitetin e mbajtur me këtë qëllim pak ditë më parë, falënderoi partnerët në sjelljen e këtij projekti të rëndësishëm në Shqipëri nën drejtimin e një institucioni shqiptar, duke provuar që ne jemi gati për sfida të tilla në arsim. Tej arritjes së një institucioni arsimor shqiptar në arenën ndërkombëtare, ky projekt shënon një hap drejt forcimit të arsimit profesional në një fushë veçanërisht të rëndësishme për vendin tonë siç është energjia.
Projekti “Zhvillimi dhe Përshtatja e Programeve Profesionale mbi Eficiencën Energjetike në Ballkanin Perëndimor” është pjesë e Programeve TEMPUS të financuara nga Bashkimi Evropian. Koordinatorja e zyrës së këtij programi për Shqipërinë, Edit Dibra na thotë, që ndryshe nga herët e tjera, kur institucionet shqiptare kanë qenë partnere në projektet fituese, Polis, në rolin e koordinatorit, do jetë ai që do menaxhojë grantin që BE ka akorduar për këtë projekt, rreth 750 mijë euro. Ky projekt synon të aftësojë profesionistë në fushën e eficiencës së energjisë duke adresuar kështu një nevojë të tregut në Shqipëri.
Energjia e prekshme e projektit
Ndërkohë që aplikonin për këtë projekt si institucion- një nga kushtet e projekteve Tempus- Shkolla e Arkitekturës dhe Zhvillimit Urban në Tiranë Polis kishte nisur programet profesionale mbi eficiencën e energjisë. “Polis ka nisur tashmë programin profesional mbi eficiencën energjetike dhe projekti Tempus synon adaptimin e kurrikulave ekzistuese, përforcimin si dhe hapjen e programeve të reja të eficiencës energjetike (programe profesionale si dhe mastera profesionale) në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë. Këto programe parashikohet të nisin që në vitin e ardhshëm akademik.”-thotë për gazetën Mapo, Elvin Dajko, zv.drejtor i Institutit për Kërkim dhe Zhvillim të universitetit “Polis”, në rolin e koordinatorit të këtij projekti.
Ky program studimi, siç tregon Dajko, fokusohet në çështje të eficiencës energjetike dhe në përgatitjen e teknikëve në këtë fushë. Tematikat që preken lidhen me projektimin ambiental, burimet e energjisë së rinovueshme, çështje që kanë të bëjnë me termoizolimin e objekteve si dhe të impiantistikës së ngrohjes dhe ftohjes dhe të gjitha, përveç aspekte të përgatitjes teknike, kanë dhe një dimension të shtuar që lidhet dhe me aspekte të menaxhimit dhe të sipërmarrjes. “Përsa i përket fushës së përzgjedhur, edhe nga vetë studimet ndërkombëtare të bëra te ne, qartësisht në Shqipëri energjia ka rol kryesor në zhvillimin e vendit, si në aspektin e kursimit të energjisë në nivel të konsumatorëve, por dhe në atë të prodhimit të saj nga burimet e rinovueshme.”-rendit Dajko arsyet pse kjo fushë është e rëndësishme për vendin tonë duke nisur me faktin e ofrimit të një mundësie alternative studimi nga ajo e “shkollës së lartë” dhe mbi të gjitha kërkesën e qartë të tregut të punës për figura profesionale.
Arsimi profesional, fusha ku kërkohen energji të reja
Zv. ministri i Arsimit dhe Sporteve Arbër Mazniku dhe zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të pranishëm në aktivitetin e universitetit Polis, për të shpallur projektin fitues Tempus të drejtuar prej tij, nënvizuan rëndësinë e arsimit profesional në Shqipëri, duke inkurajuar të rinjtë të bëhen pjesë aktive e këtyre programeve, si një mënyrë shumë efikase për të hyrë në tregun e punës. Një nga programet që e ofron këtë mundësi për të rinjtë në Shqipëri është edhe ai I eficiencës së energjisë në Universitetin Polis. Ky është një program studimi jouniversitar profesional post sekondar (pas arsimit të mesëm) me kohëzgjatje 2-vjeçare, 120 ECTS. Me përfundimin e këtij programi, studentët pajisen me “Diplomë profesionale” në fushën e Eficiencës Energjetike dhe mund të zgjedhin të vijojnë në tregun e punës apo të transferojnë studimet e tyre në një program tjetër bachelor. Të diplomuarit, mund të punojnë në të gjitha ato kompani apo institucione ku këto çështje janë të rëndësishme, pra sipërmarrjet e ndërtimit, impiantistikës, prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme, por dhe të asistojnë në institucione arsimore ku teoritë mund të lidhen me pjesën aplikative apo laboratorike Elvan Dajko thotë që ky program i drejtohet kryesisht maturantëve, nga shkolla të mesme të përgjithshme, por dhe shkolla profesionale. “Në çdo rast duke qenë se ka një fokus aplikativ, pra të trajnimit dhe përgatitjes teknike e profesionale, mund të jetë një mundësi e mirë për këdo që do të integrohet në tregun e punës në fusha që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me eficiencën energjetike”, sqaron ai. Arsimi profesional, është një fushë e cila pritet të marrë një zhvillim të ri këto kohë me vëmendjen që po i kushtohet nga politikat e qeverisë dhe disa nismave të institucioneve arsimore.