Aktualitet

Ekskluzive/ Basha: Unë besoj te forca dhe potenciali i Shqipërisë







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:55 - 26/10/19 |
ro ot

Ditët e fundit, diçka ka ndryshuar te komunikimi i Lulzim Bashës. Një spot i publikuar në faqen e tij në Facebook, ngjante si një gong elektoral. Po ashtu, z.Basha ka qenë prezent në media, në një format pak më ndryshe, duke dhënë intervista të veçanta për disa televizione. Prania e tij është rritur ndjeshëm në publik. Dhe ka një mesazh kryesor, mesa lexohet. Që PD dhe opozita, janë gati të hyjnë në zgjedhje nesër dhe t’i fitojnë ato. Po çfarë ka ndryshuar nga 30 qershori? Cili është plani për të mundësuar votë të lirë e të ndershme. Ekipi, rikthimi i të larguarve dhe, a ka ndryshim qëndrimi lidhur me qeverinë dhe Ramën. Për këto, e shumë të tjetra përgjigjet Lulzim Basha, në këtë intervistë ekskluzive për gazetën Mapo.

Intervistoi: Blerina Gjoka

-Zoti Basha, duket se ka një frustrim mes opozitarëve për qëndrimet tuaja të fundit. E kemi fjalën për mungesën e një aksioni të fortë që pritej pas vendimit nga BE për negociatat. A keni hequr dorë nga rruga e përplasjes, nga protesta, dhe keni ndërmarrë kursin e zgjidhjes politike të krizës, çfarë në fakt deklaruat dhe në mbyllje të protestës së fundit kombëtare?


Ka një angazhim dhe mobilizim kapilar të demokratëve për të qenë gati në çdo kohë për zgjedhje të parakohshme. Kjo punë kolosale vjen pas protestave masive, të cilat nuk shkuan dëm. Është për shkak të këtyre protestave që Bashkimi Europian dhe partnerët tanë strategjikë, njohin krizën e rëndë politike të Shqipërisë dhe kërkojnë që ajo të zgjidhet sa më shpejt, duke i krijuar vendit mundësinë për zgjedhje të lira e të ndershme. Qëllimi i protestave tona madhështore dhe i aktit tonë të fortë politik për të djegur mandatet nuk ishte rrëzimi me dhunë i qeverisë, apo pushtet mbi viktima. Qëllimi ynë ishte ndërgjegjësimi kombëtar dhe ndërkombëtar mbi gjendjen e rëndë në vend. Dhe ia arritëm. Kriza e rëndë politike në vend është adresuar në 9 kushtet e Bundestagut, plotësimi i të cilave bën të mundur që Shqipëria të këtë zgjedhje të standardeve demokratike, që të ketë sa më parë SPAK dhe BKH, Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese, ngritja e të cilave zvarritet jo pa qëllim, dhe të hapë rrugën për Shqipërinë si Europa.


-Keni lënë kuptohet se reforma zgjedhore do të jetë rruga e daljes nga kriza. Si do të ndodhë kjo sipas vizionit tuaj, se shumë njerëz, me reformë zgjedhore kanë parasysh ndryshim sistemi, apo amendime që të ofrojnë më shumë garanci për votën?



Është bindja ime e thellë se pa garantuar votën e lirë, pa i dhënë fuqinë që i takon në demokraci votës së qytetarëve, vendi nuk do të bëjë kurrë progres. Ky është tashme kusht i vendosur edhe nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave. Nëse vendimi i Këshillit Europian do të ishte pozitiv, ky do të ishte kushti zyrtar i Bashkimit Europian, që Shqipëria të hapë bisedimet për anëtarësim. Në dokumentin e miratuar në Bundestagun gjerman thuhet shprehimisht se; në Shqipëri ka një krizë të rëndë politike, e cila vështirëson hapjen e negociatave. Në të njëjtin dokument, tregohet rruga e zgjidhjes së kësaj krize, nëpërmjet 9 kushteve. Një prej tyre është reforma zgjedhore, e cila duhet të përmbushet me kontributin e të gjitha partive politike për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Hapi tjetër, sipas Bundestagut, është zbatimi i kësaj reformë gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese, që për ne, përbën hapin tjetër për zgjidhjen e krizës, zgjedhjet e parakohshme, mundësia e qytetarëve për të zgjedhur me vullnet të lirë, për të sjellë ndryshimin që e duan të gjithë.


-“Rama ik” ngjan se mungon këto kohë në retorikën tuaj dhe mesazhet publike. A qëndron kjo?


“Rama ik” është sot thirrja e shumicës dërrmuese të qytetarëve, që marrin me lista në dyqane, e atyre që nuk sigurojnë dot bukën e gojës, e të rinjve që nuk vazhdojnë dot shkollën prej vështirësive ekonomike e nuk gjejnë dot një mundësi për të jetuar, e bizneseve që mbyllen çdo ditë nga taksat e larta, konkurrenca e pandershme, nga rënia e fuqisë blerëse. “Rama ik” është përgjigjja për shkakun kryesor të kësaj situate. Kjo thirrje ka nxitur imagjinatën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, dhe e kanë shkruar atë deri në torta dhe buqeta lulesh në festat e tyre familjare. Për “Rama ik”, flet çdo denoncim i Partisë Demokratike, çdo aktivitet i saj publik dhe jo publik.

-Keni deklaruar se jeni gati të hyni nesër në zgjedhje të parakohshme. Çfarë ndryshoi nga 30 qershori deri më sot? A mund të pyesë dikush me të drejtë, pse nuk u futët në zgjedhjet e 30 qershorit, meqë jeni gati si opozitë të hyni nesër në betejë elektorale?

Pjesëmarrja në farsën e 30 qershorit nuk kishte lidhje me gatishmërinë tonë për zgjedhje, por me standardet që i ofroheshin qytetarëve. Ne kemi qenë gati për të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato do të kishin garancitë minimale për të siguruar votën e lirë, të fshehtë, të pandikuar, të pakërcënuar e të pashantazhuar të qytetarëve shqiptarë. Por, siç e tha dhe ODIHR, 30 qershori nuk kishte lidhje me qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre. Çdokush e pa se si edhe kur vetë kandiduan, vetë votuan, vetë numëruan, Edi Rama dhe veglat e tij, prapë abuzuan dhe tjetërsuan çdo hap të procesit. Ajo që ne kemi kërkuar prej ditës së pare, kanë qenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, garantimi i votës. Sot kemi në krahun tonë edhe aleatët perëndimorë. Por përpara 30 Qershorit, ne nuk kishim një dokument të Bundestagut që njihte krizën politike dhe që kërkonte zgjidhjen e saj, nëpërmjet një reforme elektorale që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Thelbi i kërkesës kryesore të opozitës janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje që nesër me të njëjtin kusht që kemi patur prej 16 Shkurtit- garantimin e lirisë së votës për shqiptarët. Këtë duhet ta bëjë një qeveri kujdestare, që ka vullnetin për të përmbushur rekomandimet e ODIHR dhe kushtet e Bundestagut.

-Nëse pra zgjedhjet bëhen nesër, sa deputetë merr Partia Demokratike?

Partia Demokratike do të fitojë shumicën e duhur që do t’i mundësojnë qeverisjen e vendit. Të gjitha sondazhet e nxjerrin sot Partinë Demokratike forcën e parë politike në vend, një fenomen që ka, të paktën, dy dekada që nuk ndodh në Shqipëri. Ne po bëjmë gjithçka të bindim edhe elektoratin e pavendosur se PD është alternativa më e mirë për vendin. Dhe për këtë ne kemi hartuar një program ekonomik në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët gjermanë te CDU dhe në konsultim të gjerë qytetar.
Kemi gati platformën antimafia dhe antikorrupsion, me të cilën, çdokush që ka futur duart në pasurinë publike do t’ua ktheje mbrapsht qytetarëve, kemi paraqitur propozimet tona për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Unë jam i vendosur të çoj përpara misionin tim për t’u dhënë shqiptarëve në qeverisje, modelin europian qëmeritojnë.

-Ka një pezmatim mes demokratësh për humbjen e të gjitha bashkive. Si ia shpjegoni ju një demokrati të thjeshtë këtë çështje?

Nuk ka asnjë humbje të bashkive. Ka patur votime farsë, të paligjshme që kanë sjellë uzurpimin antikushtetues të pushtetit lokal nga të emëruar të Qeverisë. Ato votime nuk kanë prodhuar qeverisje lokale nga vota e qytetarëve. 30 Qershori vulosi braktisjen totale të Edi Ramës. 30 Qershori provoi në sytë e gjithë botës, sikurse e pohoi edhe Raporti i OSBE/ODIHR, se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se ai edhe kur vetë voton, vetë administron dhe vetë numëron, përsëri i vjedh votat. Votimet e 30 qershorit treguan se Edi Rama nuk heq dore nga personat me rekorde kriminale, siç tregon rasti i Shkodrës, ai i Vorës, Vau i Dejës. I kandidoi edhe pse pa kundërshtar. Me refuzimin e farsës së 30 Qershorit, 85 % e shqiptarëve treguan se duan Shqipërinë si gjithë Europa, se nuk duan që në Shqipëri të instalohet regjimi i një njeriu të korruptuar, se nuk duan zgjedhje të diktuara nga paratë e pista dhe krimi. Kjo është fitore e betejës së nisur nga Partia Demokratike, që lindi dhe është sot e vetmja forcë që punon dhe sakrifikon gjithçka për Shqipërinë e standardeve europiane, me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-E dimë se nuk do marrim dot emra, po nuk mund të mos iu bëjmë pyetjen që e bëjnë shumë vetë. Cili është ekipi juaj?

Partia Demokratike ka kapacitete njerëzore dhe intelektuale për të ndërtuar më shumë se një ekip qeverisës. Unë jam krenar që drejtoj një parti që ka kaq shumë kapacitete si PD. Ekipi im janë demokratët në të gjithë vendin, janë njerëzit e ndershëm që e duan vendin e tyre, janë qytetarët që duan të japin kontributin e tyre për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa. Ekipi im nuk do jenë kurrë hajdutët, të korruptuarit dhe kriminelët. Por djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, të mirëshkolluar dhe me integritet, që qeverisjen e shohin si shërbim ndaj njerëzve të zakonshëm dhe jo si mundësi për tu pasuruar vetë në mënyrë të paligjshme apo për të pasuruar një grusht njerëzish në kurriz të interesit tëqytetarëve. Unë ju garantoj që në qeverisjen e vendit do të jetë një ekip perëndimor që do bëjë ndryshimin e madh dhe rrënjësor të qeverisjes, nje qeverisje të njerëzve dhe për njerëzit.

-Ku jeni me hapjen e partisë, me bashkimin e kontributeve. A mendoni se duhen akte të forta, si përshembull rikthim i atyre që në një farë mënyrëju i larguat me listën e kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2017?

Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet një parti e hapur, ku cilido që dëshiron të japë kontribut, do t’i mundësohet kjo. Unë nuk kam larguar dhe nuk do të largoj kurrë nga PD asnjë demokrat, asnjë kontributor. Secili prej tyre është aksioner në këtë parti dhe ka përgjegjësi përpara demokratëve të tjerë për të kontribuar në suksesin e Partisë Demokratike. Kam komunikim të vazhdueshëm me themelues të PartisëDemokratike, me ish-drejtues apo ish-deputetë, që vazhdojnë të kontribuojnë në parti përmes këshillave dhe aktivitetit të tyre. Përfitoj nga eksperienca e tyre e çmuar për të bërë të mundur sa më shpejt ndryshimin që e dëshiron çdo shqiptar. Partisë Demokratike po i bashkohen çdo ditë të rinj e të reja të shkolluar brenda dhe jashtë vendit në universitetet më të mira te botës, po i bashkohen me një entuziazëm prekës gjimnazistë që duan të kontribuojnë në ndryshimin e madh që e pret vendin. Në PD kontribuuesit më të mëdhenj janë dhe qëndrestarët e palëkundur dhe idealistë, të cilëve u kemi një borxh të madh mirënjohje.

-Besohet se suksesi i afrimit të njerëzve, është t’i bësh ata të ndihen përgjegjës, pra si të thuash të ndash pushtet me ta. A është kjo një gjë që ju e ofroni?

Unë kam një tjetër mendim mbi arsyen se përse njerëzit afrohen në një parti politike. Në një parti politike dhe në Qeveri, nuk ndahet pushtet, por përgjegjësi. Unë besoj fuqimisht që njerëzit bëhen bashkë për shkak se ndajnë të njëjtat vlera, besojnë te të njëjtat parime, kanë të njëjtin qëllim, e shikojnë kontributin në një parti politike si mundësi për të kontribuar për ndërtimin e shtetit dhe për t’u siguruar bashkëqytetarëve të tyre mirëqenie ekonomike, siguri dhe një jetë më të mirë.

-A mund të zbuloni diçka më shumë lidhur me vizitën tuaj në SHBA. Çfarë pritet të sjellë kjo për ju dhe për opozitën?

I gjithë kontakti dhe bashkëpunimi im me faktorin ndërkombëtar, me partnerët tanë strategjikë SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë, Greqinë, Francën, Holandën, vendet e tjera të BE, kanë një qëllim: t’i japim fund kësaj krize të thellë politike dhe institucionale, t’i japin fund krizës ekonomike dhe sociale për shqiptarët, dhe për të hapur horizontin për Shqipërinë e standardeve europiane.

-Ka një konsensus të plotë se keni bërë një opozitë shumë të fortë denoncuese, po keni çaluar në atë që quhet ofrim alternative. Si i përgjigjeni kësaj?

Kjo është një fjali që e dëgjoj shpesh nga propaganda e qeverisë, që ka për qëllim të bëjë të duket sikur opozita është njësoj si qeveria pa alternativë, pa ide dhe pa vizion. Ne kemi treguar se kjo nuk është e vërtetë, pavarësisht, se në media ka zënë vend shumë pak alternativa e propozuar nga Partia Demokratike për nxjerrjen e vendit nga kriza. Si asnjë opozitë tjetër mëparë, ne kemi gati një plan për të çliruar ekonominë nga kthetrat e disa oligarkëve dhe disa kriminelëve që rrinë në paradhomën e kryeministrit dhe bashkë me të grabisin Shqipërinë. Ne kemi prezantuar një plan konkret antimafia për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të vjedhura, qoftë nga zyrtarët, qoftë nga privatët, kushdo qofshin këta. Ne kemi prezantuar planin tonë për ekonominë, kemi një alternativë tëqartë për zhvillimin e vendit. Partia Demokratike ka qenë dhe është sot e vetmja forcë politike që ka Program të plotë zhvillimi të Shqipërisë, i hartuar me ekspertizën më të mirë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, me partinë tonë simotër gjermane CDU. Në themel të alternativës sonë është qeverisja për njerëzit, zhvillimi ekonomik dhe mundësia për punësimin e të rinjve, ulja e taksave si mundësi për zhvillimin e biznesit dhe konkurrenca e lirë, gara si themel i shndërrimit të lirisë në mundësi, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe një arsim cilësor si mundësi për punësim dhe zhvillim.

-Pse besoni kaq shumë tek ai që njihet si “Plani Gjerman”. A ka sjellë deri tani ndikim. Kur themi ndikim, do të kishim parasysh një tërheqje të Ramës. Çka nuk duket se po ndodh.

Plani Gjerman, siç ju e quani, është një mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë që t’i afrohet sa më shumë standardeve europiane. Kjo është arsyeja e vetme pse unë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, besojmë se kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman duhet të përmbushen pa asnjë vonesë, në mënyrë reale dhe jo për t’i hedhur hi syve partnerëve tanë. Edi Rama nuk ka dhe nuk ka për të patur vullnet për përmbushjen e atyre kushteve. Askush nuk beson se njeriu që ka bllokuar hetimet e krimeve elektorale, do të mund të përmbushë kushtin për dënimin e bashkëpunëtorëve të tij. Askush nuk beson se Qeveria, që korrupsionin e ka kthyer në rregull, do të luftojë dhe dënojë korrupsionin. Askush nuk mund të besojë se Qeveria që ka ardhur dhe mban pushtet me krimin e organizuar, do të luftojë krimin e organizuar. Prandaj, vendi ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme, të parakohshme, dhe një Qeveri të re që del nga vullneti i qytetarëve dhe punon në interesin e tyre.

-A mund të na thoni si është një ditë e juaja. Kur nis, kur mbaron dhe çfarë ndodh. Ka kritikë ndaj jush që mendojnë se nuk jeni shumë punëtor?

Nëse e keni fjalën për propagandën e qeverisë, është e qartë që për këta po nuk vodhe nuk ke punuar. Puna matet me vepra, propaganda me fjalë të bukura. A mund të më thoni një premtim që ka mbajtur Edi Rama deri më sot? A mund të më thoni një vepër qe ka ndërtuar Edi Rama deri më sot, një arritje për njerëzit? Cila është trashëgimia e Edi Ramës, përveç krimit ne pushtet? Dështoi për herë të katërt të na afrojë me Europën, siç ka dështuar me ekonominë, me luftën kundër korrupsionit, me shëndetësinë, me arsimin.

Unë jam krenar për punën dhe kontributin tim deri më sot në çdo dikaster që kam drejtuar. Ndonëse ka një propagandë të orkestruar nga kundërshtarët tanë, e njëjtë më atë se PD nuk paska një alternativë, nuk kam humbur dhe nuk do të humb asnjëherë energji për vetëmburrje. Formimi im perëndimor nuk ma lejon të dal jashtë modestisë, përulësisë dhe angazhimit për t’i shërbyer vendit me vepra dhe jo me fjalë. Në çdo detyrë që kam patur dhe në detyrën time si kryetar i opozitës jam plotësisht i angazhuar të punoj për t’u ofruar shqiptarëve mundësi për të jetuar më mirë.

-Kur ju pyesin vajzat tuaja se ç’po ndodh në Shqipëri, si ua shpjegon me fjalë të thjeshta?

Vajzat e mia janë akoma të vogla dhe unë përpiqem t’ua bëj shpjegimin sa më të thjeshtë, kur më pyesin. Dafina dhe Viktoria dinë pak për punën time të përditshme, por e kuptojnë që është një punë e vështirë prej mungesës sime pranë tyre. Por ajo që unë dëshiroj është që, çdo vajze dhe djalë në Shqipëri të ketë një jetë më të mirë, më shumë mundësi, kopshte e shkolla me kushte të mira, prindër që nuk shqetësohen për bukën e përditshme por u përkushtohen me dashuri dhe qetësi. Dhe e gjitha kjo është e mundur. Ndryshimi është i mundur. Na duhet vetëm të besojmë se gjërat mund të jenë ndryshe, nuk ka pse të jenë kështu, të besojmë te forca jonë e përbashkët për të shpalosur potencialin e jashtëzakonshëm, që vendi ynë, dhe njerëzit tanë, kanë. Unë besoj tek një e nesërme plot shpresë dhe mundësi reale këtu në Shqipëri, jo vetëm për një grusht të privilegjuarish, por për të gjithë shqiptarët dhe për fëmijët e tyre. Jam i bindur se ky ndryshim do të vijë shumë shpejt dhe do të jetë i pakthyeshëm.

/GAZETA MAPO


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas