Nga Ndriçim Kulla
Pavarësisht se situata në të cilën ndodhemi na ka vendosur përpara prova të mëdha zjarri në lidhje me demokracinë, përsëri është e rëndësishme dhe strategjike për t’u diskutuar raporti i të sotmes shqiptare me të ardhmen integruese europiane. Në këtë kuptim, del më e qartë se ç’lloj vizioni kemi nevojë të na ofrojë politika dhe zgjedhjet apo fushatat që ajo organizon. Se si duhet interpretuar kjo lidhje dhe ç’drejtim do të qe më i duhuri për të arritur që ajo të forcohet sa më shpejt, ka qenë gjithmonë një prioritet i politikës, por shumë pak ajo është trajtuar nga pikëpamja filozofiko-sociologjike. Aq më tepër që pesha e zgjidhjes dhe sugjerimi duhet patjetër t’i takojë asaj. Kjo është pengesa më e madhe e zgjidhjes së probleme shqiptare. Asnjëherë politika nuk di të marrë ndihmë nga burimi i vetëm që jep zgjidhje: filozofia. Ajo bën gjithmonë gabim, pasi nuk sheh në mënyrë perspektive, por legjislative, në kuptimin që sheh vetëm për kohëzgjatjen e legjislaturës kur është në fuqi. Për ta shkoklavitur një ngërç të tillë dijet që na vijnë nga shkencat sociale janë një domosdoshmëri.
Një ndihmesë të madhe në këtë shqyrtim na jep një libër i famshëm i Zigmunt Baumanit me titull “Sikleti i postmodernitetit”. Duke perifrazuar një sprovë të njohur të Frojdit, me titull “Sikleti i qytetërimit”, autori shkruan se parimi i realitetit në epokën moderne kishte mbizotëruar mbi parimin e kënaqësisë. Njeriu modern, sipas Frojdit, kishte shkëmbyer kështu një pjesë të lumturisë së vet për pak më shumë siguri. Sot, përcakton Bauman, është përsëri parimi i kënaqësisë ai që është kthyer edhe një herë tjetër dominues. Liria e skajshme personale dhe parimi i mbizotërimit të kënaqësisë i nxisin njerëzit postmodernë të provojnë ndjesi gjithmonë të reja e të ndryshme. Ky kërkimi spazmodik arrin të shkatërrojë çdo mur dhe çdo lloj rregulli social, duke përfshirë këtu edhe atë mbrojtje sociale të garantuar nga sistemi apo atë minimum dinjiteti të shtresave më të varfra.
Në këtë kuptim, për Bauman, liria duhet të jetë gjithmonë një liri sociale, ashtu siç mund të thuhet edhe për të drejtat e njeriut që janë një projekt i gjithë shoqërisë. Për këtë arsye, një projekt politik postmodern do të duhet të frymëzohet nga parimi i trefishtë i lirisë, diferencës dhe solidaritetit. E lidhur ngushtë me këtë koncept të lirisë është dhe reflektimi i autorit mbi procesin e integrimin europian. Për herë të parë, shpjegon ai duke cituar Galbraith, në fillim të shekullit të ri në vendet perëndimore zgjedhësit parapëlqyen një politikë që favorizonte rritjen e pabarazisë sociale. Për rrjedhim, këtë fytyrë të Europës nisën ta njohin më mirë qytetarët e vendeve postkomuniste. Një Europë egoiste, jo mikpritëse ndaj vëllezërve të tyre të Lindjes dhe Ballkanit, të gatshme të heqë dorë nga politika e solidaritetit me bindjen e pasojave mirëbërëse të një tregu pa rregulla. Duke analizuar rrugëtimin e vendeve postkomuniste, ai i përcakton ato si “ekonomi politike të durimit”, pasi në thelb, gjatë këtyre dekadave, lirisë së fituar nuk iu shoqëruan lumturia dhe mirëqenia e individëve të këtyre shoqërive. Është pikërisht durimi virtyti nëpërmjet të cilit do të duhej të kapërcehej pasiguria e punës dhe varfëria pllakuese, në shkëmbim të mirëqenies së të ardhmes. Mirëpo, Bauman i fton europianët e Lindjes dhe Ballkanit të ndjekin si vijë udhëheqëse parimin e “ekonomisë politike të shpresës”; kjo ekonomi nënkupton faktin që “ndërgjegjja e konsideron bazike jo vetëm shpejtësinë e ndryshimeve, por edhe drejtimin e tyre”. Për këtë arsye Bauman këshillon rikthimin te politika dhe te ndërtimin i shoqërisë sipas një drejtimi të vendosur kolektivisht e të verifikuar në zhvillim e sipër. Të kesh durim, sipas tij, do të thotë të pranosh pa dyshime se liria dhe pabarazia provojnë një rezultat më të mirë nga ai që prodhuan në vite regjimet komuniste. Ndërsa të kesh shpresë nënkupton të pyesësh se deri në ç’pikë pabarazia gjithnjë në rritje arrin të prodhojë fryte të njëjta. Për Baumanin, ekonomia politike e shpresës që i ka të gjitha mundësitë të zhvillohet në vendet e Lindjes, do të duhet të përfaqësojë edhe një shpresë-shembull për të gjitha demokracitë europiane. Nëse të kënaqurit me pabarazinë janë ende shumicë në Perëndim, bashkudhëtarë të iluzionit se ajo arrin të sjellë mirëqenie dhe pasuri, atëherë vitaliteti i demokracisë do të jetë gjithmonë në rrezik, pasi kështu ajo priret të shndërrohet në një rutinë procedurale. Në një vend si Shqipëria ku në pikëpyetje është jo vetëm demokracia, por edhe “ekonomia e durimit”, ku pabarazia është lufta më e madhe që Shqipëria mund të ketë në të ardhmen e saj integruese, bëhet gjithnjë e më urgjente drejtimi i të gjithë programit tonë politiko-shoqëror të së sotmes shqiptare kah “ekonomisë së shpresës”, sepse ashtu siç thekson autori, do t’i jepnim kështu edhe një rinovim thelbësor jo vetëm demokracisë sonë, por edhe gjithë sistemit tonë në vend.