Mapo Letrare

Ekstremet përdorin gjithmonë të njëjtën makineri propagantistike





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:00 - 24/05/20 |
Nga Marks Simoni

(Bisedë me shkrimtarin dhe regjisorin e mirënjohur Ylli Demneri, qëë jeton prej 32 vitesh nëë Francë)


Bashkëbisedoi Mark Simoni


Duke qenë se Franca është si një atdhe i dytë për shkrimtarët dhe librat shqiptar, a mendoni se Franca ka ndihmuar në përfaqësimin e letërsisë sonë më të mirë?


Së pari do doja të të thoja se edhe pse janë bërë 32 vjet që jetoj në Francë, nuk jam historian apo studiues i letërsisë shqiptare. Do të shpreh vetëm disa mendime të krijuara gjatë qëndrimit këtu si lexues i pasionuar i letërsisë. Franca është kthyer në një “atdhe” të dytë për shumë artistë e shkrimtarë nga e gjithë bota. Sidomos në fillimet e shekullit të XX. Dhe kjo vazhdon sot e kësaj dite. Përsa i përket Francës dhe letërsisë shqiptare, duhet të kujtojmë se shkrimtari i parë shqiptar që do të bëhet i njohur në Francë do të jetë Ismail Kadare. Një rastësi fatlume, po të kemi parasysh historinë e botimit të romanit të tij “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” rreth viteve 1970, të rrëfyer më vonë nga vetë autori.


Pas viteve 1990 di që janë botuar disa autorë shqiptarë, por, me aq sa kam parë unë deri tani, Kadare mbetet më i njohuri. Sapo thua që jam shqiptar, menjëherë do të thonë : ah, Kadare ! Sidomos ata që kanë qenë të rinj në vitet ’70 (të paktën kjo ndodhte para shumë vitesh. Sepse sot, gjëja e parë që të thonë pasi e marrin vesh që je shqiptar, është : “More, kam dëgjuar të flitet për mafjen shqiptare? “). Kudo ku kam qenë në Francë, veprat e Kadaresë janë prezente në çdo librari.

Ministria e kulturës franceze apo ajo e punëve të jashtëme në bashkëpunim me institucionet shqiptare mund të kenë programe për të bërë të njohur letërsinë shqiptare, por personalisht nuk kam asnjë dijeni. Duke mos i njohur veprat e të gjithë shkrimtarëve shqiptarë, padyshim që duhet të ketë midis tyre vepra që mund të paraqisnin interes për publikun francez. Sot, ndryshe nga vitet e diktaturës, çdo shkrimtar mund të dërgojë dorëshkrimin e tij në çdo shtëpi botuese. Mjafton që vepra të jete interesante dhe e shkruar mirë. Shtëpitë botuese nuk funksionojnë me njohje e miqësira. Sigurisht që botimi në Francë kthehet në një lloj garancie për botime në gjuhë të tjera.

 

Çfarë jehonash kulturologjike dhe intelektuale të ardhura nga Franca i kanë bërë mirë shëndetit të kulturës shqiptare?

Mendoj se i kanë bërë mirë të gjithë ato shkrimtarë e mendimtarë francezë që lexoheshin në origjinal nga elitat shqiptare që në fillim të shekullit të XX, si dhe më vonë, falë përkthimeve në shqip. Shkrimtarë e artistë nga të gjitha kontinentet e kanë parë Francën si djepin e kulturës. Madje edhe për ato shqiptarë që u formuan në shkollat gjermanofone rreth viteve ’30, Franca dhe kultura franceze mbetej pika e tyre e dobët. Një ditë e bija e Eqrem Çabejt më tregonte që të atit që kthehej nga Vjena, ku kishte qenë i ftuar në një simpozium, për në Tiranë, i qe dashur të priste disa orë në aeroportin e Parisit. Dhe kur i kishte mbrritur në shtëpi i kishte thënë të bijës plot emocion : « Nuk munda ta shoh Parisin, por shkela më në fund tokën franceze”. Të mos harrojmë, gjithashtu, që në shkollat më të mira shqiptare të viteve ’30, mësohej gjuha franceze. Pa harruar liceun e Korçës. Pastaj, pas luftës së dytë botërore në Shqipëri do të dominojë kultura sovjetike  si më e afta për shplarjen e trurit. Përgjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, njohja e kulturës perëndimore në përgjithësi, dhe asaj franceze në veçanti, do të jetë i kufizuar. Arti dhe letërsia moderne, ashtu siç kishin bërë nazistët në vitet ’30, do të ndaloheshin e do t’u vihej epiteti «të degjeneruar ». Ekstremet përdorin gjithmonë të njejtën makineri propagantistike. Brezi ynë do t’i zbulonte autorët modernë (pa patur frikë se mund të futeshe në burg), vetëm pas rënies së diktaturës. Ajo që ndodhi edhe me mua. Dhe pa e tepruar, do të thoja se zbulimi i disa autorëve, ka qenë një kënaqësi e vërtetë intelektuale. Por jo vetëm në fushën e letërsisë.

Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, siç e thashë edhe më lart, nuk jam studiues i letërsisë shqiptare, por me aq sa kam nuhatur nga leximet, kulturën franceze e gjejmë në saktësinë e përdorimit të fjalëve tek Vedat Kokona dhe Jusuf Vrioni. Jo vetëm në fushën e përkthimit, por edhe në atë të shkrimit. Jo më kot francezët thonë : “Jemi ajo çka hamë”.

Çmund t’i thoni lexuesit tonë për fillimet tuaja në Francë, dhe çfarë mendoni se keni bërë mirë apo do të bënit më mirë me jetën tuaj atje ?

Unë kam shkuar në Francë për studime postuniversitare në fushën e kinematografisë falë një burse franceze që erdhi në vitin 1988 dhe që drejtuesit e asaj kohe në Kinostudio, ku dhe isha i punësuar, ma dhanë mua. Me ndryshimet që ndodhën në Shqipëri rreth viteve 1990, ku nuk bëhej më fjalë për të bërë filma, vendosa të qëndroj në Francë. Për arsye objektive e subjektive nuk jam marrë me kinematografi. “Filmat” do t’i realizoj më vonë me anë të fjalëve duke botuar librat “Më kujtohet” (dy vëllime), “E dashur A.”, “Bloc-notes” si dhe “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”.

Çdo gjë ka ardhur natyrshëm. Dhe në kohën e duhur. Kur pjekuria dhe kultura franceze ishin ngjizur. Nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj asnjëherë se çfarë duhej të kisha bërë dhe çfarë jo. Nuk kam bërë asnjëherë plane. I kam besuar gjithmonë rastësisë. Nuk kam asnjë pendim. Tek të gjithë librat që kam shkruar i jam shmangur “çdo gënjeshtre artistike”, po të përdorja një shprehje të  Rodin-it. Kjo, si dhe pritja e mirë që u është bërë atyre, më kanë falur një lloj qetësie me veten. Ashtu si dhe 96% e personave që shkruajnë e botojnë në Francë (sipas sondazheve), edhe unë punoj që prej shumë vitesh si drejtor artistik në revistën franceze “Le Journal des Acteurs Sociaux”. Në kohën që më mbetett ulem për të shkruar. Ulem, sepse frazat fillojnë e formohen kudo që të jem.

Pavarësisht se kufijtë e letërsive tashmë nuk janë shumë të dallueshëm, a mendoni se veprat e autorëve tanë në Francë kanë ndonjë frymë të shkollave dhe tendencave letrare franceze? Çka e bën të dallueshme letërsinë e sotme Franceze nga letërsitë e tjera të mëdha?

Siç shpreha në krye, autorët shqiptarë të botuar në Francë janë gati të padukshëm, përveç Kadaresë. Kam lexuar vetëm dy prej tyre në frengjisht, Besa Myftiun dhe Ornela Vorpsin. Pra kam njohje të pamjaftueshme për të dalë në përfundime. Shkollat dhe rrymat në art kanë kohë që janë tretur, sidomos në letërsi. Aktualisht nuk dominon asnjë rrymë apo shkollë. Por mund të thuhet që vitet e fundit vihet re që po zë vend ajo që Serge Doubrovsky e ka quajtur për herë të parë, “autofiction”. Megjithëse gjurmët e “autofiction” i gjejmë edhe në krijimtarinë e Proust-it, etj.

Çfarë do t’i prezantoni lexuesit tonë nga projektet dhe planet tuaja krijuese, apo dhe kontributet akademike apo intelektuale në punën që keni?

Përveç një vëllimi me haiku që është pothuajse gati, të tjerat janë në ngjizje e sipër. Para se të përhapej coronavirusi, prisja që në fillim të majit të prezantoja “Më kujtohet” në panairin e librit në Selanik, përkthyer në greqisht nga Eleana Ziakou. Ishte një inisiativë dhe një përpjekje e saj. Ç’ka më gëzoi. Shpresoj që të dalim nga kjo situatë dhe botimi i librit të mos përfundojë në kalendrat greke (qesh).

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas