Kryesore

Elbenita Kajtazi: Udhërrëfyesi i dritës për publikun botëror




               Publikuar në : 08:05 - 16/03/19 |
mapo.al

Alessia Selimi


Gjurmët e frikës, lotëve dhe pasigurisë që shtrohej për të ardhmen në Kosovën e ’99 dukej se do të gërshetoheshin së bashku me një lloji pakti të heshtur për të krijuar një artiste e cila do t’i tregonte botës brishtësinë  e një vogëlusheje 7-vjeçare. Elbenita Kajtazi, në kërkim të pareshtur për të çliruar shpirtin nga klithmat dhe imazhet e murrëtyera, ka arritur të gërmojë ndjesi të ngrohta te publiku i skenave operistike botërore. 27-vjeçarja nga Mitrovica, dëshmon se si larmishmëria e ngjyrave në këtë jetë e bëjnë akoma edhe më të bukur këtë të fundit. Zëri i Elbenitës, i cili është cilësuar nga mediat e huaja si engjëllor, vjen për “Mapo” duke iu përmbajtur pentagramit  të saj jetësor që, ndryshe nga pentagrami muzikor, përmban tre nota; të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Të pleksura me njëra-tjetrën , Elbenita rrëfen me çiltërsi copëza disfate, reflektimi, lumturie e dëshirash, të cilat ecin paralelisht me objektivat e saj afatgjatë.

Ju keni studiuar në Akademinë e Muzikës në Mitrovicë e më pas në Universitetin e Prishtinës, çka nënkupton se keni punuar shumë për të arritur këtu ku jeni sot. Por përfshirjen tuaj në rrymën operistike si do ta përkufizonit, rastësi apo zgjedhje?

Unë kam filluar të këndoj si fëmijë në moshën 7-vjeçare, gjatë kohës së luftës në Kosovë. Këndimi më ka dërguar në një botë tjetër, duke bërë të mundur kështu ikjen time nga realiteti i hidhur i asaj kohe. Kur u kthyem nga Shqipëria, meqenëse unë dhe familja ime kemi qenë atje refugjatë, fillova të këndoj në mënyrë më aktive nëpër koncertet e shkollës fillore. Kur erdhi koha e shkuarjes në shkollë të mesme, babai im insistoi që unë të shkoja në shkollën e muzikës, duke mos e ditur as unë dhe as ai që do zgjidhja më pas këndimin operistik. Asokohe unë nuk e njihja dhe as nuk ia kisha idenë se çfarë ishte. Kur fillova të mësoj notat, mënyrën e të kënduarit, luajtjen në piano, fillova të lidhesha çdo ditë e më shumë me muzikën klasike. Më pas, hap pas hapi, zbulova edhe operën dhe kuptova se thellë në shpirtin tim gjendej një dëshirë e madhe për të kënduar në të gjitha skenat e botës. Kuptova se kjo ishte mënyra më e mirë për të shprehur atë që gjendet në brendësi të shpirtit tim. Rrugëtimi im nuk ka qenë i lehtë, por kam pasur fatin e madh të njoh njerëzit e duhur në momentet e duhura, si profesoreshën time të këndimit Caroline Merz, regjisoren e mirënjohur botërore Vera Calabria dhe të madhen Ermonela Jaho. Këto tri gra janë shtylla e suksesit tim, të cilat vazhdoj t’i kem pranë në rrugëtimin e ndërmarrë.

“The Times” shkruante në mars të 2018-s për rrëmbimin e çmimit të tretë dhe të audiencës në “Glyndebourne Opera Cup” dhe për faktin sesi Elbenita shndërrohej në skenë në një person të lumtur. Kjo nënkupton se fijet tuaja lidhëse të jetës personale me atë profesionale janë tejet të forta?

Për mua skena është hapësira ku dua të jem gjithmonë, është ajo e cila më jep mundësinë të shpreh ndjesitë. Rolet që marr përsipër të interpretoj ndërlidhen në mënyrë të pashmangshme me jetën time dhe me atë se çfarë kam përjetuar si fëmijë dhe si e rritur. “Glyndebourne Opera Cup” ka qenë një eksperiencë që nuk kam për ta harruar kurrë. Të fitosh çmimin e publikut në mënyrë absolute në një vend që nuk je paraqitur asnjëherë do të thotë jashtëzakonisht shumë, jo vetëm për një artist, por edhe për vetë anglezët. Jo më kot më kushtuan hapësirë edhe në gazetën prestigjioze “The Times”. Ajo që iu ka lënë më shumë përshtypje ishte mënyra sesi arrita të depërtoja në zemrën e publikut. Unë me Arien Traurigkeit (Trishtimi) dhashë shpirtin tim dhe ata e vlerësuan jashtë mase sinqeritetin tim në skenë, sepse në të vërtetë ishte një kanalizim i asaj që ndodhet brenda meje.

Ju e keni ndërtuar në mënyrë të atillë jetën tuaj që fjalët kyçe të jenë pikërisht notat muzikore. Por le të kthehemi pak në kohë. Lufta e Kosovës, ka lënë gjurmë brenda Elbenitës?

Lufta e Kosovës ka lënë gjurmë te të gjithë ata që e kanë përjetuar dhe sigurisht edhe tek unë. Janë gjurmë që do më ndjekin gjithmonë. Nuk është e lehtë të jesh 7 vjeçe dhe të shohësh gjëra të atij lloji. Por ajo që kam përjetuar asokohe kanë bërë atë që jam sot. Nuk e cilësoj si eksperiencë të mirë, përkundrazi, por e shoh si eksperiencë që më ka frymëzuar në interpretimet dhe paraqitjet e mia, sidomos në operat e Puccinit dhe Verdit.

Kosova ende nuk e ka një shtëpi operistike. Si ndiheni ju në lidhje me këtë, duke marrë parasysh se nuk janë të rralla herët që keni performuar me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës?

Unë e di që shteti im ka prioritete të tjera si shëndetësinë, ekonominë e arsimin, por sërish është e dhimbshme për mua që nuk ekziston një sallë koncertale në Kosovë. E dhimbshme dhe e pakonceptueshme. Interesimi për të ndjekur koncertet e muzikës klasike në Kosovë është jashtëzakonisht i madh dhe kjo është çka e bën situatën edhe më të trishtë. Të tregohem e sinqertë, nuk kam shpresa për një shtëpi operistike. E di sesi shkojnë gjërat në Kosovë dhe për të arritur deri te shtëpia operistike duhet shumë kohë.

Si do e cilësonit trajtimin që i bëhet zhanrit operistik në Shqipëri?

Unë nuk kam shumë njohuri sesi po shkojnë gjërat në Shqipëri, prandaj nuk mund t’i jap një përgjigje konkrete kësaj pyetjeje. Megjithatë, kam dëgjuar dhe kam parë reklama të produksioneve të bukura të Teatrit të Operës dhe Baletit… Mua më ngelet t’i uroj vetëm suksese.

Ju, sikurse të tjera soprano të mirënjohura, si Ermonela Jaho e Inva Mula, keni performuar në shumë skena madhështore. Mirëpo, sa i lehtë mund të cilësohet rrugëtimi i artistëve shqiptarë për të depërtuar më pas edhe në zemrën e publikut të huaj?

Rrugëtimi nuk është aspak i lehtë, duhet përkushtim shumë i madh dhe punë e vazhdueshme, punë nga e cila nuk mund të tërhiqesh dot asnjë sekondë, sakrificë shumë e madhe dhe nuk duhet harruar asnjëherë që konkurrenca është shumë e madhe. Unë mendoj që publiku, pa marrë parasysh se nga cili vend është, arrin ta dallojë një artist që jep më të mirën dhe që përkushtohet për një paraqitje sa më të denjë.

Kë rol të luajtur deri më tani do të veçonit, për ta cilësuar si më përfshirës, identifikues dhe katalizator ndjesish?

Kam kënduar shumë role deri më tani. Mund të përmend ndër to atë të Violettas, Musettas, Paminas dhe Susannas. Unë do të veçoja rolin e Gretel nga opera Hänsel und Gretel, për të vetmin fakt që kam gjetur fëmijërinë time të varfër por njëkohësisht të shoqëruar edhe nga loja dhe argëtimi që karakterizon çdo vogëlush. Madje do thoja se ka patur edhe raste muzikale që kam pasur lot në sy përgjatë interpretimit të këtij roli.

Cilët janë objektivat afatshkurtër e ata afatgjatë që shtrohen përpara Elbenitës?

La Scala është sfida ime e radhës. Më pas do të cilësoja operan e Bordeaux në Francë, San Diegos në SHBA, Staatsoper në Hamburg etj. Të tjerat do të doja t’i zbuloja me kalimin e kohës.

A keni hasur probleme deri më tani për faktin e të qenit nga Kosova, për sa i takon ushtrimit të profesionit tuaj jashtë, pasi sikurse dihet, Kosova ende nuk njihet nga shumë shtete.

Probleme të kësaj natyre kam hasur deri në momentin që po flasim. Janë të shumta, por mund të përmend dy më aktualet. Unë isha vitin e kaluar në Barcelonë një ndër fitueset e konkursit internacional Vinjas dhe jam detyruar të paraqitem me flamurin e Shqipërisë pasi Spanja nuk e njihte Kosovën si shtet. Më pas vendosen në listë edhe peripecitë që të duhet t’i kalosh nëpër kontrollet e aeroporteve, ku ndihesh sikur nuk meriton të jetosh si gjithë të tjerët. Rasti më i fundit është në Chile, ku rrezikoj të humbas kontratën e punës. Kam marrë përsipër të interpretoj në teatrin operistik të Santiagos një rol tejet sfidues dhe të lodhshëm. E megjithatë, përballë më shtrohet rreziku i përmendur pasi Chile nuk e njeh Kosovën. Unë kam bërë kërkesë për pasaportë shqiptare dhe uroj shumë që ta kem këtë pasaportë në kohë, për të mos e humbur këtë mundësi të fituar me aq shumë sakrifica. Gjithnjë nën mendimin dhe besimin se jemi një popull i lidhur ngushtë me zakonet, traditat dhe gjuhën, shpresoj që të gjitha pengesat të kapërcehen. Fundja, artistët janë ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre.


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas