Aktualitet

Ekspozita – Kodi dhe timbri piktural i piktores Vahide Hasanaga Nimanbegu














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 05/05/21 |
Mustafa Ferizi

Në Shkodër, nën drejtimin e shkrimtares dhe artistes së fotografisë Rozafa Spuza, në galerinë e saj “Oda” u hap ekspozita pikturike e artistes së arteve vizive, piktores nga Ulqini Vahide Hasanaga Nimanbegu. Më poshtë gjejmë dy vlerësime për punën e kësaj piktoreje të talentuar e cila me artin e saj tërhoqi artdashësit e pikturës në qendrën kulturore të veriut të Shqipërisë.






Cikli i pikturave të piktores ulqinake Vahide Hasanaga Nimanbegu, i realizuar kryesisht gjatë vitit 2007, dëshmon se kjo krijuese vazhdimisht po evoluon dhe po përtëritet brenda universit të vetë kreativ, duke na bërë me dije se artin e pikturës nuk e kupton si gjendje statike, të dhënë një herë e përgjithmonë, por si proces që zhvillohet dhe lëviz në mënyrë progresive, duke u zgjeruar dhe kuptimësuar në vijimësi, si në formë, po ashtu edhe në përmbajtje.
Vahida tashmë me të madhe ka hyrë në botën e abstraksionit, në magmën e ngjyrave tekanjoze, duke krijuar kodin e vetë kreativ-filozofik, të cilin mund ta deshifrojë vetëm ai që njeh gjuhën e shpirtit subtil të njeriut, vetëm ai që di t’i lexojë gjurmët e kohës, mitit dhe legjendës.


Duke komunikuar me kohën, mitin dhe legjendën, Vahida në fakt komunikon me lashtësinë të cilën në mënyrë transcendentale e bart në bashkëkohësi. Është ky transcendentalizëm filozofik, me të cilin kalohet nga ëndrrat në realitet, nga teoria në praktikë, nga mendimi estetik, në veprën artistike. Dhe krejt këtë alkimi filozofike pikturale autorja e realizon me anë të koloritit të disiplinuar dhe harmonik. Ç’është e vërteta, autorja kultivon një kolorit i cili i ngjan shumë shpirtit të saj estetik, që nga jashtë duket i qetë e madje edhe i brishtë, por në brendi është vullkan i gjallë, i përflakët dhe impulsiv. Ajo e ndjen mirë dalldinë e ngjyrave në qenien e vet kreative, e kupton qartë rebelimin e tyre, prandaj bën përpjekje të pareshtura që ato t’i qetësojë, t’i harmonizojë dhe t’i pajtojë kur ato konfrontohen, për të krijuar kështu një tërësi simfonike, një univers piktural i cili njësoj qartë dhe rrjedhshëm iu referohet ndjenjave, emocioneve por edhe mendjes dhe intelektit.





Duke u gjendur gjithnjë në ethe krijuese, piktorja hulumton mënyra të reja të shprehjes, forma të reja të komunikimit, struktura të reja të pikturimit, Në të mirë të këtij konstatimi rrëfejnë pikturat e realizuara gjatë vitit 2008, përkatësisht brenda muajve të këtij viti.



Filozofi i spikatur gjerman Niçe, konsideron se njeriu është plotësisht i lirë vetëm atëherë kur vepron në mënyrë instiktive, pra biologjike. Edhe krijuesi i cili nuk i honeps dot ndalesat as kufizimet, e do lirinë, mirëpo nuk vepron sipas instinktit biologjik, por sipas instinktit kreativ, intelektual e intuitiv, siç vepron edhe piktorja jonë Vahide Hasanaga-Nimanbegu. Në të vërtetë, Vahida e ka të lindur instinktin kreativ, pas të cilit rend sikurse njeriu që rend pas yllit të fatit të vetë, pas dritës së shpirtit të vetë estetik. Në këtë rendje apo shtegtim krijues, krijon ajo një ngjethje pikturale të dendur në strukturën koloristike, përmbajtja e së cilës jo vetëm që ndihet, por edhe dëgjohet siç dëgjohet dhe kumbon muzika e njëmendët, jehonë kjo e “shpirtit që peshkon materien për të arritur në vetëdijen tonë”(Hegeli). Dhe një art që mbështetët mbi këtë domosdoshmëri shpirtërore, siç është ky i piktores sonë, të mbetet në kujtesë, të shqetëson dhe të sfidon madje dhe atëherë kur ndahesh nga ai.


Në këtë fazë të krijimtarisë, piktores sonë Vahide H. Nimanbegu, i intereson struktura koloristike e pikturës, i intereson pastaj fenomeni dimensional i saj. Ajo synon të depërtojë sa më thellë në substancën, në magmën e ngjyrës, në akordin e saj të brendshëm. Nga ky synim lind piktura që ka ngjyrë ari, që ngjason në grunajat e praruara në muajin korrik.

Vahida ndonjëherë rrëmbehet nga dëshira për të komunikuar nëpërmjet trajtave gjeometrike, duke mos pandehur se edhe në këtë mënyrë të komunikimit artistik, është e suksesshme, madje më tepër se sa jemi të prirur të shohim dhe të pranojmë. Mirëpo, ajo sërish iu kthehet strukturave, sërish hulumton dimensionet e hapësirës dhe kohës në pikturën e vet, sërish ngjall ngacmimet shpirtërore, duke krijuar një yrnek pikture të projektuar sipas ndjeshmërisë vetanake, që ka timbër të qartë intelektual, estetik e shpirtëror.

Sigurisht se krejt kjo, rrezaton nga talenti i lindur i Vahides, nga energjia e saj krijuese, nga respekti i devotshëm që ajo ka për artin dhe për pikturën në veçanti.
Tashmë të mësuar me befasitë kreative të piktores, Vahide Hasanaga Nimanbegu, nuk mund e të mos pyesim: Vallë çfarë sfide pikturale po na përgatit ajo?

<
>
97fe6b49-5a44-4db3-99ff-2c49753e6529 22fb5013-236a-4afe-b193-27598eb38c9c 93400a3f-98ed-47ff-8a10-b7e90536a5a9

VLERËSIMI

Peizazhet abstrakte të mediteranit me bashkë tingujt infantilë

Ana Frangovska, Kuratore

Vahide Hasanagiq Nimanbegu, vjen prej Malit të Zi – nga Ulqini, është një piktore e spikatur që krijon pëlhura të fuqishme në të cilat shkëlqen ngjyra e Mediteranit, janë këto piktura në të cilat aftësia e pikturimit me virtuozitet i imponohet recipientit si prerogativ që definon kompleksitetin artistik të autores. Vizatimet infantile që pa imponime pulsojnë në veprat, vija dhe grafika e përafërt me sensibilitetin fëmijëror ose sensibiliteti art – brut janë kuintestentë në vokabularin e saj artistik. Prezantimet primitive asociojnë ekzistimin e botës së gjallë, këto janë simbole të një ekzistimi, prezantime të zmadhuara mikroskopike të qenieve miniature, vizualiteti esencial figurativ i të cilëve përcillet me intonim intim, të gjithë këto janë pjesë të peizazheve të çiltra dhe optimiste të Vahides.

Dominimi i koloritit të kaltër, nuancat tokësore dhe ngjyra e kuqe e theksuar, janë bashkë tingujt kromatik të Mediteranit me konotacion të përgjithshëm. Këtu, pushojnë variacionet e detit, këtu kemi dheun, këtu kemi brohoritjen e toreadorëve. Sipërfaqësia, dydimensionaliteti i veprimeve artistike, definon fusha të caktuara, që mund të aludojnë në peizazhet e para nga perspektiva e zogut. Aura magjike krijon bashkime specifike të figuratives – përrallore dhe asociacionit abstrakt.

Teksturaliteti dhe shtresimet prej duajve të ngjyrave, pikturimi, shfrytëzimi i materialeve jo pikturale do të kontribuojë me fitimin e efekteve plastike, ngjyrosja që krijon reliefin e sipërfaqes së pëlhurave, të gjithë këto janë vetëm disa prej karakteristikave që zmadhojnë specifikumin primitiv të Vahide Hasanagiq Nimangegut, që arrihet me brushë, thikë palete, shlyerje…

Në këtë mënyrë, me shpejtësi i kapur “panoptikumi” artistik në pëlhurat e Vahide Hasanagiq Nimanbegut, mund të shërbejë si diskurs iniciues për kompleksitetin e artit të kësaj autoreje cilësore. Publiku i Maqedonisë, ka rastin e mirë që të shohë një pjesë të krijimtarisë së kësaj artisteje dhe gjithsesi do të jetë ky një shkak cilësor për shkëmbim të përvojave me artistët tanë vendas që kanë një qasje të ngjashme stilistike – teknike, prej ku mund të pasojnë bashkëpunime të shkëlqyera në të ardhmen.

7


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas