Friday, March 31, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Ekonomisë po i merret fryma

by mapo.al
13/07/2019
in Aktualitet, Ekonomi, Kryesore
0

Klima e biznesit, në gjendjen e saj më të keqe. Treguesit e financave, po ashtu në përkeqësim. Kriza e thellë politike peshën e saj të rëndë e ka përcjellë në ekonomi. Si e shikojnë situatën dhe çfarë zgjidhjesh propozojnë profesori Selami Xhepa, ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj dhe gazetarët Ornela Liperi e Gjergj Erebara.    

Nga Adi Darsi



Në reagimin e saj pas debatit të hapur së fundi për taksën e naftës, ministrja e Financave duke përgënjeshtruar atë që tashmë është projektligj, tha se është sajesë e opozitës. Kjo mund të ishte një qasje për çdo politikan, ndërkohë që të tjera shpjegime priten nga “shefja” e financave publike. Megjithatë, përfshirja në këtë debat e ka një anë pozitive. Qeveria tashmë po reagon edhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me politikën. Ekonomia e strukur në cepat e debatit publik, ka mundësinë të rikthehet në fokus.

Treguesit

Pak ditë më parë sinjalet e rrezikun u përcollën të materializuara në shifra. Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit është vetëm sa gjysma e asaj që ishte parashikuar. Për një ekonomi si e jona kjo do të thotë shumë e përkthyer në terma konkretë për qytetarët. Ndërsa për ekonominë tregon se sa larg strategjive të shkruara në letër po zhvillohet ajo. “Këta muajt e fundit po shohim se si po materializohen risqet e nënvizuara më herët”, thotë eksperti i ekonomisë Selami Xhepa. Dhe risku më kryesor është përqendrimi i rritjes në vetëm disa sektorë, siç është për shembull prodhimi i energjisë. Por për gazetaren Ornela Liperi, kanë mjaftuar vetëm tre muaj me reshje të pakta për të nxjerrë “në pah përmasat reale të rritjes anemike” që ekonomia ka patur edhe në vitet e tjera. Rritja ekonomike sigurisht që është treguesi më madhor dhe është e pritshme që treguesit e tjerë “më të vegjël” të jenë po ashtu, të përkeqësuar. Korrupsioni, problemet e pafundme me gjykatat e pronat, keqqeverisja dhe mungesa e transparencës kanë dëmtuar jo vetëm konkurrencën e brendshme, por kanë trembur në të njëjtën kohë edhe investitorët e huaj aq të nevojshëm. Raporti më i fundit i DASH e vulosi përkeqësimin edhe në këtë drejtim. Në këto kushte, me gjithë efektet anësore negative e vetmja shpresë kanë mbetur të ardhurat e turizmit dhe të emigrantëve. Por është e sigurt se ata nuk mjaftojnë për ta zbutur efektin e përkeqësimit dramatik të treguesve dhe burimeve të tjera, pasi ata vetëm sa “ndihmojnë mbijetesën, por kurrsesi nuk garantojnë rritje të qëndrueshme”, siç shprehet ish-zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj.

Kriza politike

Prej kohësh vendi është në një krizë të thellë politike. Prej saj e pësojnë qytetarët dhe efekti më i plotë jepet në ekonomi. Është një efekt domino që përcjell pakënaqësi e probleme sociale për t’u përmbyllur me braktisjen e vendit. Për Shqipërinë ky bëhet pragu i një katastrofe në kushtet kur edhe treguesit e popullsisë, d.m.th. të fuqisë punëtore janë në përkeqësim të thellë. Për gazetarin Gjergji Erebara, e gjithë kjo situatë është akumulimi i keqqeverisjes, që në muajt e fundit ka kapur majat për shkak të krizës politike. “Këtu mbërrijmë te problemet afatgjata të shkaktuara nga akumulimi në kohë i keqqeverisjes deri në papërgjegjshmëri absolute të ekonomisë. Në një vend që nuk ka rritje ekonomike prej një dekade, që ka paga pak a shumë në stanjacion dhe taksa në rritje, ajo që humbet është shpresa. Mungesa e shpresës largon ata që kanë fuqi për të ikur, të rinjtë, profesionistët, të aftit, të fortët”, thotë Erebara.

Nevoja për zgjidhje

Aq shumë probleme ka krijuar politika sa ne ta quajmë zhvillim pozitiv faktin që në debatin publik po kthehen temat e ekonomisë. Por kjo është shumë pak. Ekonomia sot nuk ka më nevojë të flasësh për të, duhen zgjidhje të plota. Për profesorin Selami Xhepa shanset që kjo të ndodhë janë aty. “Kriza ofron dhe një shans të madh. Nëse zgjidhja politike do të ofronte një sistem shumë më funksional politik, atëherë ekonomia do të rimerrte veten dhe shpresa do të rikthehej”, thotë Xhepa.

 

SELAMI XHEPA: Politika e ka marrë peng ekonominë

Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?

Në fakt brishtësitë e ekonomisë në raport me një rritje të qëndrueshme të saj janë evidentuar prej kohësh. Por këta muajt e fundit po shohim se si po materializohen risqet e nënvizuara më herët. Ndër faktorët fondamental mendoj se më së pari, ka qenë paaftësia e vendit për të tërhequr investime serioze në sektorët e industrive të vlerës së lartë të shtuar. Fakti se përse investitorët e huaj që kanë zgjedhur të investojnë në Ballkan kanë preferuar më shumë vendet e tjera se Shqipërinë, gjykoj se lidhet me qeverisjen e dobët: institucione të dobëta, korrupsion i lartë, konkurrencë e pandershme etj. Agjenda e brendshme vazhdon të dominohet nga debate politike shterpë dhe retorika boshe dhe angazhimi i forcës politike qeverisëse në këto debate, jo vetëm që ka shteruar energjitë e saj për reforma, por ka bërë që të humbasë vëmendjen ndaj shqetësimeve reale të qytetarëve. Ky lloji konfliktualiteti politik kulmoi me vendimet drastike të opozitës, duke prodhuar një situatë të papërballueshme për ekonominë dhe qytetarët. E thënë përmbledhtas, klima e biznesit dhe klima politike në vend janë shkaktarët kryesorë që po mbajnë peng zhvillimin dhe modernizimin e ekonomisë kombëtare.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

Mendoj se viti 2019 do të rezultojë shumë më poshtë nga parashikimet e vjeshtës së shkuar. Nuk ka dyshim që tremujori i dytë dhe i tretë do të shënojnë mosrealizime dhe kjo jo më thjesht për faktor stinor apo sezonal, por arsye më të qenësishme. Kjo është periudha kur turizmi duhet të shndërrohet në promotor të rritjes dhe gjenerimit të ardhurave buxhetore, të punësimit dhe të të ardhurave. Por gjasat janë se realizimet do të jenë shumë më poshtë pritshmërive. Tensionet politike dhe votimet lokale që fatmirësisht nuk prodhuan destabilitetin që pritej, kishin frikësuar qoftë operatorët turistikë apo investitorët, duke bërë anulimet e planeve të tyre të shpenzimit. Një realizim më i ulët i rritjes ekonomike përkthehet në më pak të ardhura për buxhetin dhe familjet, në një rritje relative të borxhit publik, dhe në finale, në një ngadalësim të zhvillimit ekonomik.

Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?

Është fakt se buxhetit të vendit për pesë muajt e parë i mungojnë më shumë se 20 milionë euro. Rënia e shitjeve, forcimi i euros, dobësitë administrative, veçanërisht në administrimin e skemës së TVSH-së, mund të konsiderohen si faktorët kryesorë të kësaj gjendjeje të të ardhurave buxhetore. Nëse mosrealizimet do të vazhdojnë dhe në muajt e ardhshëm, mendoj se Parlamenti do të jetë i detyruar të rishikojë ligjin e buxhetit të shtetit, duke ulur parashikimet si për të ardhurat dhe për shpenzimet publike.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Korrupsioni, veçanërisht me prokurimet publike jotransparente dhe pa rregullat e një gare të ndershme, janë edhe kritika më serioze dhe e theksuar shumë drejtpërdrejt në raport. Jo vetëm kontratat e PPP-ve të cilat tashmë janë demaskuar publikisht, por edhe prokurimi i fondeve buxhetore, janë kryer larg standardeve të transparencës dhe të qeverisjes së mirë. Mendoj se është kjo situatë që ka mbajtur larg investitorët dhe zvogëluar shanset për një rritje ekonomike më të shëndetshme. Turizmi dhe emigracioni nuk mund të kompensojnë rolin e investimeve të huaja.

Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Kriza politike e ka përkeqësuar ciklin ekonomik në vend. Në afatin e shkurtër, nëse kriza nuk do të shkojë drejt një zgjidhjeje dhe situata e brendshme politike do të jetë e tensionuar, nuk ka dyshim që efekti do të jetë edhe më i fortë. Por, kriza ofron dhe një shans të madh. Nëse zgjidhja politike do të ofronte një sistem shumë më funksional politik, një sistem më kompetitiv dhe me institucione funksionuese – pra, një ekuilibër politik më cilësor se ky që kemi – atëherë në afatin e gjatë ekonomia do të rimerrte veten dhe shpresa do të rikthehej në vend. Politikanët, veçanërisht forca politike qeverisëse, e kanë në dorë që t’i japin shpresë ekonomisë dhe shoqërisë.

 

IRENA BEQIRAJ: Duhet një qasje e re për ekonominë

Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?

Është e vërtetë që parametrat që matin shëndetin e ekonomisë shqiptare kanë pësuar rënie. Si shkaqe do të rendisja strukturën e padiversifikuar të ofertës në ekonominë shqiptare. Sektorët të cilët drejtuan rritjen në vitin 2018 ishin energjetika, shërbimet, ndërtimi. Në ekonomi të padiversifikuara si e jona, goditjet që mund të marrë një sektor i rëndësishëm, qoftë edhe nga shkaqe tërësisht të jashtme, ndikojnë në performancën e ekonomisë në tërësi. P.sh., në 2018 natyra na bekoi me shi dhe sektori energjetik kontribuoi me 0.9% në rritjen prej 4.1% të realizuar gjatë po këtij viti. Në tremujorin e parë të 2019 kushtet klimaterike nuk na favorizuan, kështu që sektori energjetik pësoi ulje duke kontribuar me -0.66% në rritjen ekonomike. Me gjithë përpjekjet për të promovuar një model të ri ekonomik që bazohej tek eksportet dhe investimet private edhe publike, ne vazhdojmë të jemi një ekonomi thjesht konsumatore, pra rritja ekonomike drejtohet kryesisht nga konsumi. Për më tej, stanjacioni ekonomik i partnerëve tanë në Europë, do të ndikojë te remitancat, rrjedhimisht te konsumi por jo vetëm. Klima e biznesit po ashtu është përkeqësuar. Po përjetojmë ulje të kreditimit për bizneset, jemi një nga vendet me konkurrueshmërinë më të ulët në rajon, konkurrojmë vetëm prej krahut të lirë të punës dhe monedhës së dobët. Këtë konkurrueshmëri mund ta quaj “konkurrueshmëria e mbijetesës”, nga e cila nuk vjen kurrë zhvillim i qëndrueshëm.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

Në aspektin makrofiskal kjo do të thotë një rritje e deficitit buxhetor për 2019, i cili pritet të jetë -1.9% e PBB, krahasuar me -1.6 % që ishte në 2018. Qeveria me të drejtë krenohej me arritjen e balancës primare pozitive, e cila ishte “kali i betejës” i reformës së konsolidimit fiskal. Pas 3 vitesh balancë pozitive në 2019 kjo balancë është parashikuar të zbresë sërish në -0.6% e PBB nga + 0.5% e PBB në 2018. Ulja e borxhit, po ashtu, do të jetë mision i vështirë.

Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?

Kemi provuar më shumë se një herë që ndryshimet e drejtorëve nuk rrisin të ardhurat. Me këtë nuk dua të them që ndonjë drejtor i caktuar nuk duhej hequr, por problemet që kemi me mbledhjen e të ardhurave janë strukturore dhe nuk zgjidhen me drejtora. Problemet bazë i shoh së pari, në qëndrueshmërinë, kompetencën dhe motivimin e stafit të administratave, ku edhe ndryshimi kaq i shpeshtë i lidershipit është i dëmshëm. Së dyti, që prej paketës fiskale 2017 e këtej, janë krijuar të çara e arnime në sistemin fiskal, të cilat e vështirësojnë mbledhjen e të ardhurave. Së treti, menaxhimi i investimeve publike nuk është i kënaqshëm. Kemi probleme serioze që nga prioritizimi e deri tek ekzekutimi i tyre. Investimet publike rrallëherë mund të kalojnë 55% të realizimit të tyre në nëntëmujor. Kjo ngadalëson ekonominë. Së katërti, nga njëra anë, me të drejtë qeveria promovon vetëdeklarimin edhe vetëpërmbushjen e detyrimeve tatimore, nga ana tjetër, nuk paguan TVSH e rimbursueshme. Ne këtë rast veprimi i qeverisë është si thotë populli “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!”.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Shoqëria humane është organizuar në mënyrë të tillë që çdo nukël i saj ka një lidership, i cili përcakton modelin. Modeli është bazamenti ku kultivohet kultura e cila është një nga motorët bazë të performancës. Mungesa e transparencës apo transparenca gjysmake kuptohet dëmtojnë qeverisjen sado të mira të kenë qenë qëllimet e saj. Ndërsa sa u takon të ardhurave nga turizmi dhe emigracioni, ata ndihmojnë mbijetesën, por kurrsesi nuk garantojnë rritje të qëndrueshme.

Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Nëse duam të ndërtojmë demokraci funksionale duhet të ulemi të gjejmë, të dakordësojmë zgjidhje afatgjata për ekonominë. Nuk na i zgjidhin këto probleme vetëm qeveritë. Secili duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes, mazhoranca, opozita apo edhe shoqëria civile duke u imponuar dhe duke u bërë pjesë aktive e politikëbërjes. Duhet të lëmë mënjanë retorikën, propagandën, histerinë kolektive e militantizmin. Me këtë qasje intelektuale politike edhe drejtimi nuk mund t’u ofrojmë vendit dhe qytetarëve zhvillim të mjaftueshëm.

 

ORNELA LIPERI: Ekonomia po vuan pasojat e një zhvillimi rastësor

Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?

Në fakt ekonomia shqiptare nuk ka kaluar momente të mira as vitin e kaluar. Por, në 2018-n, ajo u favorizua nga moti me reshje, që rriti prodhimin e energjisë si rrjedhojë dhe eksportet e këtij produkti, që llogaritet si vlerë e shtuar në ekonomi. Ndonëse ekonomia u rrit me 4.06% për gjithë vitin 2018-n, nëse do të hiqet efekti i energjisë, rritja nuk do i kalonte 3%. Në muajt e parë të 2019-s, teksa efekti i energjisë u zhduk, dolën në pah përmasat reale të rritjes anemike, duke u përgjysmuar në vetëm 2.1%.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

Po është e vërtetë që pritshmëritë për rritjen ekonomike nuk janë shumë optimiste dhe për tremujorin e dytë. Në fakt, prej vitesh, ekonomia vendase po vuan pasojat e një zhvillimi rastësor dhe të paqëndrueshëm dhe kjo është e dukshme po të shohim sektorët që nxisin rritjen çdo tremujor, një herë është ndërtimi, një herë energjia, një herë tregtia etj. Pasojat më të dukshme të kësaj rritjeje anemike shihen nëse do të bëjmë krahasim me progresin e vendit në raport me rajonin. Të dhënat e fundit të EUROSTAT tregojnë se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sa i përket konsumit. Konsumi aktual individual, që mat mirëqenien e familjarëve dhe shprehet sipas barazisë së fuqisë blerëse, Shqipëria rezulton më e varfra në Europë, me 38% të mesatares së Bashkimit Europian. Ky është një tregues që kostoja e jetesës në Shqipëri është e lartë në raport me të ardhurat. Kjo tregon se rritja ekonomike në Shqipëri ka qenë vetëm numër dhe nuk ka nxitur mirëqenien e popullatës. Një sektor që duket se po ecën mirë është ai i turizmit, por dhe këtë qeveria rrezikon ta shkatërrojë, pasi nuk po i përgjigjet ritmit të investimeve private në hoteleri me përmirësimin e infrastrukturës.

Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?

Rendimenti i ulët i mbledhjes së të ardhurave është pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe e evazionit të lartë që ekziston prej vitesh. Një tregues direkt janë të ardhurat nga TVSH e brendshme, një indikator i konsumit, të cilat për pesë muajt e parë të vitit ishin 12% më të ulëta se një vit më parë. Ndërsa në largimin e drejtorit të tatimeve, interesant është fakti që performanca e tatimeve ka qenë më e mirë se e doganave në 5 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare, në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga Tatimet ishin 61.9 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8%, duke rezultuar 1.3% ose rreth 800 milionë lekë më pak se plani. Më e dobët ishte performanca e doganave, me të ardhurat që u rritën vetëm 0.5% me bazë vjetore për 5-mujorin, ose rreth 2 miliardë lekë më pak se plani. Ngadalësimi i të ardhurave do të ndikojë në kahun e shpenzimeve, me qeverinë që do shtrëngohet të mbledhë rripin për të ruajtur parametrat e deficitit fiskal. Por shpenzimet kapitale sërish nuk do të realizohen, pavarësisht të ardhurave.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Nuk përbën ndonjë risi konstatimi i DASH. Edhe raporti i një viti më parë ishte njësoj negativ për Shqipërinë, ashtu siç kanë qenë dhe indekset e dhomave të huaja ku më e fundit ishte ai Shoqatës së Investitorëve të Huaj. Ajo që është për të ardhur keq është fakti që qeveria nuk pranon asgjë dhe nuk merr asnjë masë për të përmirësuar klimën e biznesit. Turizmi, siç e përmenda dhe më lart është një sektor potencial, por fatkeqësisht qeveria i ka përqendruar energjinë në disa projekte madhore me kosto të dyshimtë të Partneritetit Publik-Privat, dhe po lë jashtë vëmendjes infrastrukturën turistike, ndriçimin apo mbledhjen e plehrave.

Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Përveç turizmit, nuk shikoj ndonjë sektor tjetër që mund të nxisë rritjen ekonomike në afatin e shkurtër. Një problem mjaft i madh për momentin është largimi i forcës së punës të kualifikuar, çka po vë në vështirësi bizneset për të gjetur punonjës. Kjo rrezikon të kthehet në handikapin më të madh të zhvillimit afatmesëm e afatgjatë të ekonomisë, pasi do të ulë produktivitetin e ndërmarrjeve dhe në një rreth vicioz do të ndikojë investimet, taksat që paguajnë bizneset dhe vetë rritjen ekonomike.

 

GJERGJ EREBARA: Papërgjegjshmëri absolute në qeverisjen e ekonomisë

Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?

Në këndvështrim afatshkurtër, problemi kryesor duket se lidhet me menaxhimin kaotik të buxhetit të shtetit, me punë që duket se paguhen, por nuk kuptohet mirë nëse kryhen apo jo. Që prej pesë vjetësh tashmë, qeveria përqendron shpenzimet buxhetore në fund të vitit dhe lë pa shpenzime buxhetore për investime pjesën më të madhe të vitit. P.sh. në tremujorin e parë, shpenzimet kapitale të qeverisë kanë qenë sa 10% e totalit të planifikuar për këtë vit, ndërkohë që situata normale duhej të ishte 25%. Në terma parash, kjo do të thotë se gjatë këtij tremujori, investimet publike duhej të ishin 23 miliardë lekë dhe jo 9 miliardë lekë. Kjo është një shumë e konsiderueshme parash. Shpenzimet e munguara në investimet publike prej 14 miliardë lekësh ose mbi 110 milionë euro, janë të barabarta me afro 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor ose 3% të PBB-së tremujore. Me pak fjalë, nëse qeveria do të kishte një sjellje normale në ekonomi, rritja ekonomike e tremujorit të parë do të ishte 5% dhe jo 2%.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

E rëndësishme është tendenca afatgjatë e PBB-së e kombinuar me ecurinë e inflacionit si tregues i konsumit. Në terma afatgjatë, PBB e Shqipërisë shpresohet të rritet në terma realë me rreth 4% në vit, kuotë që nuk e ka njohur që nga viti 2010. Kjo normalisht duhet të shoqërohet me një normë inflacioni mesatar prej 3% në vit, gjë që gjithashtu nuk është parë që prej një dekade. Kjo do të thotë se gjendja është keq dhe jo në përmirësim. Indeksi i Çmimeve të Konsumit, jo vetëm që nuk është 3%, (në maj ishte 1.5%), por është me dy kohë. Ky 1.3% rritje çmimesh në maj ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve të zarzavateve prej afro 13%, ndërsa të gjitha mallrat dhe shërbimet e tjera kanë një luhatje minimale rreth zeros. Stanjacioni në çmime, i shoqëruar me rritje anemike ekonomike apo me stanjacion në kredi e depozita, e bën situatën dëshpëruese.

Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?

Në vitet e shkuara, qeveria ka realizuar pjesën dërrmuese të investimeve publike në muajt nëntor e dhjetor. Kjo ngre dyshime të ligjshme nëse këto investime publike janë reale apo janë imagjinare. Është e vështirë të kuptohet se si ndodh që brenda një muaji, të kryhen punime publike në rendin e 100 apo 200 milionë eurove. Kjo me pak fjalë përbën një shpërdorim të madh ekonomik.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi Klimën e Investimeve për vitin 2019 është pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2018, me të njëjtat probleme të lidhura me keqqeverisjen. Por ka një dallim mes dy raporteve; DASH në vitin e kaluar theksonte shumë më tepër pritshmëritë nga Reforma në Drejtësi, të cilat, këtë vit nuk janë aq të theksuara. Kjo na rikujton ne që jetojmë në Shqipëri se tashmë nuk janë më pak muaj që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë dhe se Reforma në Drejtësi, ndonëse ka hequr një numër të lartë gjyqtarësh e prokurorësh me pasuri të dyshimta, nuk ka sjellë ende ndonjë përmirësim.

Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Këtu mbërrijmë te problemet afatgjata të shkaktuara nga akumulimi në kohë i keqqeverisjes deri në papërgjegjshmëri absolute të ekonomisë. Në një vend që nuk ka rritje ekonomike prej një dekade, që ka paga pak a shumë në stanjacion dhe taksa në rritje, ajo që humbet është shpresa. Mungesa e shpresës largon ata që kanë fuqi për të ikur, të rinjtë, profesionistët, të aftit, të fortët. Kjo natyrisht që përkthehet në konsum më të ulët, në të ardhura buxhetore më të dobëta dhe në nxitje për më shumë rritje taksash, nga ato që kanë qenë të shumta gjatë muajve të fundit.

Tags: coverekonomiaGjergj ErebaraIrena BeqirajkorrupsioniKRIMIKrizamapoOrnela LiperiSELAMI XHEPA

JU SUGJEROJME

Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm
Kryesore

Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm

30/03/2023
Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë
Kryesore

Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë

30/03/2023
25 VITE MË PARË/ Shqipëri- Serbi, trafik armësh
Arkiva

25 VITE MË PARË/ Shqipëri- Serbi, trafik armësh

29/03/2023
Studimi në revistën Economicus: Sa më të arsimuar, aq më të interesuar për planifikimin e daljes në pension
Economi

Studimi në revistën Economicus: Sa më të arsimuar, aq më të interesuar për planifikimin e daljes në pension

29/03/2023
Next Post
Benzi përplaset me kamionin, pamje të frikshme nga aksidenti

Benzi përplaset me kamionin, pamje të frikshme nga aksidenti

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm
  • Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë
  • 25 VITE MË PARË/ Shqipëri- Serbi, trafik armësh
  • Studimi në revistën Economicus: Sa më të arsimuar, aq më të interesuar për planifikimin e daljes në pension
  • 25 VITE MË PARË/ CIA vjen në Tiranë



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In