Dikur

Enver Hoxha zbulon tradhtarë te partizanët: Pushkatuam 14 ballistë






               Publikuar në : 10:56 - 04/03/19 |
mapo.al

Qarkorja e 25 qershorit 1945. Emrat e të pushkatuarve dhe të dënaurve me burgime nga gjyqet ushtarke në qershor ’45 me akuzën “nxitje të dezertimeve dhe përhapje të parrullave disfatiste…”


Kujto.al



Një qarkore e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, e firmosur nga Enver Hoxhë dhe e shpërndarë në gjithë repartet ushtarake me 25 qershor 1945, lajmëronte një varg ekzekutimesh që ishin bërë përmes gjyqit ushtarak, të disa pjesëtarëve të kësaj ushtrie, të cilët vinin nga radhët e Ballit, Legalitetit apo xhandarmërisë e milicisë.

Me akuzën se ata kishin mbetur përgjithmonë “tradhtarë” dhe nuk kishin ndërruar rrugë, dhe duke i fajësuar se kishin bërë agjitacion e propagandë kundër regjimit të ri “demokratik”, siç e quante Enver Hoxha, 12 pjesëtarë të ushtrisë partizane ishin pushkatuar para reparteve të tyre, pasi ishin dënuar me vdekje nga gjyqi ushtarak. Po ashtu ishin ekzekutuar edhe dy civilë, të dënuar po ashtu me vdekje me të njëjtën akuzë.

Qarkorja e shpërndarë nga Enver Hoxha rendit edhe një varg të dënuarish të tjerë me burgime, të përjetshme, 30 vjet, 20 vjet, 10 vjet e deri në 2 vjet burgim, duke cilësuar se ata do të vuanin dënimin në kampet burgje me punë të detyrueshme. Një prej këtyre të dënuarve është Avni Bejkova, i dënuar me burgim të përjetshëm. I ndarë nga jeta vetëm një vit me parë, Avni Bejkova vërtet vuajti dënimin me burg për shumë vite e më tej vijoi sërish i dënuar në internim derisa ra regjimi komunist.

Ajo që bie në sy në këtë qarkore është gjuha e urrejtjes e përzgjedhur me kujdes nga Enver Hoxha për kundërshtarët politikë, duke dashur të përcjellë në radhët e ushtrisë ku do të lexohej qarkorja sa më tepër urrejtje për armiqtë e pushtetit të Hoxhës, e për t’i frymëzuar të ishin të pamëshirshëm ndaj tyre. Më poshtë e sjellim të plotë këtë dokument mjaft domethënës për faktet tragjike që përcjell dhe metodat e dhunshme me të cilat erdhi në pushtet regjimi komunist dhe e mbajti këtë pushtet për 45 vjet.

***

Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacional Çlirimtare

Seksioni Juridik

Tiranë 25.VI.1945

Qarkore

Gjithë reparteve ushtarake

Disa ushtarakë që gjer dje kanë qenë në rradhët e organizatave tradhtare të Ballit, Legalitetit, në Milici, e Gjindarmëri dhe kanë lëftuar me tërbim deri në fund kundra Popullit dhe Ushtrisë Heroike Nacional Çlirimtare, krah për krah me okupatorët fashistë, vazhduan rrugën e tradhëtisë edhe në gjirin e ushtrisë tonë.

Duke përfituar nga zemërgjërësia që karakterizon ushtrinë tonë dhe pushtetin demokratik dhe nga shpallja e amnistisë datë 28 Nandur 1944 renegatët e poshtëshënuar kanë vazhduar me koshiencë të plotë tradhëtinë e tyre duke bërë axhitacion e propogandë disfatise, për të përçarë Unitetin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, kanë përhap parrulla disfatise për të zbritur moralin e lartë ushtarak, kanë bërë mbledhje të mshefta në formë grupesh të vogla në lidhje dhe me civila. Kanë projektuar e tentuar me u arratis në mënyrë të organizuar tue marrë edhe armë me vete. Kanë bërë plane sabotazhi kundra stabilimentave ushtarake e kanë patur qëllime terroriste kundra oficerave e mandej të kapërcenin kufirin për në Greqi, për t’u bashkuar si mercenarë në shërbim të reaksionit grek, kundra interesave të nalta t’Atdheut, kundra integritetit tokësor dhe indipendencës së Shqipërisë.

Vepra e tyre tradhtare e kriminale është akoma më e shëmtuet për shkak se ushtrija jonë heroike, si gjithnjë duke dhënë shëmbëlla për vllazërimin e plotë të popullit shqiptar ju shtriu dorën i nxorri nga tradhtija ku ishin zhytur, ju fali veprat e tyre kriminale e tradhtare që kishin kryer, duke i konsideruar si të gabuar, i barazoj me bijtë më të denjë, më të ndershëm e më trima të popullit Shqiptar, i quajti partizanë; Oficerat Ushtarak e Politik, me anë konferencash të shpeshta, me këshillime biseda vëllazërore e me gazetat e murit ju ka treguar rrugën e drejtë, ju dhanë mundësinë të rehabilitohen, t’edukohen, të skjarohen politikisht dhe të shkëputen njëherë e mirë nga rruga e gabuar e dallavereve dhe e tradhëtisë, pa mos bërë asnjë dallim midis partizanit të vjetër ose të rij.

Porse gjithë këto përpjekje shkuen kot. Këta renegatë me vetëdije e shpirt reaksionari të pakorrigjueshëm kanë vazhduar tradhëtinë e tyre duke mohuar gjakun e dëshmorëve të rënun për liri dhe sakrificat e panumërta të popullit shqiptar. Porse shpirtgjerësi nuk do të thotë dobësi dhe për këtë gjë shpata e Drejtësisë me vënd ra mbi këta tradhtarë duke dënuar:

ME VDEKJE: Enver Meka, Hajdar Teki, Sefedin Faslli, Harun Hysenaj, Syrja Zoto, Estref Mustafaraj, Nexhip Canka, Mehdi Lamçe, Faik Tartari, Lec Ndreca, Zef Sadrija, Gjon Cufi, – partizanë të brigadës së I-rë dhe civilat Faredin Angoni e Myrteza Sleusha.

ME BURGIM TË PËRJETSHËM: Avni Bejkova

ME 30 VJET BURGIM: Luigj Camuku

ME 20 VJET BURGIM: Mehmet Shere, Luto Mustafa, Hysejn Seiti, Can Dedoshi, Luigj Cepi e Tef Nika.

ME 10 VJET BURGIM: Samit Muço, Hajro Zyberi, Shyqri Shasho, Safet Seiti, Baki Jonuzi.

ME 5 VJET BURGIM: Riza iljazi, Osman Mail

ME 6 VJET BURGIM: Jashar Aliu

ME 2 VJET BURGIM: Muharem Saliu.

Të dënuarit me vdekje u ekzekutuan para reparteve, ku bënin pjesë edhe të dënuarit e tjerë do të vuajnë ndëshkimin me punë të detyrueshme.

Kjo qarkore të këndohet e të komentohet gjerë e gjatë në të gjithë repartet me anë konferencash.

Vdekje Fashizmit- Liri Popullit

Komandant i Përgjithshëm

Gjeneral Kolonel

Enver Hoxha

(firma, vula )


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas