Nga Ervis Iljazaj
Me të gjitha gjasat, dhe nga të gjitha informacionet që vijnë, të cilat ndjekin kalvarin e emigrantëve nga vende të ndryshme të Botës drejt Europës, Shqipëria pritet të bëhet një nga ndalesat e këtij kalvari.
Ndoshta në të gjithë historinë e shtetit shqiptar, kjo është hera e parë që Shqipëria pritet të përballet me një fluks të tillë emigrantësh.
Është një tematikë, që as opinioni i shoqërisë shqiptare, kultura e saj, por edhe vetë politika nuk është hasur ndonjëherë. Dhe, për këtë arsye, do të jetë një sfidë jo e lehtë për t’u përballuar.
E megjithatë, Shqipëria nuk mund të evitonte një fenomen të tillë duke patur parasysh krizën e emigracionit botëror që është duke ndodhur për shumë arsye. Herët apo vonë, fluksi i njerëzve që është duke gjetur rrugë të reja për të arritur në destinacion, do të mbërrinte dhe në Shqipëri.
Ajo që mbetet për t’u parë, është nëse ne do të kthehemi në një ndalesë për ta, apo do të na duhet të menaxhojmë një fluks për një kohë afatgjatë.
Për këtë fenomen u shpreh edhe Kryeministri Rama në takimin e tij me homologun austriak. Rama me të drejtë u kërkoi ndihmë vendeve të Bashkimit Europian, pasi Shqipëria nuk është në gjendje, nuk ka kapacitete infrastrukturore dhe të shërbimit për ta bërë një gjë të tillë.
Dihet, që vendet e Bashkimit Europian, po mundohen të ndalojnë këtë fluks emigrantësh me çdo mënyrë, për të mos krijuar kriza shoqërore dhe politike në vendet e tyre. Kështu që, nuk është çudi që Shqipërisë t’i vijë një kërkesë për mbajtjen e një numri të madh emigrantësh.
Patjetër, me asistencën e vendeve të Bashkimit Europian, por, sidoqoftë, do të jetë një situatë aspak e lehtë për t’u përballuar, duke parë deficitet e mëdha që ka Shqipëria në këtë drejtim.
Në favor të këtij veprimi, shumë vende Europiane, mund të shkelin dhe një sy për hapjen e negociatave dhe përshpejtimit të Shqipërisë të procesit të integrimit. Në fakt jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sepse, vendet e Bashkimit Europian, janë duke përballuar një krizë shoqërore dhe politike për shkak të këtij fenomeni, kështu që, janë duke kërkuar një zgjidhje alternative për ndalimin e tij. Dhe Ballkani Perëndimor shihet si një zgjidhje alternative.
E megjithatë, me dëshire ose jo, pritjen e emigrantëve, Shqipëria e ka një kosto që duhet ta ndërmarrë. Jo vetëm për arsye humaniste, pasi ne jemi një popull emigrantësh dhe si të thuash kemi për herë të parë një sprovë në këtë drejtim, për të treguar gatishmëri për fatkeqët që përjetojnë një dramë në jetën e tyre. Por, edhe për arsye pragmatike.
Nëse Europa do të na e kërkojë një gjë të tillë, nuk e kemi luksin që ta refuzojmë. Madje këtë gjë mund ta kthejë në një kartë shumë të rëndësishme në politikën e jashtme, nëse vërtet qeveria shqiptare do të dijë ta luajë.
Por, përtej çdo arsyeje që mund ta na shohë si ndalesën e radhës të emigracionit, qeveria shqiptare duhet të tregohet në nivelin e duhur. E rëndësishme është, që çdo politikë e saj, të respektojë të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, dhe të trajtojë çdo person më të gjitha të drejtat që i takojnë.
Meqënëse Shqipëria boshatiset çdo ditë për të arritur numrin e banorëve që kishte në kohën e Zogut të Parë, duhet të mbushet me të ardhur nga vende të tjera. Ndoshta kanë dëgjuar përrallat e Ramës dhe mendojnë se po vinë në vendin më të “lumtur “të Globit , bash siç thoshte edhe Dulla Enver, kur sundonte këtë vend që nuk bën prokopi, pa zevendsuar popullin me një popull tjetër, pasi qeverrinë e kemi siç e meritojmë. Një popull tjetër , mbase meriton një qeverri ndryshe. Inshalla! Let’s hope!