Gazetarja e njohur e ekranit shqiptar, Eni Vasili, së shpejti do të mbrojë tezën e saj të masterit në Milano. Një punim që ka përfshirë shumë gazetarë, ekspertë të komunikimit dhe politikanë shqiptarë e italianë. Gazetarja flet për planet e saj të shpejta, ofertat dhe negociatat me televizionet shqiptare por edhe për projektet që ka në Itali, projekte të cilat e kanë përfshirë në dilemën e kthimit ose jo në atdhe dhe tek ajo që Eni di të bëjë më mirë, televizioni. Prej më shumë se një viti ju po studioni në Itali për menaxhim të komunikimit.
Ç’do të thotë t’i drejtohesh shkollës kur je në kulmin e karrierës ?
Mendoj që është një fat i madh për këdo që ka mundësi ta bëjë. Ky vit për mua ka qenë absolutisht një vit frymëzues. Jo vetëm sepse kam patur mundësi të thellohem në studime të drejtuara, por edhe sepse kam arritur të shoh me distancën dhe ftohtësinë e nevojshme edhe zhvillimet socio-politike në Shqipëri . Kur je e përfshirë ndodh që nuk arrin të dallosh dimensionet e vërteta të ngjarjeve dhe fenomeneve që të rrethojnë, ngjarje të mëdha të duken të vogla e ato të papërfillshmet marrin një peshë që nuk e kanë. Këto studime kanë qenë absolutisht një pasurim personal si nga pikëpamja akademike, ashtu edhe sa i takon eksperiencës njerëzore. Stafi i profesorëve, i lektorëve, kanë qenë të një niveli të tillë sa vërtet edhe pse leksionet mbaheshin me një ritëm shumë intensiv nga ora 09:00 deri në 18:00, në fund të ditës më mbetej keqardhja që personalitete të tilla i takon kaq rrallë. Të gjithë profesorët që kanë mbajtur leksione në këtë master janë personalitete, të cilët kanë ndërtuar sferën e komunikimit publik në Itali duke krijuar jo vetëm institucionet dhe teoritë, por edhe ambientin për ta ushtruar në mënyrë shkencore .Po kështu edhe lektorët e “The George Washington University”, me këndvështrimin e tyre të ndryshëm shërbyen si përplasje mes dy shkollave të mendimit dhe komunikimit politik; shkollës europiane dhe asaj amerikane. Ndjehem me fat që dijet dhe eksperienca ime patën mundësinë të ballafaqohen me ato të tregut universal të komunikimit, i cili është njëkohësisht edhe një ndër produktet më të kërkuara të kohës.
Çdo master përfundon me një temë. Ju për çfarë keni zgjedhur të punoni?
Po punoj mbi një temë shumë interesante që ka përfshirë shumë protagonistë të gazetarisë dhe politikës nga të dyja anët e Adriatikut dhe jam shumë e kënaqur për rezultatin. Kërkimet për këtë temë më kanë çuar të shfletoj në arkivat e të përditshmeve më të mëdha në Itali, që nga “Corriere della Sera”, “La Repubblica” e deri tek revistat prestigjioze“Panorama” dhe “L`Espresso”. Kam gjetur aty një botë të panjohur për historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, si nga pikëpamja politike, ashtu edhe sa i takon asaj sociale e institucionale. Kam bashkëbiseduar me shumë emra prestigjiozë të gazetarisë, komunikimit e politikës italiane, të cilët më kanë nderuar jo vetëm me disponibilitetin e tyre human, por mbi të gjitha me kontributin e tyre profesional për tezën time. Ashtu siç dua të falenderoj disa prej politikanëve dhe historianëve shqiptarë por edhe kolegë të mi gazetarë, që me shumë seriozitet dhe profesionalizëm u përfshinë në të. Në media përflitet se po negocioni me disa televizione shqiptare për t’iu bashkangjitur pas rikthimit në Shqipëri… Po, është e vërtetë. Kam patur disa oferta përgjatë kësaj kohe, madje edhe këto ditët e fundit, por përderisa janë negociata të pambyllura nuk është korrekte që të tregoj më shumë për to. Ajo që mund të them është se unë nuk kam marrë ende asnjë vendim për këtë çështje. Aktualisht jam e impenjuar edhe në disa projekte profesionale në Itali, të cilat kanë nevojë për kohë dhe reflektim. Sigurisht që televizioni dhe gazetaria mbeten shtëpia ime, siç është e natyrshme për çdo gazetar karriere, por vendimi që do të marrë, do të përfshijë edhe reflektimin për vazhdimësinë e këtyre projekteve në Milano. Për herë të parë në jetën time po s h q y r t o j e d h e mundësinë që të mos kthehem menjëherë në Shqipëri. Nuk jua fsheh, është një periudhë dilemash, por sa të vështira janë këto lloj vendimesh, po aqemocionues është edhe procesi i mbërritjes aty.
Si e sheh televizionin dhe median në Shqipëri pas kësaj kohe, ku ke qenë në rolin e spektatores, të vëzhgueses nga larg?
E shoh si një botë plot me probleme, me të mirat e të këqiat e veta, ashtu siç është vetë shoqëria shqiptare. Media vuan nga sëmundje të rënda si politizimi, klientelizmi, marrëdhënia e saj jo e shëndetshme me interesa, lokalizmi, provincializmi etj. Televizionet bëjnë përpjekje të jenë një lloj udhëheqjeje kulturore e shoqërisë, por jo gjithmonë e arrijnë, pasi preokupohen më shumë për formën sesa për përmbajtjen dhe nga etika e jetës diskutimi përfundon tek estetika e saj. Nuk dua të zbeh punën e kolegëve, pasi mendoj që sidomos televizioni është një nga sektorët më të zhvilluar në Shqipëri, por fakti që kemi ndërtesa të mira televizionesh, skenografi që shkëlqejnë, teknologji të përparuar dhe filmat më të fundit të Hollivudit, nuk do të thotë që arrijmë të transmetojmë ato mesazhe dhe modele, të cilat e shëndoshin mendjen e një shoqërie dhe nuk e çorodisin atë. Ndonjëherë e harrojmë arsyen përse ekzistojmë. Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për induktimin e vlerave të vërteta njerëzore, promovimin e modeleve të mira dhe eksperiencave pozitive. Ky është një ndër misionet më të rëndësishme të medias.
Media nuk është një biznes si gjithë të tjerët. Diferenca mes ekranit shqiptar dhe atij italian sipas teje?
Televizionet shqiptare janë frymëzuar gjithmonë nga ato italiane, secili prej tyre, që nga koha kur janë ndërtuar. Në shumë prej televizioneve tona kryesore ka kopje të patentuara dhe jo të patentuara të emisioneve me famë në Itali. Po ashtu, profesionistë të televizionit italian vijnë në Shqipëri për të asistuar projekte nga më të ndryshme që nga skenografët dhe drejtorët e fotografisë e deri tek autorët e programeve. Pas viteve ‘90 shumëçka në Shqipëri u frymëzua nga modeli italian. Së fundmi gjërat po ndryshojnë, shqiptarët po kërkojnë pika të tjera referimi. Komunikimi mes Shqipërisë dhe Italisë nuk është më i njëjti. Të rinjtë shqiptarë nuk flasin më italisht si gjuhë të parë, por anglisht, pasi zhvillimi dhe interneti kanë bërë punën e tyre. Në Itali flitet pak për shqiptarët dhe në Shqipëri flitet gjithmonë e më pak për Italinë. Ndoshta një ditë edhe televizionet do të kërkojnë pika të tjera referimi.
Nëse vendos të rikthehesh, çfarë do të sjellësh ndryshe?
Për këtë të ftoj të flasim gjatë në një intervistë tjetër, nëse do të vendos të rikthehem.
Çfarë do të merrnit me vete nga Milano, qyteti ku po jetoni prej më shumë se një viti ?
Milano është një vend i mrekullueshëm, shumëdimensional. Qyteti që ka indeksin më të lartë të prodhimit në Itali. Pra një hapësirë ku punohet shumë, por edhe qyteti që e ka bërë modën një markë të territorit dhe jo anasjelltas. Milano nuk është një qytet që fitohet lehtë, aq më pak mund ta duash shpejt, por sa racional e i ftohtë në dukje, po aq i ngrohtë dhe shpirtëror është nëse arrin të zbulosh dobësitë dhe bukuritë e tij. Është një metropol europian ku flenë pikturat dhe kodet e Da Vinçit, e mund të gjesh gjurmët e jetës dhe punës së tij kudo. Qyteti i teatrit prestigjioz ”La Scala”, ku performojnë artistët më të mëdhenj të globit, qyteti i Duomos, katedrales më të madhe e të bukur pas asaj të Vatikanit, që u deshën 400 vjet për ta ndërtuar, ashtu siç është edhe pasarela më luksoze e stilit “made in Italy”. Por Milano nuk është thjesht një qytet për mua. Është një marrëdhënie e re me botën, është një mënyrë jetese, një tjetër interpretim i qenies, një mentalitet, një koncept, një status. Kjo është gjëja më me vlerë që do të marr prej kësaj eksperience. Është diçka që s’ta dhuron kush, duhet ta fitosh, ta bësh tënden.