Aktualitet

Ekonomia, në rënie dramatike, varfëria kap gati gjysmën e popullsisë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 27/08/20 |
mapo.al

Vlerësimet e Bankës Botërore, për ekonominë shqiptare, parashikojnë një rënie me 11 pikë përqindje të ekonomisë shqiptare që e çon nivelin e rritjes ekonomike në -9% përgjatë vitit 2020. Gati gjysma e popullsisë së vendit, zhytet në varfëri. Për ekspertët, kjo është një situatë katastrofike, duke pasur parasysh, borxhin që ka kapërcyer shifrën e 80 %, falimentimin e mijëra bizneseve, mungesën e investimeve apo dhe vitin 2021 që fillon si vit elektoral. Akoma më e zymtë bëhet situata në rast se do përjetojmë në vjeshtë një rimbyllje të ekonomisë të imponuar nga shifrat.





Vlerësimet e një raporti të Bankës Botërore, pas kërkesës për 80 milionë euro borxh nga ana e qeverisë shqiptare, thonë se rënia ekonomike për vitin 2020 do shkojë në shifrat e – 9% nga – 7% që ishte vlerësimi fillestar. Kjo do të thotë se gati gjysma e popullsisë, rreth 40% e saj do zhytet në nivelin e të ardhurave prej 5.5 dollarë ditë që është dhe niveli zyrtar i varfërisë. “Ngrirja e një pjese të madhe të ekonomisë gjatë pandemisë ka zhytur Shqipërinë në recesion, duke çuar në një rivlerësim tonin me ulje për rritjen ekonomike, me më shumë se 11 pikë përqindje për 2020-n”. Sipas raportit, kriza do rrisë borxhin në mbi 80 për qind të prodhimit kombëtar. “Kriza do të rrisë borxhin publik mbi 80% të prodhimit kombëtar dhe në këtë kontekst kërkohen reforma të thella për të rritur kapacitetet e mbledhjes së taksave dhe për të ndërtuar hapësira fiskale në mënyrë që borxhi të ulët”, thuhet në raport.


Kriza





Por çfarë do të thotë një rënie e ekonomisë me 11 pikë përqindje, pasi këtu llogaritet dhe humbja e rritjes ekonomike prej 2 përqindësh. Ekspertët mendojnë se rënia mund të jetë dhe më e madhe ndërsa sqarojnë për MAPO se një rënie e tillë për vendin tonë është katastrofike dhe nuk mund të ketë vend për optimizëm. Shifrat e verës kur mendohej një ndryshim i situatës nuk ishin fort premtuese, turizmi i munguar, mungesa e likuiditeteve nga ana e biznesit, shkurtimi i vendeve të punës, rrezikojnë të sjellin një krizë të madhe në muajt në vazhdim. “Një rënie prej 11 pikë përqindje, do të thotë se jemi në situatë katastrofike që do ndihet akoma më shumë me mbylljen e sezonit veror. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak se thellim të mëtejshëm të varfërisë, falimentim në masë të bizneseve dhe humbje e vendeve të punës në muajt e vjeshtës”, shprehen ekspertët. Por më së shumti ata i druhen një mbylljeje tjetër, si ajo që provuam në muajt mars-prill dhe gjysmën e majit. “Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të lutemi që shifrat e pandemisë mos na imponojnë një mbyllje tjetër, pasi mund ta themi me plot gojën se ky do ishte falimentimi përfundimtar jo vetëm i bizneseve por dhe i familjeve shqiptare”, shprehen ata.



Viti 2021


Por situata nuk tregon optimizëm as për vitin 2021. Hendeku i shkaktuar në ekonomi është tejet i madh, ndërkohë që viti tjetër nis si vit elektoral. “Imagjinoni një moment, ne kemi një rritje ekonomike jo më shumë se 2 apo 2.5 pikë përqindje në vit. Me çfarë do zëvendësohet humbja. Nuk ka investime, nuk ka shpërndarje të ardhurash. Duhet pasur parasysh se viti i ardhshëm është një vit elektoral, dhe dihet sjellja e pushtetit në këto raste. Pra, humnera ekonomike është e pashmangshme”, shprehen ekspertët. Projeksionet variojnë sipas disa skenarëve, nga më optimisti që merr në konsideratë rikuperimin me një rritje 8% të ekonomisë vitin që vjen, te më pesimisti, i cili parashikon që efektet e pandemisë në rikuperim do ndikojnë negativisht përtej pesë viteve, ku zinxhirët e furnizimit do mbeten të përçara dhe produktiviteti shënon ulje sistematike, ka të ngjarë që të ndodhë projeksioni i dytë. Muaji prill i këtij viti sipas statistikave shënoi dhe goditjen më të rëndë ku 60 mijë persona humbën punën.

Bizneset

Revista “Monitor” raporton se vetëm për periudhën maj-korrik, bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv në Tiranë, është 54 % më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në 2 javët e para të korrikut, subjektet që kërkuan të pezullonin aktivitetin ishin dy herë më të larta se një vit më parë, ndikuar dhe nga sezoni i dobët turistik. Bizneset e mbyllura, përqendrohen në Qarkun e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Më të prekur nga kriza janë subjektet e reja, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë, siç pohojnë edhe vetë sipërmarrësit. “Monitor” zhvilloi një anketim me disa prej subjekteve që kanë kaluar në status pasiv, bazuar në një përzgjedhje rastësore të listës së përditësuar nga tatimet, ndërkohë që ekspertët parashikojnë se ky numër do të rritet akoma në muajt e vjeshtës.

“Banka Botërore ka rivlerësuar goditjen që do të japë në ekonominë shqiptare pandemia e COVID-19. Sipas ekspertëve të bankës, mendohet se recesioni këtë vit do të jetë më i lartë se 9%, ndërsa varfëria mund të rritet me 2 deri në 5 pikë përqindje, çka do të bëjë që afërsisht 40% e popullatës të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.”

Vlerësimet dalin në një raport të posaçëm të bërë nga Banka Botërore, pas kërkesës së qeverisë shqiptare për të marrë një kredi të butë me vlerë 80 milionë dollarë nga ky institucion, e cila do të shërbejë si mbështetje buxhetore për forcimin e mbledhjes së taksave, frenimin e rritjes së kredive me probleme si pasojë e pandemisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe amortizimin e risqeve të rritjes së borxhit publik.

Në raportin rajonal të botuar në fund të muajit Prill, Banka Botërore vlerësoi se tkurrja e ekonomisë shqiptare do të ishte në skenarin më negativ -7%, ndërsa tashmë e ka ulur në -9% duke e barazuar me parashikimin e bërë nga BERZH.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas