Ekonomi

‘Ekonomia shqiptare në ngadalësim, rritja më e ulët në Ballkan’






               Publikuar në : 18:44 - 08/10/19 |
mapo.al

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë pritet të rritet këtë vit me vetëm 2.9% nga 4.3% që pati parashikuar qeveria, vlerëson Banka Botërore. Rritja e Shqipërisë rezulton më e ulëta në rajonin e Ballkanit.

Rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet në 2.9% në vitin 2019 në krahasim me rritjen e vlerësuar në masën 4.1% në vitin e kaluar, bëri të ditur Banka Botërore në raportin e saj periodik për ekonominë në rajonin e Ballkanit. I titulluar Pasiguri në rritje, raporti vëren se viti 2018 ndoshta ishte kulmi i rritjes ekonomike për më shumë se sa një dekadë dhe se edhe vitet 2020 e 2021 do të sjellin një rritje më të ngadaltë.


Vendet e tjera të përfshira në raport pritet të kenë rritje ekonomike më të lartë se sa Shqipëria. Rritjen më të lartë pritet ta ketë Kosova me 4%, pasuar nga Serbia, 3.3%.



Parashikimi i Bankës Botërore ndryshon në mënyrë thelbësore nga parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në vlerësimin e fundit në prill të këtij viti parashikonte rritje 3.7% për Shqipërinë, si dhe nga Programi Ekonomik e Fiskal i qeverisë shqiptare, i cili i përket janarit të këtij viti dhe ka bërë planet për rritje në masën 4.1%.

Në një anë pozitive, Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimit gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti ka sjellë edhe rritje të konsiderueshme të punësimit, me mbi 150 mijë vende të reja pune të krijuara në të gjashtë vendet, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Bosnjë dhe Serbi.

“Deri në Qershor 2019, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u krijuan 150,000 vende pune më shumë krahasuar me një vit më pare. Rreth 43,000 të rinj kanë gjetur punë, veçanërisht në Shqipëri, ndërkohë që niveli i papunësisë mes të rinjve në rajon ka pësuar rënie si rezultat i zgjerimit të sektorit të nënkontraktimit të proçeseve të biznesit,” thuhet në raport.

Raporti këshillon qeveritë të kenë kujdes me shpenzimet publike pasi kanë parashikuar shpenzime të tepërta pa marrë parasysh ngadalësimin e ekonomive.

“Përmirësimi i efikasitetit dhe barazisë së shpenzimeve publike si dhe forcimi i mobilizimit të të ardhurave mbetet prioritet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Pagat dhe pensionet në sektorin publik përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ashpërsimi i kontrollove mbi pagat, ulja e shpenzimeve tatimore dhe përmirësimi i programeve të përkrahjes sociale do të krijonte hapësirë për më shumë investime, do të përmirësonte barazinë dhe do të mundësonte krijimin e amortizuesve të nevojshëm fiskalë me qëllim zbutjen e impakteve negative të rreziqeve në rritje,” thuhet në raport.

Shqipëria shpreson për një rritje ekonomike afatgjatë në nivelin 4.5%, gjë që vlerësohet se është edhe potenciali i rritjes ekonomike të vendit. Por hera e fundit kur Shqipëria ka pasur norma të tilla rritjeje ka qenë viti 2008.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas