Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline mendohet nga ekspertët të jetë një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë. Projekti u prezantua fillimisht në vitin 2003 me anë të disa studimeve që ishin bërë për të parë mundësitë e transmetimit dhe rrugën se nga do të vinte gazi i prodhuar në Azerbajxhan. Pritet që gazi të merret nga fusha gazmbajtëse Shan Deniz në Azerbajxhan dhe të vijë në tregjet europiane për të plotësuar nevojat e rreth 3 milionë familjeve. Projekti në fjalë konsiderohet nga ekspertët si më i lirë në kosto, zonat nëpër të cilat kalon, përgjatë vijës detare, e bëjnë më të sigurt. Në të njëjtën kohë fuqia ekonomike për zbatim është me e lehtë, pasi mbështetet nga kompani serioze në fushën financiare. Interesi i jashtëzakonshëm i autoriteteve dhe ekspertëve në Shqipëri, për rastin e ndërtimit të variantit TAP, është sepse ai pritet të shoqërohet me një sërë përfitimesh konkrete. Sipas ekspertëve, projekti përfshihet si një nyje kryesore e gazit në ‘unazën perëndimore’ të Europës Jugore. Shqipëria përfiton një shumë të madhe financiare nga renta e kalimit të gazit në tubacion. Gjithashtu, mund të përfitojë nga burimi i lirë i kësaj lëndë për t’u përdorur si lëndë energjie në interesa të mëdha, si p.sh. në TEC-in e Vlorës, ku mund të prodhohet energji mjaft e lirë. Në të njëjtën kohë, konsumatori shqiptar përfiton gaz dhe energji të lirë, krahasuar me energjinë elektrike apo burimeve të tjera. Studimi i fizibilitetit të TAP përfundoi më 2006 nga kompania EGL dhe rreth një vit më vonë nisën studimet në terren. Pas bisedimeve në shtetet, ku u vendos që të kalojë gazsjellësi, dhe punës në terren, më 2008 kompania EGL kaloi në fazën e projektimit, duke paraqitur me detaje të gjithë projektin nga pika e fillimi deri në fund. Trans Adriatic Pipeline do të transportojë gaz nga Greqia në Shqipëri, tejpërtej detit Adriatik deri në Jug të Italisë dhe më tej do të bëhet shpërndarja në Europë. Projekti ka si qëllim kryesor shtimin e sigurisë për furnizimin me gaz të tregjeve europiane dhe kapaciteti do të jetë nga 10 deri në 20 miliard metër kub në vit. TAP parashikon ndërtimin e depozitave të gazit në Shqipëri, në zonën e Dumresë, kjo për të siguruar furnizimin e pandërprerë. Vija e TAP-it do të jetë afërsisht rreth 800 kilometra, nga të cilat në Greqi janë 478, në Shqipëri 204 dhe në det rreth 105 kilometra. Në Itali, ku është dhe fundi i këtij gazsjellësi, gjatësia do të jetë vetëm 4 kilometra, pasi aty do të ndërtohen depozitat dhe impianti shpërndarës. Pika më e lartë e këtij tubacioni do të jetë rreth 1800 metra mbi nivelin e detit në malet e Shqipërisë.