Konferenca e parë për shtyp pas rizgjedhjes si presidenti i ri i UEFA-s nuk ka shkuar aq lehtë sa e mendonte Aleksander Çeferin, i cili është dashur të përballet me pyetje rreth akuzave për mashtrim financiar të dy prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv që do ta shoqërojë në mandatin katërvjeçar. Pjesëtarë të rinj të Ekzekutivit të UEFa-s janë edhe presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi dhe presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit, Andriu Pavelko, të cilët po përballen me akuzat për mashtrime financiare dhe janë nën hetim nga organet ligjore.
Al Khelaifi, i cili u propozua nga klubet evropiane, është nën hetim në Zvicër për shkelje financiare që kanë lidhje me FIFA-n, ndërsa prej kohësh shihet si një nga personat që bashkëpunonte më nga afër me ish-kreun e UEFA-s, Mishel Platini e kishte bërë marrëveshje aspak etike me francezin.
Ndërsa disa organizata në Ukrainë dërguan shkresa zyrtare në UEFA duke kërkuar që të mos lejohej kandidimi i Pavelko, i cili ishte nën hetim për mashtrim financiar në vendin e tij. “Letrat që kanë mbërritur nuk kishin asnjë provë konkrete. Duhet të mbajmë në mendje prezumimin e pafajësisë së personave në fjalë dhe nuk kishte pse të bllokonim kandidimin dhe zgjedhjen e tyre”, shpjegoi Çeferin, i cili njeh mirë çështjet ligjore pasi është avokat i njohur në arenën ndërkombëtare.
Situata me Al Khelaifin është edhe më e komplikuar për faktin se klubi i tij është nën hetim nga vetë UEFA për mashtrim financiar pasi ka thyer rregullat e FPF. Ai gjithashtu është pronari i BeIn Sports, e cila ka disa të drejta transmetimi të UEFA-s. Hetimi në Zvicër përqendrohet kryesisht mbi akuzën se Al Khelaifi përdori ryshfete në FIFA që të siguronte të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Botërorit për rrjetin e tij televiziv.
“E kuptoj që mund të quhet konflikt interesi, por nuk mendoj se ky është shqetësimi i duhur për momentin”, tha Çeferin i cili me sa duket nuk e ka nisur me këmbën e mbarë mandatin e tij të dytë.