Shefi i Komisariatit të Cërrikut, Shefi i Krimeve të këtij komisariati dhe dy specialistë hetimi pranë Komisariatit të Elbasanit janë pezulluar sot nga detyra me vendim gjykate. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Brendshme e cila tha se punonjësit e policisë akuzohen për shpërdorim detyre dhe zbulim të të dhënave sekrete.
Deklarata e plotë
Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Elbasan në vijim të procedimit penal të filluar për ekspozimin e arsenalit të armëve në qytetin e Elbasanit ka bërë sot ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për “Pezullim të ushtrimit të detyrës” për 4 punonjës policie ne nivel drejtues.
SHÇBA Elbasan ekzekutoi vendimin e Gjykates se Elbasanit vendosi masat e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të detyrës, në mungesë”, si persona të dyshuar për veprat penale të parashikuar nga nenet 248 dhe 259/a/3 të Kodit Penal për ta.
Vendimet:
– Gjykata ka vendosur “Pezullim i ushtrimit të detyrës” për Kryekomisar Bilal Semanaj, 50 vjeç, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Cërrik, si person i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”;
– Gjykata ka vendosur “Pezullim i ushtrimit të detyrës” për Komisar A.XH., 45 vjeç, me detyrë Shef i Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik, si person i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”;
– Gjykata ka vendosur “Pezullim i ushtrimit të detyrës” për Nënkomisar E.GJ., 41 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, si person i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”;
– Gjykata ka vendosur “Pezullim i ushtrimit të detyrës” për Nënkomisar E.H., 40 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, si person i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Ngjarja
Më 1 korrik u zbulua një arsenal armësh në Elbasan. Dyshohet se shefat e policisë kanë nxjerrë informacione dhe foto të arsenalit të armëve. Bëhet fjalë për sekuestrimin e 7 kallashnikovëve, 5 pistoleta dhe fishekëve, të cilat janë zbuluar në disa shkurre, pranë një karburanti në rrugën nacionale në Papër. Armët sipas burimeve janë gjetur një ditë pas atentatit ndaj dy vëllezërve Braho. Policia ka shpallur në kërkim, shtetasin I.Beko, pronarin e karburantit ku u sekuestrua arsenali i armëve.