Treguesit e ekonomisë vijojnë të përkeqësohen. Rezultati: Shqipëria është e fundit në rajon sa i takon rritjes ekonomike. Qeveria ka dështuar në ndërmarrjen e reformave dhe mungesat po i mbush me propagandë e konflikte politike. Të gjithë sektorët e ekonomisë po vuajnë nga mungesa e vizionit dhe korrupsioni. Flasin për MAPO Ornela Liperi, Arben Malaj dhe Ilir Ciko.
Ekonomia shqiptare është në ngadalësim. Ngërçin e saj e konfirmon realiteti, shifrat dhe parashikimet e bëra si nga brenda vendit ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Situata aspak e mirë nuk ka pse të na habisë në një realitet që e jetojmë përditë. Tashmë puna ka shkuar deri aty sa rritja jonë ekonomike të jetë tërësisht e varur nga dukuritë e natyrës. Mjafton që të kemi pak javë më shumë me diell dhe … rritja ekonomike përgjysmohet. Rënia e prodhimit të energjisë thotë INSTAT. Të njëjtën gjë e përsërisin edhe institucionet ndërkombëtare. Në fakt kjo përbën vetëm majën e ajsbergut. Kjo është thjesht pamja sasiore, është matematikë, në një kohë që ekonomia e vendit është shumë më tepër se aq. Ekonomia është edhe menaxhim, është edhe sjellje. Të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Me realitetin e saj ekonomia shqiptare ngjan me një ekonomi në stadin e zhvillimit të hershëm natyror, ku qeverisja dhe planifikimi njerëzor kanë shumë pak rol. Por jo vetëm aq. Medalja ka edhe anën tjetër: njerëzit që e qeverisin atë, ata që e menaxhojnë, shpesh jo vetëm që nuk e ndihmojnë zhvillimin e saj, por ata me veprimet e tyre bëhen pengesë për të. Ky nuk është thjesht konstatim, për fat të keq ky është realiteti.
Mjafton një kalim i shpejtë i shikimit në disa nga sektorët dhe treguesit bazë të ekonomisë për të kuptuar ca të vërteta të hidhura. E para bujqësia. Gjashtë apo shtatë vjet më parë kur të majtët erdhën në pushtet, shpalosën pikë së pari një hartë me ngjyra, sipas të cilës prodhimi bujqësor do të rajonalizohej. Diçka e padëgjuar deri më atëherë. Të krijonte përshtypjen se qeveria po e merrte seriozisht këtë punë.
Pa kaluar shumë muaj në pushtet harta përfundoi së bashku me ngjyrat dhe tenderat e saj 3D në kushedi se çfarë sirtari apo dollapi zyre. U harrua. Në realitet bujqësia pati të njëjtat përmbytje, pati po aq në mos më shumë mungesa tregu, pati po aq apo mos më shumë premtime për fonde që përfitohen gjithmonë shumë herë më pak se sa thuhen, pati e çfarë nuk pati. Po çfarë bëri qeveria? Sigurisht që e bëri të veten. Ushqeu ata fermerë të etur për fitim në kurriz të shëndetit të qytetarëve, duke e lënë pothuajse të lirë importin e hormoneve dhe pesticideve të ndaluara. Kështu mëtohet të jetë rritur prodhimi bujqësor e blegtoral në të njëjtin raport me rrezikun për shëndetin.
Burimet natyrore. Ja vlen të shikosh edhe atë që ndodh me burimet e tjera natyrore të këtij vendi. Lodhemi shumë duke thënë se vendi është i pasur me to. Por sa të pasur aq edhe të papërgjegjshëm me shfrytëzimin e tyre. Duke qenë të shumta nuk është vendi për t’i renditur të gjitha, por mjafton të shohim atë më të rëndësishmen, naftën. Për të mos përmendur të gjithë bëmat vlen vetëm një shifër: nga e gjitha ajo që është nxjerrë nga nëntoka në rreth 30 vjet përfitimi si rentë natyrore në naftë është vetëm 0.2 për qind e të gjithë prodhimit. Grabitje e pamëshirshme! Që përsëritet me shifra të përafërta për kromin, bakrin, pyjet, ujërat e me radhë.
Energjia. Ka një fakt interesant, mbi 30 për qind e energjisë elektrike që hidhet në rrjet prodhohet nga hidrocentralet e vegjël. Ka patur një furtunë mediatike kundër tyre, kur socialistët ishin në opozitë. Kur erdhën në pushtet jo vetëm që i miratuan lejet e dhëna por edhe shtuan dhe të tjera mbi to. Dhe mirë bënë, pasi mendoni sikur të mos ishin edhe ata në prodhim, se në çfarë krize energjetike do të ishim dhe se sa më e madhe do të ishte rënia ekonomike. Kjo nuk do të thotë aspak që HEC-et në Valbonë janë një domosdoshmëri. E kundërta është e vërtetë. Por si në gjithë rastet e tjera edhe koncensionet në HEC-e janë ndërmarrë pa ndonjë studim. Punë pa asnjë plan.
Infrastruktura. Një ekonomi moderne kuptohet vetëm me një infrastrukturë të zhvilluar. Këtu roli i qeverisë është parësor. Ka më shumë se gjashtë vjet që modeli kryesor i zhvillimit në to, ashtu si edhe për shërbimet ka qenë modeli i partneritetit publik e privat, të mirënjohurat PPP. Aq shumë është tepruar me to saqë tashmë po të përmendësh këtë partneritet duket direkt sikur thua diçka të keqe. Por nuk e ka pësuar vetëm modeli. Kjo do të qe një e keqe e papërfillshme. Të dëmtuara në palcë janë investimet dhe ekonomia në përgjithësi. Tre dështimet më të fundit: projekti i rrugës Thumanë Kashar, i Unazës së re në Tiranë dhe i tunelit të Kardhiqit në aksin për në Sarandë, përveç zhurmës dhe përplasjeve të mëdha, brenda e jashtë qeverisë, i kanë stopuar ndërtimet e këtyre veprave që në fund të fundit janë një nevojë e madhe e ekonomisë. Përveç investimit në rrugën e Arbrit ku po punohet, kantieret e tjera janë në pritje, një pritje që zgjat me muaj e vite.
Një pamje paradoksale sjell ndërtimi. Kullat miliona euro që kanë pushtuar Tiranën, por edhe qytete të tjera, ende nuk janë shfaqur të gjitha. Shumë prej tyre janë në fazën e gropës. Pamja e pjesshme e shfaqur me skelat që ngrihen ende nuk është e plotë, por ajo që dihet është se kredia për sektorin ka qenë në rënie. Duket si paradoks që patjetër e ka një shpjegim. Një shpjegim që duhet kërkuar tek kompanitë e reja të cilat e nisin vitin me 1 milion lekë të vjetra, për ta mbyllur atë me miliona euro pasuri të paluajtëshme. Ndryshon vetëm në përmasa, por është diçka e ngjashme me informalitetin në Bathore apo Kënetën e Durrësit, tashmë i bërë me ligj. Pasojat dihen.
Turizmi. Nëse ka një sektor që po e mban të gjallë ekonominë është turizmi. Por mënyra se si ne sillemi me të është tipike ajo që nuk duhet të bëhet. Krenohemi me numrat në rritje të kosovarëve që frekuentojnë brigjet tona dhe harrojmë se kjo do të zgjasë deri në ditën që ata të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza. Nuk na shqetëson aspak fakti se janë shumë të paktë turistët që preferojnë të vijnë për së dyti. Dhe çfarë është më e bukura, kujtohemi vetëm në mes të sezonit se kemi informalitet. Aksionet fiskale në këtë sektor, vetëm sa pasurojnë gamën e aksioneve me mbështetje policore që sa i çudit edhe i tremb investitorët. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se kjo nuk është punë aksionesh.
Punësimi. Të gjithë ato që duan një punë e kanë bërë edhe një zgjidhje. Ikin në emigracion. Një plagë që ende nuk i ka dhënë efektet. E para, ekonomia në gjendjen që është sot gjeneron punësim deri në 5 mijë vende pune. Në vit dalin tre herë më shumë të rinj për punë. Diferenca shto të zhgënjyerit është në kërkim të azilit. Së dyti, pasojat do të ndihen tek pensionet, tashmë një gropë e zezë që merr mbi 500 milion euro në vit. Sado cinike që të duket këtu ka një shpresë: qeveria u ka krijuar lehtësi të huajve për të punuar në Shqipëri. A nuk jemi në një treg të hapur?
Lista mund të zgjatet edhe shumë më tepër. Korrupsioni, klima e biznesit, konkurenca e lirë, abuzimi me tenderat publikë, e mjaft fenomene të tjera nuk janë gjë tjetër vetëm se shprehje e një sjellje të papërgjegjshme. Aq mjafton për të kuptuar se jemi një ekonomi që ecën kuturu, zhvillohet rastësisht, në një realitet të padrejtë për shumicën e qytetarëve. Ndërkohë qeveria vijon të perfeksionojë edhe më tej metodën “kap ça të kapësh”. Një ekonomi mbijetese e quan profesori Arben Malaj. Një realitet që ka dalë zbuluar – thotë gazetarja Ornela Liperi. Anije që po fut ujë në hambarët e saj, e perifrazon profesori Ilir Ciko.
***
Ornela Liperi: 2019 nxori zbuluar aneminë e ekonomisë 
1. Sipas Bankës Botërore ekonomia shqiptare është në ngadalësim e sipër. Sa rol ka në këtë ngecje situata e acaruar politike që po kalon vendi?
Të dhënat e INSTAT që më herët treguan për një përgjysmim të rritjes ekonomike, nga mbi 4% në 6-mujorin e parë 2018, në 2.2-2.3% në pjesën e parë të këtij viti. Më shumë sesa me situatë politike, arsyeja e ngadalësimit lidhet me dy faktorë kryesorë. E para është rënia e prodhimit të energjisë elektrike që vitin e kaluar u nxit nga moti me reshje. E dyta lidhet me mbylljen e aktivitetit të lojërave të fatit, që qarkullonte mesatarisht rreth 140-150 milionë euro në vit. Të dy këta faktorë tregojnë se në fakt edhe në 2018-n, ne nuk kishim rritje ekonomike reale, por ajo ishte rastësore, e nxitur nga ndihma e fatit, që solli më shumë reshje në vend. Gjysma e parë e vitit 2019 thjesht nxorri zbuluar aneminë e ekonomisë. Një tjetër faktor që ndikoi në ngadalësim ishte dhe ngadalësimi i punimeve nga gazsjellësi TAP.
2. Në vlerësimin tuaj reformat e ndërmarra nga qeveria çfarë efekti kanë dhënë deri më tani në ekonomi. E thënë më në përgjithësi si po “qeveriset” ekonomia e vendit?
Në fakt ekonomia po ecën në mënyrë rastësore, ashtu siç ka ecur në fakt në të gjithë periudhën e tranzicionit. Nuk është se po shihet ndonjë reformë ekonomike që të stimulojë investimet. Deri tani vlera e lartë e investimeve të huaja, që i afrohet 1 miliard eurove ka qenë e nxitur nga projektet e mëdha në fushën e energjisë, si TAP dhe Devolli, që kanë sjellë më shumë se 60% të investimeve. Tashmë që këto po mbarojnë nuk duket në horizont asnjë projekt i madh dhe as investime në teknologji e vlerë të shtuar. Shqipëria vazhdon të ketë akoma si avantazh krahun e lirë të punës dhe të vetmet ndërmarrje që po hyjnë janë ato që paguajnë paga minimale për punonjësit. Ndërsa politikat e qeverisë vetëm sa kanë shtuar barrën për bizneset, përmes rritjes së taksave dhe aksioneve anti-informalitet, që në fakt nuk duket se po japin asnjë rezultat. Nga ana tjetër, rastet e fundit në anullimin e tenderave dhe dhënien e tyre afër vlerës tavan tregojnë se korrupsioni është rritur dhe mundësitë e bizneseve janë kufizuar, me përjashtim të një grupi të vogël që ka interesa afër qeverisë.
3. Rënia e konsumit, niveli i ulët i eksporteve, problemet e kreditimit, mungesa e investimeve private dhe të huaja tregojnë se ekonomia është përpara një problematike komplekse. A ka shanse të dilet shpejt nga kjo gjendje, apo parashikoni përkeqësim të mëtejshëm?
Është e vërtetë që ekonomia është përpara një situate kritike. Mbarimi i projekteve të mëdha pritet të nxjerrë zbuluar vendin. Kjo u pa edhe në korrik dhe gusht, ku përfundimi i aktivitetit të nënkontraktorëve të TAP bëri që të ardhurat nga TVSH e brendshme të binin me më shumë se 30% me bazë vjetore. Kredia në fakt ka shfaqur shenja gjallërimi, por ajo po nxitet dhe nga koncesionet, të cilat siç është deklaruar shumë herë janë të fryra dhe nuk i sjellin asnjë vlerë të shtuar ekonomisë. Fati i Shqipërisë këtë vit ishin turistët, që ndikuan në mbajtjen e konsumit në këmbë dhe amortizuan efektin që po jep në ekonomi ikja e popullsisë, sidomos asaj në moshë të re. Nga ana tjetër, edhe stimujt monetare e fiskalë pothuajse janë ezauruar tërësisht, duke na bërë pak optimistë se mund të dilet shpejt nga kjo situatë. Përkundrazi dhe parashikimet e institucioneve ndërkombëtare janë për një ngadalësim të ekonomisë.
4. Sipas jush cilat janë disa nga masat afatshkurtra që duhen ndërmarrë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe treguesit e ekonomisë?
Ulja e korrupsionit sidomos në tendera, stimulimi i konkurrencës në ekonomi, luftimi i evazionit, por tek të mëdhenjtë jo tek të vegjlit, do t’i jepnin ekonomisë pak frymëmarrje dhe do të çlironin likuiditet në afatin e shkurtër, në afatin e gjatë. Ka nevojë për reforma të thella strukturore (prona, mjedisi i biznesit, rritja e konkurrueshmërisë, produktivitetit), të cilat duhet të ishin ndërmarrë prej kohësh, por që çdo qeveri që vjen ka vizion afatshkurtër që të maksimizojë fitimet sa është në pushtet në mënyrë që të vijojë ta mbajë këtë pushtet sa më gjatë. Përsa kohë që nuk duket të kemi një qeveri të tillë vizionare, nuk ka asnjë shpresë që gjërat do të ndryshojnë, të paktën në afatin e shkurtër.
Arben Malaj: Reformat strukturore janë ngadalësuar 
1. Sipas Bankës Botërore ekonomia shqiptare është në ngadalësim e sipër. Sa rol ka në këtë ngecje situata e acaruar politike që po kalon vendi?
Progresi në rrugën e integrimit europian është një faktor pozitiv për vlerësimin për ekonominë Shqiptare. Ne po vetëngecim prap që nga takimi i Ramës me Merkel, asnjë veprim serioz politik nuk është bërë. Si mund të hapen negociatat? Kriza politike nuk është fjalë goje, por për një kohë relativisht të gjatë, mungon zgjidhja, nuk shihet asnjë përgjegjësi për të zbutur sadopak tensionet partiake dhe për të gjetur një pikë të re për integrimin europian.”
2. Në vlerësimin tuaj reformat e ndërmarra nga qeveria çfarë efekti kanë dhënë deri më tani në ekonomi. E thënë më në përgjithësi si po “qeveriset” ekonomia e vendit?
“Fajin nuk e ka të gjithë qeveria, por qeveria ka faj. Sepse votohet. Është struktura në kolonat shtetformuese e cila zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Ka të gjithë pushtetin që të bëjë reformat e duhura, që qytetari që voton, pas 4 viteve të jetë më mirë dhe jo në paqartësi.” “Në të gjitha raportet që kanë bërë kompanitë e reiting, një investitor që do të vijë në Shqipëri, ulet në tavolinë dhe janë disa kompani që bëjnë klasifikim e çdo vendi, që ky vend është i shëndetshëm nga pikëpamja ekonomike, por ka këto risqe dhe bëni kujdes.
3. Rënia e konsumit, niveli i ulët i eksporteve, problemet e kreditimit, mungesa e investimeve private dhe të huaja tregojnë se ekonomia është përpara një problematike komplekse. A ka shanse të dilet shpejt nga kjo gjendje, apo parashikoni përkeqësim të mëtejshëm?
Ulja është një paralajmërim serioz. Nuk na takon as neve dhe as qeveritarëve të justifikohen se kur nuk bie shi, Shqipëria do jetë në krizë. Në këtë aspekt, me qenë se nuk duhet të rrimë në varësi të shiut, aq më tepër që sektori jonë i energjisë është i bazuar 90 për qind në hidro, kishin kohë të mjaftueshme të gjitha qeveritë të bënin disa reforma që ekonomia shqiptare të ishte më konkurruese. Po të shikoni një raport të Bankës Qendrore Europiane pse bankat shqiptare nuk japin kredi, rezulton se shkak për këtë janë shkalla e lartë e korrupsionit dhe mungesa për shtetin ligjor, ose rasti i pronësisë. Këto janë elemente të rëndësishme. Tjetër, a e dimë ne si është sektori publik këtu? A e dimë si hiqen punonjësit, a e dimë që ka paqëndrueshmëri? Është një pjesë e rëndësishme e sektorit të ekonomisë. Nëse gjendemi keq dhe detyrohemi të bëjmë shkurtime në investime dhe shpenzime, dhe rrisim taksat, le të bëjmë atë që sot, të çlirojmë rritjen ekonomike. Nga të dhënat që kemi analizuar në BSH, nuk është vetëm ky tregues. Ne shikojmë bilancin e llogarisë koherente. Është rritur deficit. Rritja e deficitit do të thotë vrasje e rritjes ekonomike aq më tepër që bilanci tregtar, importet janë rritur me dy herë, eksportet kanë rënë, dhe njëkohësisht kredidhënia nga bankat shkon më shumë për konsum se për investim individual apo të biznesit, do të thotë që Shqipëria ka hyrë në një cikël të vështirë, në ciklin e mbijetesës. Ne kemi detyrim për bizneset, për qytetarin shqiptar, dhe më vjen keq që kolegët e partive politike që votohen, hezitojnë të shkojnë nëpër emisione dhe të komunikojnë drejtpërdrejt. Një nga reformat strukturore që të mos duken fjalë boshe për shqiptarët, është transparenca me të cilën qeveria komunikon me publikun. Duket fjalë, por ajo rrit optimizmin dhe kthen ekonominë në ekuilibra më shpejt se sa kur ka mungesë informacioni.”
4. Sipas jush cilat janë disa nga masat afatshkurtra që duhen ndërmarrë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe treguesit e ekonomisë?
Duhet një paqe sociale që politikanët tanë nuk janë gati ta bëjnë. Ta bëjnë shpirtërisht. Në vend që të zihen çdo ditë, e të gjejnë fjalët më të pista, të marrin përgjegjësi ta qeverisin vendin që është në pikën më të dobët, nuk po them më të keqe. Nëse do ndryshojë ambient i përgjithshëm social, do ketë premisa që të ketë më shumë fokus te reforma. Nuk duhet ta lëmë ekonominë tonë të jetë e varur nga faktorë sporadikë. Nga shiu apo ndonjë investim.” Shteti duhet të fitojë respektin e qytetarit që e voton. Dy rrugët më të mira janë arsimi dhe shëndetësia. Nëse për këto nuk ke reforma konkrete në momentin që qeveris, e ke të vështirë të marrësh respektin e qytetarit.
Ilir Ciko: Braktisja e vendit, një problem madhor për ekonominë 
1. Sipas Bankës Botërore ekonomia shqiptare është në ngadalësim e sipër. Sa rol ka në këtë ngecje situata e acaruar politike që po kalon vendi?
Pikësëpari, ngadalësimi i rritjes ekonomike nuk është thjesht një konstatim i Bankës Botërore, por një realitet i pritshëm, i paralajmëruar dhe për fat të keq, i prekshëm. Situata politike në vend, që prej kohësh është e zhytur në një spirale konflikti, sigurisht që ka kontributin e saj në uljen e pulsit të ekonomisë, edhe pse nuk duhet harruar që nuk është i vetmi faktor përcaktues. Konflikti politik, si proces me ngarkesa negative cënon sigurinë e të gjitha bizneseve – të huaja apo vendase, të vogla, të mesme apo të mëdha duke i shtyrë ato të vonojnë apo braktisin vendimmarrjet për kryerjen e investimeve në vend. Veçanërisht kompanitë e huaja që konsiderojnë investime në rajon, e kanë më të lehtë të zgjedhin vende të tjera kur shohin se Shqipëria zhytet në një kaos politik, institucional e shoqëror, gjë që patjetër sjell pasoja negative në ekonomi. Konflikti politik, i shprehur në format e dhunës në rrugë, pavarësisht kahut nga kjo vjen, bën që turistët të shmangin Shqipërinë kur lehtësisht mund të zgjedhin fqinjët tanë për të kaluar pushimet e natyrisht kjo ka ndikuar në sektorin e turizmit në vend. Konflikti politik shuan shpresat për të ardhmen dhe largon shqiptarët nga Shqipëria, rrit riskun e vendit dhe koston e kapitalit dhe natyrisht, zhvendos vëmendjen nga kryerja e reformave të domosdoshme për vendin.
2. Në vlerësimin tuaj reformat e ndërmarra nga qeveria çfarë efekti kanë dhënë deri më tani në ekonomi. E thënë më në përgjithësi si po “qeveriset” ekonomia e vendit?
Është thuaj e pamundur të identifikosh një trajektore të qartë e sistematike reformash ekonomike kur zbatimi i një strategjie të qëndrueshme dhe afatgjatë zëvendësohet rëndom nga reforma të pjesshme, spontane e madje edhe surprizuese për bizneset, me kthime prapa në kohë, me zëvendësime të shpeshta apo me pseudoreforma të konceptuara thjesht për të mbështetur përfitimet dhe interesat e pak grupimeve ekonomike që qëndrojnë pranë e pas politikës në vend. Pa përmendur këtu ndryshimet institucionale apo të kapaciteteve njerëzore në to. Prej përvojës së hidhur nga sistemi komunist ne ruajmë një lloj alergjie ndaj proceseve të planifikimit por edhe amerikanët e pranojnë që dështimi për të planifikuar është planifikim për të dështuar.
3. Rënia e konsumit, niveli i ulët i eksporteve, problemet e kreditimit, mungesa e investimeve private dhe të huaja tregojnë se ekonomia është përpara një problematike komplekse. A ka shanse të dilet shpejt nga kjo gjendje, apo parashikoni përkeqësim të mëtejshëm?
Për fat të keq e kam të vështirë të jem sadopak optimist mbi këtë gjendje e cila nuk mund të kapërcehet me javë apo muaj. Me gjithë problematikën ka të paktën dy sektorë të ekonomisë – turizmi dhe bujqësia – të cilët kanë patur prirje më pozitive gjatë viteve të fundit por pesha e tyre mbetet ende e kufizuar dhe për më tepër e pafuqishme për të ndikuar në zhvillimin e ekonomisë gjatë muajve të ardhshëm. Për të dalë nga ky qerthull Shqipëria ka nevojë akute për investime dhe këtu nuk kam parasysh vetëm investimet e mëdha apo të huaja nga një grusht kompanish, por krijimin e një ambienti të favorshëm ku të gjithë të ndihen të prirur për të investuar në vend.
4. Sipas jush cilat janë disa nga masat afatshkurtra që duhen ndërmarrë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe treguesit e ekonomisë?
Mendoj se problemi parësor e më kritik sot në Shqipëri është braktisja e vendit. Braktisja nga të rinjtë dhe shtresa e mesme, prej humbjes së shpresës, pabarazisë ekstreme dhe padrejtësisë në shpërndarjen e të mirave kombëtare, lodhjes e kalimit të viteve mes konflikteve e premtimeve të pambajtura të politikës. Braktisja nuk është aspak statistikë. Është rrezik real për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë në të gjitha dimensionet e mundshme, përfshirë edhe aspektin ekonomik me bizneset që hezitojnë të investojnë e ato që mbyllen çdo ditë, mungesën e fuqisë punëtore apo ndryshimet radikale në demografinë e vendit që do të vështirësojë edhe më tej financat publike në të ardhmen. Ndaj do të ishte e udhës që çdo strategji, veprim apo masë, sot të niste pikërisht prej zgjidhjes së kësaj nyjeje: Si të bëjmë të mundur që shqiptarët të kenë dëshirë, të rrinë, të investojnë, të jetojnë në Shqipëri? Me vullnet dhe punë, sado skeptik të jem, mendoj se kjo është rruga e duhur. Çdo përpjekje tjetër do të ishte thjesht meremetim i vrimave pa fund të një anijeje që ka futur, tashmë mjaft ujë në hambarët e saj.
/Gazeta Mapo