Që nga janari i vitit 2008 deri në qershor të vitit 2021 janë rreth 202 mijë shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian referuar Agjencisë Evropiane të Statistikave.
Numri më i madh i aplikimeve për azil është shënuar në vitin 2015 me rreth 66 mijë aplikime, ku rreth 70% kishin destinacion Gjermaninë.
Më tej shifrat janë përgjysmuar, ndërsa në vitin 2018 është shënuar një tendencë rritëse e lehtë.
Në vitin 2020, pandemia frenoi përkohësisht aplikimet për azil për shkak të karantinës dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht.
Duke iu referuar Eurostat, pas lehtësimit të masave ka pasur një rritje të kërkesave për azil, por në Shqipëri ka rreth 800 kërkesa më pak se 6 mujori i parë i vitit që lamë pas.
Ndërkohë në një raport të Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit thuhet se Shqipëria ka frenuar kërkesat për azil, por numri mbetet ende i lartë dhe disa janë edhe kërkesa të përsëritura.
EUROSTAT bëri të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët shqiptarë janë Franca me 365 aplikime dhe Greqia me 285.
Në vend të tretë është Italia, e ndjekur nga Gjermania.
Në raportin e fundit të Eurostat thuhet se sirianët përbëjnë grupin më të madh të personave që kanë kërkuar azil, pas tyre vijnë afganët dhe pakistanezët.