Epoka Bernard Challandes te Kosova ka përfunduar.
FFK tani duhet të mendojë për trajnerin e ri dhe ka shumë alternativa që po qarkullojnë. Mes tyre edhe shqiptarë, madje edhe ai që bëri historinë dhe çoi Shqipërinë në EURO 2016.
Bëhet fjalë për Gianni De Biasin, italianin me pasaportë shqiptare që ka kontratë me Azerbajxhanin deri në fund të muajit qershor. Tekniku i njohur është i hapur për një bashkëpunim me dardanët.
“Jam i hapur, do ishte një kënaqësi të drejtoja Kosovën”, ka deklaruar italiani, i cili ka theksuar se nuk ka pasur ende ndonjë bisedë me drejtuesit e FFK. Fakti që e njeh mentalitetin e shqiptarëve e bën De Biasin një prej alternativave kryesore.
Disa prej lojtarëve të Kosovës edhe i njeh, pasi i ka pasur nën urdhra te Shqipëria, ose edhe i ka vëzhguar për të veshur fanellën kuqezi. Një tjetër alternativë për Kosovën është edhe Arjan Peço, i cili ka drejtuar me sukses moshat e Basel dhe ka fituar edhe titullin kampion.
Për FFK alternativa e Peço mund të jetë interesante, duke ditur se në Zvicër ka shumë shqiptarë të Kosovës që ai i ka parë vetë nga afër në fushë dhe mund të ndikojë tek ata që të zgjedhin Kosovën para kombëtares helvete.
Ndërkohë në mediat e Kosovës kanë dalë edhe emra mjaft të njohur, që kanë drejtuar edhe në Bundesliga, Premier League dhe Seria A, apo në Rusi sikurse ka ndodhur me ish-mbrojtësin legjendar të Brazilit, Roberto Carlos.
FELIX MAGATH – Gjermani ka drejtuar për herë të fundit para katër vitesh, kur ishte trajner i Shandong Luneng. Në të shkuarën 68-vjeçari ka qenë në krye të klubeve të njohura si Bayern Munich, Hamburger SV, Wolfsburg, Schalke 04, Werder Bremen, Stuttgart, Eintracht Frankfurt, Nurnberg dhe Fulham në Angli.
WALTER ZENGA – Italiani nuk shquhet për eksperiencat e gjata në klubet që ka drejtuar. Për herë të fundit drejtoi për pak muaj skuadrën e Cagliari në Serie A. Ish-portieri ka eksperienca të ndryshme në Rumani, Serbi, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Zenga ka drejtuar edhe Wolverhampton në Angli.
ROBERTO CARLOS – Braziliani ka provuar të drejtojë disa skuadra, fillimisht Anzhi në Rusi, si dhe më pas Sivaspor dhe Akhisarspor në Turqi. Skuadra e fundit që Roberto Carlos ka drejtuar është Delhi Dynamos, ekip në Superligën e Indisë, në vitin 2016.