fbpx

Mapo Letrare

Energjia Kundalini e planetit tokë





               Publikuar në : 18:43 - 30/11/19 |
Ermira Mitre

Ermira Mitre


Kjo ditë zie për të gjithë kombin na kujton se përpara Zotit dhe fuqisë së natyrës jemi të gjithë të barabartë; se asnjë qënie njerëzore nuk është më e mirë apo më e fortë se tjetra!



Me dhimbje dhe zemër të rënduar kujtoj që sot më shumë se kurrë të tregojmë dashuri për njëri tjetrin, solidaritet, përkushtim e vetmohim në këtë katastrofë natyrore që nuk kurseu jetën e fëmijëve, të rinjve, të nënave, baballarëve, e gjyshërve, dhe tronditi në themel shpirtin shqiptar kudo që ndodhet brënda dhe jashtë kufijve, por edhe tërë botën!


Ti përqafojmë fëmijët, bashkëshortët, prindërit, miqtë, të falim dashuri e të jemi falenderues që jemi gjallë dhe sëbashku!

Ky moment, që na përballi me këtë tronditje të paparashikuar, papritur u kthye në një moment force, duke u bërë zgjim për rritje shpirtërore, ku secili në mënyrën e tij i bashkohet asaj thirrje të brëndëshme që lind prej dhimbjes, kur përballet me humbje jete, plagosje, dëmtime dhe përpiqet të ndihmojë të dëmtuarin, të dobëtin, të pamundurin. A duhet ne të presim që natyra të na shkundë ndërgjegjen për të shfaqur energjitë tona humane, siç jemi destinuar të jemi, njerëzorë dhe në paqe me njëri tjetrin?

Sot planeti Tokë në atë vend të vogël, tregoi se ka edhe ajo anomalitë e saj, shpërthimet e kapriciot e saj, ashtu sic ka edhe njeriu, por shpërthimet e saj janë në disproporcion me atë të njeriut, dhe para këtij shpërthimi të përbindshëm si ky i sotmi, njeriu provon, zgjohet dhe kupton se është i pafuqishëm për ta përballuar apo për ti ndryshuar kursin. Jeta jo rastësisht na prezanton me gjëra të çuditshme, alarmante, të rrezikshme gjatë jetëgjatësisë së saj, dhe të gjitha këto nuk janë koincidenca të rastësishme, por janë shprehje e një kuptimi dhe qëllimi të caktuar.

Në librin “Gjarpëri i Dritës përtej 2012” autori Melchizedek, duke ju referuar kulturës së popujve indigjene tregon se “i gjithë universi është i krijuar sipas një rregullsie perfekte në bazë të një forme të vetme të gjeometrisë së shenjtë që është “Lulja e Jetës”. Planeti Tokë nuk është një shkëmb,por ka një emër dhe personalitet në kozmos. Dhe besomë mua,-thotë autori- ajo (Toka) e di edhe emrin tënd. Toka ju do ju, dhe në shenjë mirënjohjeje si mundeni ju të mos i ofroni Mëmës Tokë shërbimet për të cilat ajo ka nevojë?”

Njerëzimi është larguar nga veprimet që nxiten nga zemra duke u zhytur në ato që nxiten nga logjika dhe nga etja për pasuri materiale. Njeriu modern ka krijuar përmes shkencës dhe teknologjise të “vërtetën” absolute të një bote që do të shkojë drejt shkatërrimit të plotë në më pak se 200 vjet, ose edhe më pak se kaq, ndërsa njeriu i lashtë jetoi për miliona vjet duke e bazuar jetesën ne esencën e krijimit.

Nuk është mëndja kaq brilante, por është drita e botës që vjen nga zemra. Krijimi gjithmonë fillon nga zemra, dhe që andej ajo tranferohet tek mendja. Ne kemi harruar Esencën tonë, dhe nëse ne nuk zgjohemi shpejt, atëherë mendja jonë e perparimit teknologjik do të na çojë drejt dhimbjes masive dhe shkatërrimit të gjithë botës. Toka ka një energji sekrete që quhet Kundalini, e cila është e lidhur me të gjitha zemrat e njerëzimit dhe kjo energji e Tokës është e njëjtë me atë të njeriut, vetëm se ajo e tokës është në përmasa shumë herë më të mëdha.

E solla tërë këtë këndvështrim shpirtëror të planetit Tokë për të rikujtuar vetes se ne si qënie të ndërgjegjshme duhet të kujdesemi dhe të vlerësojmë këtë planet ku ne banojmë dhe jetojmë, të mos e dhunojmë atë përmes veprimeve tona të papërgjegjshme. Shëmbja e këtyre ndërtesave nga tërmeti nuk janë vetëm pasojë e lëkundjeve të fuqishme, ato janë frutet e një pune ndërtimore të dobët, pa përgjegjësi morale, por të nxitur nga pangopësia për tu pasuruar në kurriz të atyre banorëve pronarë që i kanë blerë apartamentet në këto banesa duke besuar tek abuzuesit, që sot pa ngurrim do i cilësojmë si jetëmarrës. Korrupsioni, babëzia e pa fre, ndërtimet pa kriter, mungesa e një statuti etik të ndërtuesve për të ndërtuar brënda parametrave sizmologjike në zona me ndjeshmëri të lartë ndaj kapriciove të Tokës, siç është Durrësi, çuan në humbje jete.

Mos vallë ky tërmet ishte një revoltë e shpirtit të Tokës ndaj keqtrajtimit që i është bërë asaj cope në vëndin tonë të vogël, për shume vite? Mos vallë ishte një revoltë ndaj gjithë atyre padrejtësive, hasmërive, vrasjeve vëlla me vëlla, grabitjeve të pamëshirshme, që kanë përçudnuar marrëdhëniet midis njerëzve në këtë popull të vogël në numër? Mos vallë ishte ky tërmet një thirrje e shpirtit të Tokës për të zgjuar brenda vetes esencën njerëzore që për shumë vite ishte holluar aq shumë sa ishte bërë pothuajse e padallueshme?

Le të ndalemi për pak e të thellohemi në gjithshka negative që kemi ndërtuar deri tani me hir apo pahir, dhe duke dalë para pasqyrës ku shtrihen viktimat dhe shkatërrimet e këtij tërmeti, të reflektojmë duke bashkëbiseduar me veten, duke folur nga zemra, nga esenca jonë, dhe që andej të ndryshojmë ndërgjegjen dhe veprimet tona!

Të kuptojmë se Energjia dhe Inteligjenca Kundalini e Njeriut është pjesë e Energjisë dhe Inteligjencës Kundalini të Tokës dhe të dyja sëbashku janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe ndikojnë tek njëra-tjetra po ashtu sic ndikon energjia që ne çlirojmë tek njeri-tjetri.

27 Nentor 2019


Etiketa:

Pas