Flakët e zjarrit përfshijnë një sipërfaqe të mbuluar nga shkurre e pisha në Mengël të Elbasanit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikëset, por për shkak të terrenit të thyer malor nuk kanë mundur të afrohen afër vatrës së zjarrit. Zjarrfikëset nuk kanë lejuar që zjarri t’u afrohet zonave të banuara. Për fikjen e flakëve janë angazhuar punonjës të drejtorisë së pyjeve dhe banorë të zonës. Pas disa orë përpjekjesh, zjarri është fikur, por dëmet kanë qenë të konsiderueshme, pasi flaka ka shkrumbuar dhjetëra rrënjë me pisha dhe sipërfaqe të mëdha me shkurre.
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe grupi hetimor. Sipas të dhënave paraprake, shkaku është aksidental nga hedhja e ndonjë bishti cigareje ose ndezja e ndonjë zjarri nga barinjtë. Megjithatë, çështja është nën hetim. Edhe pse ende jemi larg verës, gjatë këtij muaji në Elbasan kanë shpërthyer 5 zjarre të ndryshme. F. S