Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga hetimet për rastin e oficerit të policisë gjyqësore, Emiljano Nuhu, i cili së fundi ka denoncuar rastin e përdhunimit të një vajze të re nga ana e djalit të deputetit të PS-së në zonën e Krujës, Rrahman Rraja.
Sipas denoncimit që është bërë te ish-kryeministri Sali Berisha, rasti në SHÇBA do të hetohet nga ana e Fatos Hasanit, i cili është përjashtuar nga radhët e policisë për shkak të shkeljes së betimit për detyrën që kryen.
Denoncuesi ka dërguar te Berisha dhe dokumentet ku shihet arsyetimi i lirimit të Hasanit nga detyra në vitin 2013 për shkak të shkeljeve që i janë gjetur.
“Z.Berisha, cila SHÇBA do ta hetoje rastin e oficerit Nuhu? SHÇBA e Durresit, qe ka oficerin me te felliqur dhe korruptuar te vendit, Fatos Hasanin? Ky oficer eshte futur ne pune vetem per te bashkepunuar me krimin dhe per te mbajtur ne kontroll me presione punonjesit e policise, te mos cenohen parcelat e kanabisit dhe nuk dihet sesi eshte ripranuar ne polici pasi ka qene i perjashtuar per “Shkelje te betimit policor dhe abuzime te renda me atributet e policise”. Per perjashtimin e tij, ai i ka humbur te gjitha gjyqet e çdo shkalle gjyqesori dhe nuk duhej te ishte fare pjese e policise. Me date 19 shtator 2018 doli te “Fiks fare” duke i thene qytetarit ‘tru tallash’ dhe nuk u mor asnje mase ndaj tij. Mjafton te kerkoni emrin e tij ne Google dhe del qe ka humbur cdo gjyq per rikthimin e tij””.
Akuza për foton e Nuhut
A e ka ndihmuar Dritan Zagani, Emiljano Nuhun të fitojë azil në një nga vendet e BE-së? Kjo ka qenë teza e hedhur së fundi nga gazetari Artan Hoxha teksa kishte publikuar dhe për herë të parë foton e oficerit Nuhu dhe vajzës së tij vetëm trevjeçare. Për shumë gazetarë që e njohin mirë si funksionon policia e shtetit, dhe roli që ka pasur në disa aksione të rëndësishme Nuhu, publikimi i kësaj fotoje përbën rrezik të madh për të, për shkak se ka arrestuar persona të lidhur ngushtë me krimin.
Ndërkohë në një përgjigje të gjatë për Hoxhën, ish-oficeri Dritan Zagani, shkruan se publikimi i asaj fotoje ka shërbyer për t’iu çuar lajm kriminelëve që Nuhu i ka arrestuar në një operacion në Qafë Kashar rreth tre vite më parë. Ai sqaron se nuk ka asnjë mundësi që të ndihmonte Nuhun për të fituar azil, pasi ai nuk ka asgjë në dorë, dhe largimi nga Shqipëria e zhveshi nga çdo mundësi dhe për të ushtruar profesionin e tij si agjent antidroge në radhët e policisë.
Zagani thotë se e ka ndihmuar Nuhun me të vetmin qëllim për të ndihmuar një polic të trembur deri në palcë dhe të braktisur nga shteti dhe nga institucionet, dhe ndihma nuk ka qenë asgjë më shumë se një ndihmë njerëzore.