Ekzekutohet në rrethana misterioze dhe më pas hidhet në një kryqëzim rruge në afërsi të bregdetit të Semanit një 21-vjeçar nga Fieri. Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e mbrëmjes së të dielës, ndërsa burime nga policia thanë se i riu mund të jetë ekzekutuar për të grabitur një sasi parash të fituara në lojëra fati, ndërsa nuk mohohen edhe pista të tjera hetimi.
Trupi i pajetë i 21-vjeçarit, që më vonë u identifikua si Andi Prifti, banor i lagjes ‘Sheq i Vogël’ në qytetin Fier, është gjetur nga kalimtarë të rastit në vendin e quajtur depozita e ujit të fshatit Seman, në rrugën që të çon për në qendrën e komunës Topojë. Banorë të këtij fshati që ktheheshin për në banesat e tyre kanë diktuar trupin e mbytur në gjak dhe kanë lajmëruar punonjësin e policisë së zonës së tyre. Ky i fundit ka komunikuar me kryetarin e komunës. Ka qenë kryetari i komunës Topojë që ka shkuar së bashku me punonjës të policisë në vendin e ngjarjes dhe pasi ka konfirmuar ekzistencën e trupit të pajetë e të gjakosur, ka lajmëruar policinë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes së bashku me grupin e ekspertëve. Pas këqyrjes paraprake të kufomës, është arritur në përfundim se i riu nuk është ekzekutuar në atë vend, por ai është qëlluar me armë zjarri në një tjetër vend dhe pasi është transportuar në orët e buzëmbrëmjes, është hedhur nga ndonjë automjet në vendin ku është gjetur nga kalimtarë dhe banorë të zonës së Semanit. Në vendngjarje nuk janë gjetur gjurmë të tjera përfshi edhe gëzhoja që të ngrinin alibinë e ekzekutimit në afërsi të kullës së ujit të pijshëm të zonës bregdetare. Pas këqyrjes së kufomës është parë se i riu është ekzekutuar në pjesën e sipërme të trupit në afërsi të qafës.
Burime nga policia kanë pohuar paraprakisht se viktima nuk është i skeduar si person me precedentë dhe po ashtu të njëjtat burime saktësuan se nga verifikimet e kryera në lagjen ku ai banonte rezulton se i riu ka patur një sjellje tepër korrekte dhe rrjedh nga një familje po ashtu pa probleme. Familja e tij ka në pronësi një njësi shitjeje në lagjen ‘Sheq i Vogël’, ndërkohë nisur nga këto të dhëna policia është duke verifikuar për ndonjë konflikt të lindur mes të riut dhe ekzekutorëve. Sipas dëshmive të para i riu mund të jetë përfshirë në konflikte për shkakun e një shume të hollash që ai ka fituar në një lojë fati apo një konflikt të ngjashëm. Dyshohet se persona që mund të kenë pasur dijeni mbi shumën e parave të fituara në lojëra fati prej Priftit, mund ta kenë vrarë të riun me qëllim marrjen e tyre. Kjo pistë hetimi nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia, ndërsa mësohet se vijon puna për të zbardhur arsyet e vrasjes së të riut.