Aktualitet

Enigmat e protestës së 2 marsit, a do e shpërndajë Meta parlamentin?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:14 - 20/02/20 |
mapo.al

Presidenti i Republikës, ka thirrur protestë në datën 2 mars ku ka premtuar kthimin e institucioneve nën kontrollin e qytetarëve, ose “Besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare”. Juristi Ledio Braho shprehet se, Presidenti mund ta nxjerrë dekretin, por që të bëhet i zbatueshëm ose jo duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese.


Presidenti Ilir Meta lajmëroi sërish dje konferencë për shtyp. Pa kaluar as dy ditë nga dërgimi në prokurori të kryetarit të KED Ardian Dvorani, këtë herë ka një tjetër lëvizje, thirrjen e popullit në protestë më datë 2 mars. Nga gjuha e drunjtë që përdori, ku këtë herë kishte nën shënjestër parlamentin, nuk ngurroi të përdorte termat si “gjysmë parlament”, “Deledeputetët” etj., la të kuptohej një masë më drastike se kthimi mbrapsht i ndryshimeve në ligjin për betimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese. Kthimin mbrapsht të këtij ligji, apo atë të paketës anti-KÇK, mazhoranca e ka parashikuar dhe mund të veprojë dhe pa dekretin e presidentit.


Protesta
Ilir Meta premtoi se më datë 2 mars, datë kur parlamenti pritet të votojë ndryshimet në ligjin për betimin e Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, institucionet që shtrihen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do iu kthehen qytetarëve, Përgjatë atij bulevardi ndodhen Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, Kryeministria, madje i këshilloi që ata që kanë shkelur ligjin të “porosisin poture të gjëra” duke iu referuar në këtë mënyrë veshjes së Kryeministrit Rama. Meta premtoi besëlidhje me shqiptarët, duke paralajmëruar dhe atë që e quajti “mafia ndërkombëtare” që i jep mbështetje kryeministrit.


“Nga data 2 mars, kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit dhe në shpartallim të plotë të këtij grushti shteti, pikërisht para popullit shqiptar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar njëherë e mirë regjimin e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare, që ka dhunuar sovranitetin kombëtar me qëllim shpopullimin e këtij vendi dhe shndërrimin e tij në një qendër pastrimi të parave, në një bazë operacioneve të krimit të organizuar, kombëtar dhe ndërkombëtar. Në 2 mars, ju presim të gjithëve, pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ju japim fjalën se shumë shpejt, falë popullit shqiptar, shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti i Republikës, por gjithë institucionet në bulevard dhe kudo, do t’i kthehen popullit. Ata që kërkojnë popullin e presidentit në WhatsApp, të porosisin poture të gjera”, do e mbyllte fjalën e tij Meta.


Dekreti
Paralajmërimin e tij Meta e bëri dy ditë më parë më datë 17 shkurt në një dalje televizive kur tha se “Parlamentin do e shpërndajë populli”, ndërsa dje më datë 19 shkurt paralajmëroi lëvizjen e radhës. Por a mund ta shpërndajë Presidenti Ilir Meta parlamentin? Juristi Ledio Braho në një prononcim për MAPO shprehet se kjo mbetet ende e paqartë pasi aktualisht nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që ta gjykojë, nëse parlamenti duhet të shpërndahet apo jo.


Ledio Braho, avokat

Presidenti mund ta nxjerrë dekretin, por në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, që jep verdiktin final kjo mbetet një situatë e paqartë. Pasi mund të ndodhë që mazhoranca ose dhe pjesa e opozitës që ka hyrë atje të vazhdojnë të shkojnë në parlament. Pra është një situatë disi e paqartë, të cilën vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta interpretojë”, thotë Braho.

Vetëm një ditë më parë, Presidenti thirri në takim liderin e opozitës Lulzim Basha. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga ky institucion, është bërë me dije, se Meta e ka njohur Bashën me veprimet antikushtetuese dhe do përdorë çdo mjet për të parandaluar atë që ai e quan grusht shteti. Meta gjithashtu më datë 20 nëntor të vitit të shkuar ka zhvilluar dhe një takim me ish-kryeministrin Berisha, dhe ish-President përgjatë viteve ‘92-96. Pas këtij takimi Berisha u shpreh me tone të ashpra kur tha: “Absolutisht do ta kisha shpërndarë. Ky parlament në vlerësimin tim nuk mund të mblidhej kurrë në shtator pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme sepse parlamenti është në thyerje flagrante të Kushtetutës. Këta narkotrafikantë nuk mund t’i servireshin shqiptarëve si parlament kur Kushtetuta e ka caktuar 140 deputetë. Unë s’mund të them sikur të kisha qenë se s’më lejohet, por ai parlament për mua e meritonte mbylljen, gozhdimin e dyerve që në shtatorin e vitit që shkoi.”

Spiropali: Zoti e ndihmoftë Metën. Përgjigjet Blushi: E çmendur
Përgjigjen Edi Rama ka preferuar ta japë përmes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nëpërmjet rrjetit social twitter, gjë që ka shkaktuar dhe një përplasje me zëdhënësin e Presidentit Tedi Blushi. Spiropali shprehet se Presidenti priti konferencën e donatorëve për të bërë sipas saj leckë Ilir Metën. “Zoti e ndihmoftë Ilir Metën se Presidentin s’e ndihmon dot më as Luli! Populli jo e jo. Sa për grushtin e shtetit, ai ka nisur në kokën e Ilirit qysh kur nisi Reforma në Drejtësi dhe do të vazhdojë sa herë që në konsensus me SHBA/BE ne miratojmë ligje që atij i duken grushte”, shprehet Spiropali.

Nuk ka vonuar në përgjigjen e tij dhe zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi. Me anë të një reagimi në rrjetin social Facebook, shprehet se do e shohin shumë shpejt reagimin e popullit “Moj e Çmendura E., po edhe për grushtin e shtetit keni marrë konsensusin e SHBA-BE? Se Venecian që vetë e kërkuat, po vetë e përzutë! Megjithatë, ne nuk nxitohemi! Po presim edhe opinionet zyrtar të EURALIUS-it. Se kështu mashtruat ju edhe për opinionet që nuk ekzistojnë të KED, Shkollës së Magjistraturës, dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që shkëlqeu me delegjitimimin e ligjit tuaj anti-kushtetues të betimit buzë Lanës. Mbani fort oligarkët se ata janë të besës. Sa për popullin, do e shihni shumë shpejt! Edhe pak durim! Me qetësi dhe drejtësi! Për gjuhën jashtë kontrollit, nuk kemi koment, se ti na udhëheq në këtë drejtim bashkë me Skënderbeun tënd”, shprehet Blushi në komentin e tij.

Lleshaj: Policia ime do hyjë në histori, i organizohet protestë nga presidenti
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar në Twitter pas thirrjeve të presidentit Ilir Meta për tubim më datën 2 Mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Lleshaj shkruan se ‪fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliard fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik “Koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit! Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet. ‪Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliardë fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”, shkruan Lleshaj.

Ambasadorja e SHBA: Palët të tregojnë pjekuri, po ju vëzhgojmë
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar dje një sërë takimesh me Kryeministrin Rama, Presidentin Meta dhe kryetarin e PD, Basha. Në një njoftim të ambasadës bëhet e ditur se në takime janë diskutuar zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, është diskutuar edhe për transparencën në procesin e rindërtimit. Kim iu ka kërkuar liderëve politikë të tregojnë pjekuri, pasi javën dhe muajt e ardhshëm janë mjaft të rëndësishëm për vendin.

“Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi. Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, mbyllet deklarata e ambasadës amerikane.


Etiketa: , , , ,

Pas