Dokumentet e rrjedhura, duke përfshirë 2 trilionë dollarë amerikanë të transaksioneve kanë zbuluar se si kriminelët janë “lejuar” t’i transferojnë paratë e pista nëpër botë. Sipas BBC, ato gjithashtu tregojnë se si oligarkët rusë i kanë përdorur bankat për t’ju shmangur sanksioneve që supozohej t’i ndalonin ata të merrnin paratë e tyre në vendet e Perëndimit. Ato janë të fundit në një varg rrjedhjesh gjatë pesë viteve të fundit që kanë ekspozuar marrëveshje të fshehta, pastrim parash dhe krim financiar.
Çfarë janë dosjet FinCEN?
Siç shkruan BBC, Dosjet FinCEN janë më shumë se 2,500 dokumente, shumica e të cilave ishin skedarë që bankat u dërguan autoriteteve amerikane midis 2000 dhe 2017. Ato ngrenë shqetësime për atë që klientët e tyre mund të bëjnë. Këto dokumente janë disa nga sekretet më të ruajtura të sistemit bankar ndërkombëtar. Bankat i përdorin ato për të raportuar sjellje të dyshimta, por ato nuk janë provë e keqbërjes ose e krimit. Ata u zbuluan në Buzzfeed News dhe u ndanë me një grup që bashkon gazetarë hulumtues nga e gjithë bota, i cili i shpërndau ato në 108 organizata të lajmeve në 88 vende, përfshirë programin Panorama të BBC. Qindra gazetarë kanë kërkuar në dokumentacionin e dendur, duke zbuluar disa nga aktivitetet që bankat do të preferonin që publiku të mos dinte.
Dy akronimet të cilat duhet t’i dimë?
FinCEN njihet si Rrjeti i Hetimit të Krimeve Financiare me bazë në SHBA. Këta janë njerëzit në Thesarin e SHBA-së që luftojnë krimin financiar. Raportet e dyshimta të veprimtarisë ose ndryshe SAR, janë një shembull se si regjistrohen këto shqetësime. Një bankë duhet të plotësojë një nga këto raporte në rast se has nën dyshimin se një nga klientët e saj bën veprimtari të dyshimta.
Pse ka rëndësi kjo?
Nëse po planifikoni të përfitoni nga një ndërmarrje kriminale, një nga gjërat më të rëndësishme për të bërë diçka të tillë është një mënyrë për pastrimin e parave. Pastrimi i parave është procesi i marrjes së parave të pista – të ardhurat nga krime të tilla si tregtia e drogës ose korrupsioni – dhe vendosja e tyre në një llogari në një bankë të respektuar që nuk është e lidhur me krimin. I njëjti proces, për shembull është i nevojshëm edhe nëse jeni një oligark rus, ndaj të cilit vendet perëndimore kanë vendosur sanksione për t’ju ndaluar dërgimin e parave tuaja në Perëndim. Në shkrimin e BBC thuhet se bankat supozohet se sigurohen që ata nuk i ndihmojnë klientët të pastrojnë para ose t’i “lëvizin” ato në mënyra që thyejnë rregullat. Megjithatë, sipas ligjit, ata duhet të dinë se cilët janë klientët e tyre – nuk mjafton të regjistrojnë SAR dhe të vazhdojnë të marrin para të pista nga klientët ndërsa presin që autoritetet të merren me problemin. Nëse kanë prova të veprimtarisë kriminale, ata duhet të ndalojnë lëvizjen e parave të gatshme. Fergus Shiel nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hetues (ICIJ) tha se dosjet e zbuluara ishin një “pasqyrë në atë që bankat mund të dinë për flukset e mëdha të parave të pista në të gjithë globin”.
Çfarë është zbuluar?
BBC shkruan se Banka britanike, HSBC lejoi që klientët e saj të transferonin miliona para të vjedhura nëpër botë edhe pasi mësoi nga hetuesit amerikanë për këtë veprimtari. Gjithashtu, bëhet e ditur se JP Morgan lejoi që klienti i saj i cili zotëronte një kompani të zhvendoste më shumë se 1 milion dollarë në Londër pa e ditur se kush e zotëronte atë. Banka më vonë zbuloi se kompania mund të ishte në pronësi të një mafiozi në listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së. Edhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, thuhet se përdori Bankën Barclays në Londër për t’ju shmangur sanksioneve që ishin vendosur kundër tij. Një pjesë e parave të gatshme u përdorën për të blerë vepra arti. Veç këtyre, Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe dështoi të vepronte sipas paralajmërimeve në lidhje me një firmë lokale e cila po ndihmonte Iranin të shmangte sanksionet. Për më tepër, Deutsche Bank lejoi zhvendosjen e parave të pista nga njerëzit si pjesë e krimit të organizuar, nga terroristët si dhe nga trafikantët e drogës. E Standard Chartered “zhvendosi” para për Bankën Arabe për më shumë se një dekadë pasi llogaritë e klientëve në bankën jordaneze ishin përdorur në financimin e terrorizmit. Por sipas BBC, përcjell Telegrafi, vitet e fundit ka pasur një numër të rrjedhjeve të mëdha të informacionit financiar, duke përfshirë:
Paradise Papers 2017 – Një grumbull i madh dokumentesh të rrjedhura nga një ofrues i shërbimit ligjor Appleby dhe ofruesi i shërbimeve të korporatave Estera. Të dy operuan së bashku me emrin Appleby derisa Estera u bë e pavarur në 2016. Ata zbuluan marrëdhëniet financiare offshore të politikanëve, të famshmëve dhe udhëheqësve të biznesit.
Panama Papers 2016 – Dokumentet e zbuluara nga firma ligjore Mossack Fonseca treguan më shumë se si njerëzit e pasur po përdornin regjimet e taksave offshore për përfitimet e tyre.
Swiss Leaks 2015 – Dokumentet nga banka private zvicerane e HSBC treguan se si po përdorte ligjet e sekretit bankar të vendit për të ndihmuar klientët të shmangin pagimin e taksës.
LuxLeaks 2014 – Mbante dokumente nga firma PricewaterhouseCoopers që përcakton kompaninë dhe përdorimin e marrëveshjeve të tatimit në Luksemburg për zvogëlimin e shumave që duhen paguar.
Pastrimi i parave
FinCEN, miku i Putinit pastroi miliona dollarë përmes bankës Barclay
Një nga miqtë më të ngushtë të Vladimir Putinit mund të ketë përdorur Barclays Bank në Londër për të pastruar para dhe për të shmangur sanksionet, sugjerojnë dokumentet e rrjedhura. Sipas BBC, bëhet fjalë për miliarderin Arkady Rotenberg, i cili thuhet se e ka njohur presidentin rus që nga fëmijëria. Kufizimet financiare, ose sanksionet, u vendosën ndaj Rotenberg nga SHBA dhe BE në vitin 2014, që do të thotë se bankat perëndimore mund të përballen me pasoja serioze nëse kanë bërë biznes me të. Por Barclays thotë se përmbushi të gjitha detyrat ligjore dhe rregullatore, shkruan më tej BBC. Një rrjedhje e dosjeve konfidenciale – “raportet e dyshimta të veprimtarisë” së bankave – zbulojnë se si kompanitë që besohet të kontrollohen nga z. Rotenberg mbanin llogaritë sekrete. Dokumentet, të njohura si Dosjet FinCEN, janë parë nga programi Panorama i BBC.
Rrethi i brendshëm
Në mars të vitit 2014, SHBA goditi Rusinë me sanksione ekonomike pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë. Departamenti i Thesarit e konsideroi z. Rotenberg, 68, dhe vëllain e tij Boris, 63, “anëtarë të rrethit të ngushtë të udhëheqjes ruse”. Dyshja ishin mësuar dhe stërvitur në të njëjtën palestër xhudoje sikurse Putini, kur ishin të rinj. Në vitet e fundit, kompanitë e Arkady Rotenberg ndërtuan rrugë, një tubacion gazi dhe një stacion elektrik përmes kontratave të dhëna nga shteti rus. Thesari i SHBA-së tha se vëllezërit “ofruan mbështetje për projektet e përkëdhelura të Putinit” dhe “bënë miliarda dollarë kontrata për Gazprom dhe Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit dhënë atyre nga Putini”. Ndërkohë, në vitin 2018, SHBA shtoi djalin e Arkady Rotenberg, Igor në listën e saj të individëve të sanksionuar, shkruan BBC. Qëllimi i sanksioneve është që të shkëputen personat me emër nga i gjithë sistemi financiar perëndimor. Megjithatë Rotenbergs duket se kanë qarkullimin, lëvizjen e parave në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.
Arti dhe pastrimi i parave
Në vitin 2008, Barclays hapi një llogari për një kompani të quajtur Advantage Alliance. Dokumentet e zbuluara tregojnë se kompania qarkulloi 60 milionë funte midis 2012 dhe 2016. Shumë nga transaksionet ndodhën pasi ishin sanksionuar vëllezërit Rotenberg. Në korrik të këtij viti, një hetim nga Senati i SHBA-së akuzoi Rotenbergs për përdorimin e blerjeve sekrete të artit të shtrenjtë për të shmangur sanksionet – një nga kompanitë e përfshira në skemë ishte Advantage Alliance. Hetuesit amerikanë arritën në përfundimin se kishte prova të forta se Advantage Alliance ishte në pronësi të Arkady Rotenberg dhe se kompania kishte përdorur llogarinë e saj në Barclays në Londër për të blerë miliona dollarë arti për të. Një raport shënoi se si “fshehtësia, anonimati dhe mungesa e rregullimit krijojnë një mjedis të pjekur për pastrimin e parave dhe shmangien e sanksioneve”. Shtëpitë e ankandit në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar nuk arritën “të bëjnë pyetje themelore në lidhje me blerësit e artit”. Pavarësisht sanksioneve, Arkady duket se ka paguar 7.5 milionë dollarë për të blerë pikturën e René Magritte, La Poitrine. Më 17 qershor të vitit 2014 një kompani e lidhur me Arkady dërgoi paratë e gatshme nga Moska në llogarinë e Alliance në Barclays në Londër. Të nesërmen Barclays i dërgoi paratë shitësit në New York.
Mbyllja e llogarisë
Në prill të vitit 2016, Barclays filloi një hetim të brendshëm të llogarive të shumta që dyshonte se ishin të lidhur me Rotenbergs. Gjashtë muaj më vonë, banka mbylli llogarinë e Advantage pasi u shqetësua se po përdorej për të qarkulluar fonde të dyshuara. Por raportet e dyshimta të aktivitetit (SAR) të zbuluara tregojnë se llogaritë e tjera të Barclays me lidhje të dyshuara me Rotenbergs mbetën të hapura deri në vitin 2017. Një kompani e tillë ishte Ayrton Development Limited.
Sipas dosjeve, Barclays ishte dyshues për aktivitetet e Ayrton dhe arriti në përfundimin se “[Arkady] Rotenberg është pronari i vërtetë i Ayrton”. Barclays nuk komentoi kur u pyet nga Panorama rreth asaj se sa llogari dyshonte se ishin në pronësi të Rotenbergs.
Një zëdhënës i Barclays tha: “Ne besojmë se ne kemi respektuar të gjitha detyrimet tona ligjore dhe rregullatore, përfshirë edhe në lidhje me sanksionet e SHBA-së”. Rotenbergs nuk pranuan të komentojnë. Dosjet FinCen është një rrjedhje e dokumenteve sekrete të cilat zbulojnë se si bankat kryesore kanë lejuar para të pista në të gjithë botën. Ato gjithashtu tregojnë se si Mbretëria e Bashkuar është shpesh lidhja e dobët në sistemin financiar dhe si Londra është e mbushur me para të gatshme ruse. Dosjet u morën nga BuzzFeed News që i ndau ato me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativ (ICIJ) dhe 400 gazetarë në të gjithë botën. Panorama ka udhëhequr kërkimet për BBC.
Fenomen global
FinCEN: Skandalet e Deutsche Bank
Sërish banka gjermane “Deutsche Bank” është në krye të renditjes: 62% e të gjitha njoftimeve të zbuluara tanimë e që kanë në qendër dyshimet e Ministrisë së Financave të SHBA lidhen me një emër – Deutsche Bank. Pas shkurtesës FinCEN qëndron “Financial Crimes Enforcement Network”. Ky është një departament i Ministrisë së Financave të SHBA, përgjegjës për luftën kundër larjes së parave dhe kriminalitetit të organizuar. Një konsorcium ndërkombëtar gazetarësh investigativë, ICIJ ka bërë për 16 muaj me radhë vlerësimin e dokumenteve të FinCEN, që kanë rënë dorë të gazetarëve. Më shumë se 400 gazetarë nga 88 vende kanë marrë pjesë në këtë vlerësim. Të dhënat e dala nga FinCEN i janë dorëzuar njëherë medias amerikane BuzzFeed News.
Lum parash të pista
Investigimet bazohen te raportime të brendshme të bankës për transaksione financiare të dyshimta, të ashtuquajtura “Suspicious Activity Reports”, shkurt SAR. Ato nuk janë patjetër provë për veprime kriminale. Më shumë raportimet lidhen me rregullin që të gjitha bankat që veprojnë në SHBA duhet t’i bëjnë të ditura dyshimet e tyre te Ministria e Financave. Nëse nuk e bëjnë atëherë ato penalizohen. Nga vitet 1999-2017 të ngarkuarit e bankës për pajtueshmërinë me rregullat njoftuan për transaksione të dyshuara në vlerë prej 2 bilionë dollarësh. Më shumë se gjysma, 1,3 bilionë lidhej me Deutsche Bank. Kjo nuk është hera e parë që banka gjermane bie në sy. Në vitin 2015 banka më e madhe gjermane ra në ujdi për një gjobë prej 258 milionë dollarësh për shkelje të sanksioneve amerikane, sepse në vitet 1999-2006 kishte transferuar në emër të klientëve iranianë, libianë, sirianë, burmesianë e sudanezë afër 11 miliardë dollarë. Hetuesit amerikanë e akuzuan bankën për transaksione jotransparente për të fshehur shkeljen e sanksioneve të klientëve të tyre. Një zëdhënëse e bankës tha atëherë, se “janë pezulluar të gjitha veprimet me partnerë nga vendet e prekura.”
Pjesëmarrje në transferta të dyshuara parash
Investigimet e ICIJ të bëjnë të mendosh, që Deutsche Bank edhe pas vitit 2015 ka lëvizur para të personave apo firmave me sfond të paqartë, mes tyre gjendet edhe tregtari iranian i floririt, Reza Zarrab dhe rrjeti i tij. Zarrab u arrestua në mars të vitit 2016 në SHBA dhe u shpall fajtor për ndihmë ndaj Iranit. Në këtë rast duket se ka luajtur rol filiali i Deutsche Bank në SHBA, Trust company Americas, TCA. Në mars 2017 ajo e raportoi dyshimin tek institucioni amerikan, FinCEn. Në raport thuhet, se janë transferuar 28 milionë dollarë në emër të Nadis Döviz, një firmë që është e provuar që ka lidhje me Reza Zarrab, aktive në tregun e arit. Zarrab atëkohë ishte i arrestuar dhe ndërkohë zhvilloheshin hetime kundër Nadir Döviz. Në raportin e filialit të Deutsche Bank në SHBA, TCA thuhet se “ky dyshim raportohet, sepse transaksionet vijnë nga një vend me rrezik të lartë (fjala është për Turqinë, shën i red.) ka pasur disa transferta të mëdha në shuma të rrumbullakosura në dollarë dhe në bazë të të dhënave nuk është i kuptueshëm një qëllim komercial.”