Aktualitet

Elbasan – Blerja e votës sjell konflikt, 1 i vdekur dhe 4 të plagosur














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:27 - 22/04/21 |
mapo.al

Përplasje e rëndë në Elbasan, pasi u kapën njerëzit e Ballës duke blerë vota. 1 i vdekur dhe 4 të plagosur. Numri dy i PS akuzon PD për angazhim paramilitarësh. Gazment Bardhi: Taulant Balla, shkaktar dhe përgjegjës për ngjarjen tragjike






“Një makinë pa targa po shpërndan para për vota”. Ka qenë ky denoncimi i Partisë Demokratike në Policinë e Elbasanit mesditën e djeshme, ndërkohë që më pas, ngjarja do të merrte përmasa tragjike. Sipas raportimeve, një mjet i dyshimtë u pikas se po shpërndante para pranë zyrave të shtabit elektoral të PD dhe për këtë arsye ata kanë vënë në dijeni Policinë e Elbasanit, duke lokalizuar edhe vendndodhjen e makinës. Sipas denoncimit të PD, automjeti tip “Mercedes Benz ML” ishte pa targa, ndërkohë që brenda tij ndodheshin kartëmonedha të prerjeve të ndryshme, karta ID të votuesve dhe fletë votimi. Policia doli me version zyrtar për ngjarjen disa orë pasi kishte ndodhur përplasja, duke deklaruar se ka pasur shkëmbim zjarri nga të dyja palët.


Dinamika
Përfaqësues të shtabit elektoral të PD janë vënë në ndjekje të automjetit të dyshimtë dhe e kanë ndaluar atë. Raportohet se në makinën pa targa udhëtonin Pjerin Xhuvani, eksponent i angazhuar në fushatën e PS dhe 3 persona të tjerë, njëri prej të cilëve dhëndri i tij, Eltjon Bodinaku. Mes palëve nis një konflikt verbal dhe më pas fizik, ndërsa degjeneron deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Si rezultat mbetet i vrarë me pesë plumba ish-kryetari i LSI në Elbasan, Pjerin Xhuvani, i cili në këto zgjedhje ishte pozicionuar në krah të PS.





Ndërsa 4 persona të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe efektivja e “Shqiponjave”, Xhensila Sota. Personat e dyshuar se kanë qëlluar me armë zjarri janë Arbër Papleka, ish-efektiv i RENEA, i ngarkuar me punë nga PD për të mbrojtur votën dhe pjesë e shtabit të PD në Elbasan, si dhe Kelmend Xhaferri, ky i fundit ishte në shoqërinë e Pjerin Xhuvanit. Xhuvani ishte denoncuar dhe më parë nga Partia Demokratike, si pjesë e konfliktit mes mbështetësve të saj dhe atyre të Partisë Socialiste në Elbasan gjatë festës së Ditës së Verës. Pas ngjarjes, Arbër Papleka u vetëdorëzua në polici, ndërsa në dëshminë e dhënë përpara grupit hetimor është shprehur se ka qëlluar me armë zjarri për vetëmbrojtje.



Policia ishte prezente gjatë konfliktit, misteri i makinës pa targa
Një dëshmitar okular i tha BIRN se kishte parë një grumbullim me njerëz dhe një debat me fjalë mes personave në dy makina të ndaluara në mes të rrugës. Dëshmitari tha se nuk kishte mundur të dëgjonte përse po përplaseshin personat, por tha se e pranishme në vendngjarje kishte qenë edhe policia.



Balla: PD solli sot në mëngjes forca paramilitare
Koordinatori i PS-së për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla është prononcuar për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre një punonjëse policie. Balla u shpreh se autorësia duhet t’iu lihet organeve të drejtësisë, por nuk ngurroi të shtojë se prej mëngjesit të së mërkurës në Elbasan kanë zbarkuar forca paramilitare të Partisë Demokratike, me synimin për të ushtruar terror ndaj të gjithë atyre që përkrahin Partinë Socialiste.

Basha: Refuzojmë dhunën, shitblerja e votës s’na ndal
Nga Durrësi kreu i PD Lulzim Basha tha se e refuzojnë dhunën. Kryedemokrati nuk e përmendi ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë aktivisti i PS, Pjerin Xhuvani, por theksoi se nuk ka shitblerje votash që e ndal ndryshimin. “Nuk ka forcë, banda dhe shitblerje votash të na ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim. Fitorja ka zbritur në zemrat tuaja,” deklaroi Basha.

Ambasada e SHBA, thirrje liderëve politikë: Refuzoni dhunën
Lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit, me shqetësim reagoi edhe ambasada e SHBA në Tiranë, e cila iu bëri thirrje liderëve politikë që të tregojnë vetëpërmbajtje. “Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ambasada e BE: Tregoni vetëpërmbajtje
Ambasada e BE ka reaguar pas konfliktit me armë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, eksponent i PS dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre një police. “Akti i dhunshëm që ndodhi sot (dje) në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhet të bëhet qartësi në lidhje me përgjegjësitë dhe të ndiqet në tërësi”, deklaroi ambasada e BE.

Lexo edhe :  Atentati në Elbasan - Everest Caka u qëllua me 12 plumba, shoqërohen 20 persona

Deklarata e Bardhit
Mbështetësit e Ballës qëlluan të parët në prani të policisë
Drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Gazment Bardhi, ka fajësuar direkt për ngjarjen deputetin e PS për Elbasanin, Taulant Balla. Pasi shprehu keqardhjen për ngjarjen, dhe ngushëllimet për familjen e të ndjerit, tha se konflikti është nxitur nga mazhoranca e cila kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht, ndërsa përgjegjësia e drejtpërdrejtë është e Taulant Ballës. Sipas tij, angazhimi i eksponentëve të krimit të organizuar në zgjedhje bëhet me qëllimin që ai të ruajë pushtetin e tij personal. Më tej zoti Bardhi dha dhe kronologjinë e ngjarjes. “Sot (dje) kur morëm informacione të sigurta, që një automjet pa targa po lëvizte në lagjen “5 Maji”, i drejtuar nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demonstrative, po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti, ne njoftuam strukturat e Mbrojtjes së Votës, të shkonin ta verifikonin. Strukturat e Mbrojtjes së Votës kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe pa asnjë precedent penal.

Pasi kjo njësi e verifikoi informacionin, ata kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtpërdrejt Drejtori i Policisë Vendore Elbasan”, thuhet në deklaratë. Më tej, në deklaratë thuhet se gjatë kohës që policia ka qenë duke zhvilluar procedurat e verifikimit, në prezencë të tyre ka ardhur pjesa tjetër e mbështetësve të PS dhe kanë filluar të qëllojnë me armë duke lënë të plagosur dy nga ish-efektivët. “Është njoftuar drejtpërdrejt Drejtori i Policisë Vendore Elbasan. Pas mbërritjes së disa efektivëve të Policisë së Shtetit, me në krye Nëndrejtorin e Policisë Elbasan, strukturat tona kanë kërkuar që Policia të kryejë veprimet procedurale në përputhje me ligjin. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara. Në këto makina ndodheshin anëtarë të krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të Elbasanit në Ditën e Verës.

Në këtë moment, në prezencë të Policisë së Shtetit, në tentativë për të mundësuar largimin e makinës dhe personit që po blinte vota, një nga personat që dyshohet të jetë Klement Xhaferri, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar nga strukturat tona, kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të anëtarëve të Strukturës për Mbrojtjen e Votës. Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish-punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan”, shprehet Bardhi. Nga ana tjetër, drejtuesi politik i PD ka sqaruar dhe pozicionin e ish-efektivit Arbër Paplekaj, si pjesë e strukturës së mbrojtjes së votës. “Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi im, siç u dezinformua me dashje media. Unë jam prej ditës së parë në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe nga ekipi im, dhe nuk kam nevojë për badigardë. Por po, ai është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës.

Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për t’u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Iu bëj thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në qarkun Elbasan”, thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga shtabi elektoral i PD në Elbasan.

1


Etiketa: , ,

Pas