Nga Ervis Iljazaj
Ekstradimi i disa shtetasve turq me kërkesë të Turqisë, sepse dyshohen si anëtarë të Lëvizjes FETO, lëvizje e shpallur si terroriste dhe e akuzuar nga Erdogan si organizatore e tentativës së pucit të shtetit, ka ngjallur debate të shumta për sa u përket raporteve midis Kosovës dhe Turqisë. Këto raporte arritën kulmin me deklaratat dhe kundërdeklaratat e Haradinajt dhe Erdoganit në largësi.
Në fakt kjo çështje dhe qëndrimet në raport me armiqtë e shpallur të Turqisë nga Erdogan, shumë shpejt do të mbërrijnë edhe në Shqipëri, në mos kanë arritur. Nuk është habi që në tryezën e Kryeministrit Rama të kenë mbërritur kërkesat nga Turqia për dëbimin e anëtarëve të kësaj organizate, që kryesisht operojnë në fushën e arsimit. Dhe qeveria shqiptare duhet t’iu përgjigjet me patjetër këtyre kërkesave të aleates së saj.
Në fakt, anëtarët e lëvizjes FETO në Shqipëri, përtej diskutimeve, nuk kanë shkelur asnjë ligj shqiptar apo të kenë kryer ndonjë vepër penale. Ndoshta janë armiq politikë të Erdoganit, por si qytetarë janë totalisht ligjorë. Në këto kushte qeveria shqiptare duhet të zgjedhë midis parimeve të të Drejtave të njeriut dhe aleates së saj Turqisë.
Me shumë mundësi, zgjedhja do jeta e fundit, pasi gjeopolitika nuk njeh parime por vetëm interesa. Dhe, interesat e shtetit shqiptar e duan që Erdogan dhe Turqia të jetë aleat i saj, sidomos në këto momente të turbullta të gjeopolitikës në Rajonin e Ballkanit.
Shteti shqiptar, në arenën ndërkombëtare, dhe për sa i përket ndikimit të saj, është fare i papërfillshëm, kështu që kurrsesi nuk mund të pretendojë të jetë parimore në raportet e me fuqi të mëdha si Turqia dhe për më tepër vend aleat i Shqipërisë.
Këtë luks e kanë Shtetet e Bashkuarat, të cilat për vite me radhe nuk pranojnë të ekstradojnë Gylenin në shtetin turk. Por, kjo është totalisht një histori tjetër. E megjithatë, edhe vetë Shtetet e Bashkuara, në politikën e tyre të jashtme udhëhiqen nga interesat e tyre dhe jo nga parimet. Prandaj, kur ky debat të vijë edhe në Shqipëri, nuk duhet të habitemi me pranimet për ekstradimin e anëtarëve të lëvizjes FETO.
Ka vetëm një logjikë në raportet ndërkombëtare, është logjika e forcës dhe e interesave. Gjeopolitika nuk njeh as ideologji dhe as parime.
I njëjti debat u bë në Shqipëri, me fitoren e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara nga Donald Trump. Shumë nga opozita, shpresuan se më këtë rast do të kishin mbështetjen e administratës Trump, vetëm për faktin se ai është një president i djathtë. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Në mënyrë tepër naive opozita shqiptare shpresoi më kot, duke u treguar e paditur se si funksion politika e jashtme dhe interesat që ajo mbart. Nuk ka rëndësi nëse administrata e Shteteve të Bashkuara është e majtë apo e djathtë, rëndësi për to kanë vetëm raportet e interesave me një shtet të caktuar. Kush nuk kupton këtë logjikë, nuk ka kuptuar asnjë gjë nga gjeopolitika.
Edhe në rastin e fundit, që pritet të vijë në Shqipëri me ekstradimet e gylenistëve, do të mbizotërojë me patjetër interesi shqiptar, kundrejt parimeve. Parime të cilat njohin anëtarët e kësaj lëvizjeve si shtetas që nuk kanë shkelur asnjë ligj dhe nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Mirëpo, këtë gjë e kërkon Erdogan, e kërkon një shtet i fortë dhe aleat i Shqipërisë, dhe do të jemi të detyruar t’i ekstradojmë ata, me të drejtë apo pa të drejtë.