Aktualitet

EMCDDA: Si e kapën shqiptarët tregun e drogës në Europë me çmime të ulëta dhe cilësi të lartë, ku shkojnë fitimet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:58 - 24/07/20 |
mapo.al

Çmimet e kokainës në disa tregje të mëdha të Europës, si Britania, janë bërë më të lira për shkak se organizatat shqiptare të krimit kanë marrë në dorë transportin nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, teksa dominojnë vertikalisht tregun edhe një pjesë të madhe të pakicës, thotë raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave (EMCDDA), “Një vlerësim i shtrirjes së organizatave kriminale shqipfolëse të përfshirë në furnizimin me drogë në BE: karakteristikat, roli dhe niveli i ndikimit” për vitin 2019.


Ekspertët europianë të drogave analizuan se grupet kriminale shqipfolëse rezultuan më të lira dhe më të besueshme gjatë zinxhirit të transportit të drogës nga furnitorët deri te konsumatorët. Në faza të ndryshme, ndërmjet 2012 dhe 2018, grupet shqiptare krijuan qasje të drejtpërdrejtë në furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine me çmime 4 000 USD për kilogram (3 500 euro).


Ata shfrytëzuan mekanizma transporti brenda porteve të Brazilit, Kolumbisë, Ekuadorit dhe Venezuelës, duke përdorur korrupsionin si një mjet kryesor që ndikoi në uljen e kostove të transportit të drogës. Grupet shqiptare punësuan njerëz të besuar në portet e Antwerp (Belgjikë) dhe Roterdam (Holandë), të cilët siguruan që dërgesat nga Amerika Latine të kryheshin nëpërmjet ngarkesave të ligjshme. Kjo mënyrë pune rriti shumë marzhet e fitimit, duke ulur me shpejtësi çmimin e një kilogrami kokainë që më parë në Holandë ishte 30 mijë euro.


Organizatat Shqiptare pasi morën në dorë transportin nga furnizuesit e drogës zgjeruan rrjetin në Hamburg (Gjermani) dhe Valencia dhe Algeciras (Spanjë) dhe pothuajse dominuan në Britaninë e Madhe. Nga pikat kryesore filluan të zgjerojnë tregjet duke u bërë shpërndarës në Gjermani dhe Suedi dhe që nga 2015 edhe në Australi.


Ngarkesat e drogës kryhen në det me anije të vogla, të cilat më pas sistemonin drogën në kontejnerë të ndryshëm, duke i nxjerrë të sigurta ngarkesat në tregje.

Fitime të mëdha nga kokaina
Trafikimi i kokainës i kontrolluar nga organizatat shqipfolëse konsiderohet të jetë kërcënimi më i madh në aktivitetet e tyre të bazuara në tregtimin e produkteve. Pavarësisht se kontrollojnë qindra tonë kanabis, vlera e kanabisit për njësi dhe kërkesa në të gjithë BE mbetet relativisht e ulët. Sidoqoftë, marzhet e arritura nga trafiku i kokainës shpesh tejkalojnë 20 000 EUR për kilogram dhe paraqesin mundësi të mëdha për investime dhe korrupsion. Pranohet gjithashtu që të ardhurat nga trafiku i kokainës mbështesin një krim më të gjerë, të tilla si kontrabanda me armë të paligjshme, rrjete dhe mekanizma të pastrimit të parave, kontrabanda e drogave të tjera dhe lëvizja e paligjshme e njerëzve.

Si e ulën shqiptarët çmimin e drogës në Europë
Organizatat shqiptare të drogës i përdorën çmimet e ulëta për të njëjtën cilësi kokaine si një mjet për të dominuar tregjet e drogës në BE.

Ekspertët e BE analizojnë se ekzistojnë tre shembuj shumë të fortë të organizatave shqipfolëse që ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë krijimin e platformave të kokainës në BE. Holanda dhe në një masë më të vogël Italia janë qendra tranziti dhe shpërndarjeje, ndërsa Mbretëria e Bashkuar është konceptuar si treg për konsum.

Në Holandë për më shumë se një dekadë deri më 2012, çmimi për një kilogram kokainë ishte 30 000 euro. Ky nivel ishte pak më i shtrenjtë se në Spanjë, ku çmimet ishin 28 000 euro për kilogram. Fillimisht grupet shqiptare furnizoheshin më këto çmime dhe i shisnin më shtrenjtë në Britaninë e Madhe. Por pasi ata u bënë dominues në kontrollin e dërgesave transatlantike, çmimi ka rënë në Holandë, që nga viti 2012, dhe tani një kilogram kokainë kushton 20 000 euro për kilogram. Ky njihet si një zhvillim i jashtëzakonshëm.

Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar çmimet e ulëta u përdoren si një udhëzues për të dominuar tregun. Nga viti 2012 më 2017, çmimi i shitjes me pakicë prej 1 gram kokainë ka mbetur i qëndrueshëm, 40 paund, por pastërtia e drogës është rritur me 70-80 për qind. Një cilësi e tillë më parë blihej me 77-88 euro grami. Ky zhvillim konsiderohet e jashtëzakonshëm nga konsumatorët e drogës, pasi asnjë gjë e ngjashme nuk ka ndodhur së paku që nga 1995.

Ndërsa në Itali, nuk është çmimi që krijon “zhvillimin e jashtëzakonshëm”. Në Itali grupet shqiptare bashkëpunojnë me mafien italiane. Por sipas të dhënave të ekspertëve, ka organizata që administrojnë tregun e drogës në Holandë dhe Britani që identifikohen si grupe italiane, por në fakt flasin shqip. Ky është një tregues që grupet shqiptare kanë forcuar pozitat e tyre edhe në tregun italian. Edhe italianët profesionistë të hershëm të administrimit të tregut e drogës tani po i pranojnë aftësitë e shqiptarëve që arrijnë të transportojnë sasi të mëdha droge në kohë të shpejtë.

Ekspertët europiane të monitorimit të tregut të drogës thanë se, një tipar i rëndësishëm në modelet operative të grupeve shqiptare është aftësia e tyre për të fituar besim. Ky besim u arrit kryesisht duke garantuar ngarkesa nga furnizuesit deri në pikën e dorëzimit dhe duke i siguruar blerësit për cilësinë. Më parë në tregtinë drogës, falsifikimi i cilësisë kishte qenë shumë i pranishëm.

Karakteristikat e grupeve kriminale sipas qyteteve
Në qytetin e Tiranës, aktualisht, mendohet se të paktën tre kriminelë shumë të fuqishëm, organizatat e të cilëve kanë operuar dhe shtrirë veprimtarinë e tyre kriminale për shumë vite.

Sipas raportit, në qytetin e Shkodrës, dyshohet se të paktën katër “familje të mëdha” janë të përfshira në trafikimin e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Ky rreth mund të zëvendësojë Lazaratin si një “hangar” për kultivimin e kanabisit.

Në qytetin e Durrësit, pretendohet se mund të jenë shumë grupe kriminale nga e gjithë vendi edhe me investime. Qyteti shërben në një farë mase si një pikë takimi apo edhe strehimore për shumë prej tyre.

Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit mendohet të jenë ndër më të shumtët organizata të sofistikuara dhe të qëndrueshme gjatë gjithë tranzicionit politik në Shqipëri.

Në qytetin e Beratit, dyshohet se të paktën tre “familje” me prejardhje kriminale të fortë po ushtrojnë ndikimin e tyre.

Dyshohet se vrasje të shumta në qytetin e Vlorës janë kryer për ndikimin në rrjetet ndërkombëtare të narkotikëve kryesisht në Spanjë dhe Italia.

Në Elbasan, është vërejtur se grupe të rinjsh nga zonat rurale përreth po imitojnë organizatat e grupeve kriminale në qytet.

Organizatat kriminale që merren me trafikimin e drogave të forta janë duke përdorur bizneset legjitime për të “mbuluar” veprimtarinë e tyre kriminale.

Organizimi që solli “suksesin”
Tipologjia e rrjeteve kriminale shqiptare varet nga lloji i veprimtarisë kriminale. Sidoqoftë, pas vitit 2005, ekziston një tendencë që grupet kriminale të funksionojnë në formën e “Rrjeteve Kriminale”. Kjo formë organizimi vërehet si në rrjetet kriminale që operojnë brenda Shqipërisë, por edhe në vendet e tjera ku ato kryejnë operacione. Ata bashkëpunojnë me rrjetet ndërkombëtare kriminale dhe i lejojnë ato të përdorin territorin shqiptar si një vend tranzitimi dhe rekrutimi e investimi për të ardhurat. Ky model operimi u jep rrjeteve kriminale mundësinë që të jenë shumë më operacionalë.

Së pari, rrjetet kriminale shqiptare, duke mos pasur një strukturë hierarkike, shmangin ‘burokracitë’ e marrjes së vendimeve dhe kjo u mundëson atyre të veprojnë shpejt, të maksimizojë fitimin dhe minimizojnë rrezikun.

Së dyti, autonomia dhe individualiteti janë karakteristika të rrjetit kriminal shqiptar, të cilat u lejojnë individëve lirinë e nevojshme për të ofruar zgjidhje për problemet në pikën në të cilën ata mund të përballen, pa nevojën e planifikimit që mund të lexohet nga agjencitë e zbatimit të ligjit. individët manovrojnë dhe veprojnë, në varësi të situatave dhe ofrojnë zgjidhje ad hoc, gjë që e bën të vështirë zbulimin dhe luftimin e tyre.

Së treti, përveç njohurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, individët nuk kanë tjetër njohje (p.sh. lidhjet shoqërore ose familjare) që do t’i ekspozojnë ata edhe më shumë para ligjit.

Së katërti, rolet nuk janë të qarta dhe ndahen sipas llojit të ‘urdhrit’ dhe sipas marrëveshjes që bëjnë palët.

Sidoqoftë, roli i ‘organizatorit’ në ‘rrjetin kriminal’ është shumë i rëndësishëm sepse është ai organizator që bën të gjitha lidhjet ndërmjet pikave të rrjetit. Gjëja e rëndësishme është se nuk ka gjithmonë një organizator në shumicën e rasteve. Për shembull, ekziston një “organizator” që gjen tregun e shitjes, por ekziston edhe një kontakt (ndërmjetësi) i cili mund të mundësojë blerjen. Atëherë, ‘ndërmjetësi’ është ai që organizon gjithë procesin e blerjes deri në transportimin e mallrave te porositësi, i cili do t’ua shesë “blerësve”.

Ajo që duhet theksuar, pohojnë ekspertët e EMCDDA është se grupet kriminale shqiptare që janë të përfshirë në rrjetet ndërkombëtare me operacione kryesisht jashtë Shqipërisë, janë shumë më të përparuara dhe më të sofistikuara sesa ata që veprojnë brenda vendit ose ato që bashkëpunojnë vetëm vendet fqinje. Rrjetet kriminale të kësaj kategorie karakterizohen nga tipare që i dallojnë ato nga ato të kategorive të tjera. Ata janë shumë më fleksibël dhe kanë një territor më të gjerë operimi. Ata kërkojnë një cikël gati të mbyllur për të gjithë veprimtarinë. Me fjalë të tjera, struktura kriminale merr mbi vete ciklin e plotë të trafikimit. Për shembull, në rastin e drogës, organizata merr mbi vete renditjen, pritjen, shpërndarjen dhe shitjen e saj. /Monitor


Etiketa: , , ,

Pas