Blog

Ekuacioni i mbrapshtë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 13/08/20 |
mapo.al

Ekonomia botërore do të humbasë 21 trilionë dollarë prodhim vetëm në 2020-n si pasojë e Covid-it. Kjo është të fshish të gjithë GDP-në e SHBA-ve me një të rënë.


Qeveritë e botës vlerësohet se kanë marrë mbi 7 trilionë dollarë borxh të ri publik për këtë vit duke rritur deficitet fiskale në nivele të pashënuara më parë për të zbutur krizën ekonomike që shkaktoi pandemia.


Por pavarësisht këtyre humbjeve të tmerrshme, e gjithë bota po shpenzon vetëm 10 miliardë dollarë për të gjetur kurën apo vaksinën e virusit.


Politikanët dhe qeveritë kombëtare e kanë gjetur armikun për dështimin. Të gjithë sulmojnë OBSH-në. Në fakt, fajet dhe gabimet e OBSH-së në menaxhimin e krizës janë të pafundme. Por fatkeqësisht ajo nuk është mëkatarja e vetme.


Bota ka nevojë për udhëheqje. Kur ti humbet 21 trilionë dollarë në një vit, nuk mund të shpenzosh vetëm 10 miliardë dollarë para publike për të gjetur zgjidhjen.

Një nga tezat më të gabuara që përhapet qëllimisht është se fajin për krizën ekonomike e pati karantina. Por nuk është fare kështu. Kur ka krizë globale të shëndetit publik, ekonomia shkon automatikisht në krizë, pavarësisht nëse qeveritë vendosin ose jo kufizime ekonomike.

Suedia nuk u mbyll fare. Por në tremujorin e dytë ekonomia suedeze u tkurr me 8.3 për qind. Në SHBA, humbjet më të mëdha ekonomike nuk vijnë nga mbyllja. Por për shkak se njerëzit kanë frike t’i rikthehen jetës normale. Nuk shkojnë në restorante, nuk shkojnë në punë, nuk shpenzojnë para si më parë etj.

Ekspertët përllogarisin se minimalisht bota duhet të kishte akorduar 200 miliardë dollarë vetëm për vaksinën. Sigurisht që një pjesë e këtyre parave do të shpërdoroheshin. Sigurisht që shumë nga vaksinat kandidate do të dështonin. Por nëse ti financon 20 vaksina kandidate, ka 90 për qind probabilitet që njëra prej tyre të ketë sukses.

Këta po marrin borxh, në emër të krizës shëndetësore, por nuk shpenzojnë para për sektorin e shëndetësisë.


Etiketa:

Pas