“E dashur Shqipëri. Kam qenë gjithnjë kureshtare dhe e hipnotizuar nga misteret e tua. Unë jam një shqiptare e Amerikës nga Bostoni. Gjyshërit e mi emigruan në Amerikë në vitet 1940 dhe u larguan nga kjo jetë përpara se unë të lindja. Babai im më ka mësuar të jem krenare për gjakun tim shqiptar dhe tani është koha për mua që të zbuloj përse-në”, me këto fjalë e nis dokumentarin e saj nën titullin “E dashur Shqipëri” aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku.
U prezantua dje në sallën UNESKO të Muzeut Kombëtar dokumentari “Dear Albania” i aktores së njohur me origjinë shqiptare, Eliza Dushku. Një rrugëtim në 15 qytete të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Tetovën dhe Prishtinën në një guidë turistike promovuese për traditat, kulinarinë, besimin dhe turizmin shqiptar
“E dashur Shqipëri. Kam qenë gjithnjë kureshtare dhe e hipnotizuar nga misteret e tua. Unë jam një shqiptare e Amerikës nga Bostoni. Gjyshërit e mi emigruan në Amerikë në vitet 1940 dhe u larguan nga kjo jetë përpara se unë të lindja. Babai im më ka mësuar të jem krenare për gjakun tim shqiptar dhe tani është koha për mua që të zbuloj përse-në”, me këto fjalë e nis dokumentarin e saj nën titullin “E dashur Shqipëri”, aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku.
“Dear Albania”, një rrugëtim i dokumentuar i 15 qyteteve shqiptare, duke përfshirë edhe Tetovën e Prishtinën, në një guidë turistike promovuese për traditat, besimin dhe turizmin shqiptar. Ky rrugëtim i faktuar në një film dokumentar i aktores hollivudiane Eliza Dushku ka ndodhur dy vite më parë, si një nismë e saj për të zbuluar rrënjët, por edhe për të promovuar bukuritë shqiptare në botë.
Dokumentarin “Dear Albania” (“E dashur Shqipëri”) Eliza Dushku e quan si një letër dashurie ndaj vendit të origjinës. Aktorja e nis udhëtimin e saj nga Kalaja e Krujës, por një vend të rëndësishëm zë kryeqyteti shqiptar.
Ajo ka futur në fokusin e këtij dokumentari pamje dhe episode të jetës njerëzore nga Apolonia, Berati, Saranda, Vlora, Tropoja, si edhe vendlindjen e paraardhësve të saj, Korçën.
Dushku me stafin e filmit kanë xhiruar edhe te shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë. Filmi dokumentar është konceptuar si një pasqyrë e promovimit të pasurive dhe vlerave të Shqipërisë, ku janë përfshirë personalitete të njohura, imazhe mahnitëse dhe shenja kulturore. Janë në fokus të këtij dokumentari edhe tradita si ushqimi, muzika, moda, sporti apo jeta e natës. Pas shfaqjeve të filmit në Tiranë, Eliza Dushku do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku më 28 maj do të organizohet një mbrëmje gala e Fondit Kosovaro-Amerikan të Edukimit.
Dokumentari është një bashkëprodhim mes Dushkut dhe fotografit me famë botërore, Fadil Berisha, ndërsa rol të rëndësishëm ka luajtur edhe aktori Blerim Destani.
Në vitin 2012 ky dokumentar u prezantua në kinema “Millennium”, ndërsa dje hyrja për publikun ishte falas për ndjekjen e dokumentarit në sallën ‘UNESKO’ të Muzeut Historik Kombëtar.
Dy ditë më parë, e shoqëruar nga vëllai i saj, Nate Dushku, aktorja është takuar me kryeministrin Edi Rama, i cili i ka dhuruar botimin e tij me skica.
Flitet se aktorja është duke realizuar një tjetër film dokumentar për Shqipërinë, ku kësaj here do të përfshijë edhe një intervistë me kryeministrin Rama.
Eliza Dushku lindi më 30 dhjetor 1980 në Boston, Massachusetts, prindërit e saj janë profesorë universiteti, babai është nga Korça, ndërsa nëna daneze. Ajo u bë e njohur me rolin Faith në serialin televiziv “Buffy” dhe “Angel”. Dushku ka luajtur në dy serialë të rrjetit Fox, “Tru Calling” dhe “Dollhouse”. Ajo është gjithashtu e njohur edhe për rolet në filma si “True Lies”, “The New Guy”, “Bring it On”, “Wrong Turn”, dhe “Jay and Silent Bob Strike Back”, gjithashtu në aktivitetin e saj nuk mungon dhe si dublante me zërin e saj për lojëra elektronike.