Një shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri brenda një automjeti në Spanjë. Trupi i tij është gjetur i pajetë nga banorët të cilët njoftuan policinë. Ngjarja ka ndodhur në rajonin Totana të Spanjës. Sipas mediave spanjolle, trupi i pajetë i shqiptarit u gjet mesditën e së mërkurës (27 mars) pranë rrjedhës së lumit Guadalentin.
Deri më tani identiteti i shqiptari nuk është bërë i ditur. Mediat spanjolle shkruajnë se ai dyshohet se është vrarë të hënën e kaluar disa kilometra larg Totana-s. Megjithatë trupi i tij u gjet dje, shkruan ABC News.
Bëhet fjalë për një shqiptar, i cili më parë ka punuar në disa klube nate dhe bare, ndërsa kohët e fundit kishte filluar të punonte si truprojë. Ai jetonte në Mazarron. Policia po fokusohet te kontaktet dhe marrëdhëniet që ka pasur viktima pasi puna që kryente së fundmi mund ta ketë bërë shënjestër të krimit të organizuar.
Mësohet se ai është qëlluar me një plumb pas koke. Trupi i tij u gjet në një zonë pranë lumit Guadalentin. Ishte një banor i zonës që ngriti alarmin pasi kishte parë një makinë që nuk lëvizte.
Pasi policia shkoi në vendin e ngjarjes, pak metra larg mjetit gjeti kufomën e shqiptarit, i cili kishte shenja dhune. Autoritetet nuk mundën të gjejnë shumë prova prej vështirësive të zonës, me shkurre dhe mbeturina.
Për sa i përket autorëve, dyshohet se janë profesionistë për shkak të ftohtësisë dhe saktësisë që kanë vepruar. Kjo ka vënë në dyshim autoritetet për të kuptuar nëse shqiptari është vrarë në vendin ku u gjet, apo është vrarë diku tjetër.