“Muslimani” e ktheu në teatër pas vitesh mungesë. Një tragjikomedi që e sheh Enver Petrovcin si dramaturg, regjisor dhe aktor në krah të aktores Vlora Nikçi.
“Ejani shiheni si dikur Idiotin!”, u bën ftesë ai studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës. I ftuar për një bisedë në takimet traditë “Forumet UET”, aktori nga Kosova përshkroi përmes rrëfimit rrugëtimin e gjatë të karrierës së tij. Nga roli i shqiptarit që e bëri yll në Beograd, tek Idioti që e ngjiti për herë të parë pas viteve ’90 në skenat e Shqipërisë, të çliruar nga vargonjtë e komunizmit e deri tek shfaqja e tij e fundit, që e ktheu në skenën e teatrit kosovar pas tridhjetë vitesh mungesë. Ai ndau me të rinjtë kohën kur shkëlqeu si yll i teatrit në atë që ishte dikur qendra e ish-Jugosllavisë, marrëdhëniet me gjuhën shqipe dhe imagjinatën kolektive që shqiptarët matna kufirit kishin për atdheun dhe miqësinë me aktorin e madh Bekim Fehmiu.
Mungesën e gjatë, aktori e argumenton se, kur nuk ka ide të reja për të ndarë me publikun, parapëlqen të mos jetë. Tridhjetë vjet më parë, kur me nisjen e asaj që e cilëson aparteidi serb la Beogradin për t’u rikthyer në vendlindje, themeloi teatrin Dodona.
Ishte themelimi i këtij teatri, i të cilit qe drejtor, që e solli për herë të parë në Tiranë, në kuadër të javës kulturore të Kosovës.
Kur Rajmonda Bulku e puthte në ballë
Atëkohë, aktorja shqiptare Rajmonda Bulku pat deklaruar zëshëm “Si ka mundësi që ekziston një aktor i tillë”.
I kujtohet fare mirë ajo ditë . Ishte shfaqja “Idioti” e Dostojevskit. Thotë se publiku shqiptar pas shfaqjes nuk e la as të fshinte djersët çurgë që e shoqëronin në çdo interpretim.
“Pas përshëndetjeve të shumta, deshta me hy në gardërobe me i fshi djerstë’, por kur ka hy publiku përnjëherë në skenë, më kujtohet shumë mirë ai moment, ishte një vajzë ose grue, nuk e di, shumë e bukur edhe aq m’i puthshin ato djersë e mu m’vinte turp. Rajmonda pat hyp’ diku, në nje karrig’ e më puthte në kokë. M’i hekën djersët nga puthjet”, sjell të gjallë atë kohë ai.
Ishte kontakti i parë me Shqipërinë e njohur nga rrëfimet e të atit. Asaj ëndrre të cilën ia ushqeu edhe të bijve. Kishte kundruar nga larg artistët e ansamblit folklorik, që patën udhëtuar në Jugosllavi. I prekte autobusët e tyre si për të ndjerë lidhjen me dheun mëmë, ndërsa artistët i dukeshin të largët për t’i arritur.
Kështu i tha të atit të shkonin të dy në Shqipëri, pas rënies së Komunizmit. E megjithatë, i ati që i ushqeu atë dashuri nuk pranoi ta shoqëronte. E refuzoi atë udhëtim që nuk e bëri kurrë, për të mos e shkatërruar atë imazh të ëndërrt që pat për Shqipërinë e tij të dashur. “Iku nga kjo botë me bindjen se asht’ Shqipëria e mrekullueshme. Ajo u ba ma vonë, po at’ kohë ende nuk ka qenë”, thotë aktori.
Miqësia me Bekim Fehmiun dhe festat e Flamurit në Beograd
Të njëjtën dashuri i mëkoi familja edhe për gjuhën shqipe. Atë gjuhë që nuk e mësonte dot lirisht në shkollë e u rrit me serbo-kroatishten. Ndalet te pengu i madh i mikut të tij Bekim Fehmiu, i cili nuk interpretoi kurrë në shqip e në rekorde i mbet vetëm recitimi i Hymnit të Flamurit nga Fan Noli, në një spektakël të mbajtur në Pallatin e Kongreseve.
“Bekimi padyshim ka qenë aktor i madh. Më kujtohet ai musafirllëku i tij në Tiranë dhe ka qenë shumë i dobët. E di pse ka recitu’ keq, sepse nga vullneti, dëshira me e njoftë publiku shqiptar se kush asht’ ai, pastaj me i tregu botës shqiptare se ai flet shqip, se di të interpretojë shqip, atë natë e pat tepruar me emocionet”.
Thotë se Beki m Fehmiu qe patriot i madh. Çdo vit, në Ditën e Flamurit vishej me kravatë, merrte një buqetë me lule dhe trokiste në derën e Enver Petrovcit, në banesën e Beogradit për të kremtuar ditën.
“Bekimi ka qenë shqiptar shumë i madh. Shumë ma i madh se unë. Unë e duroja dikën në Beograd kur banin barsoletë me temën e shqiptarit. Ai jo. Ka qenë asi budallai që çohet e i qiste boks atij që bante barsoletë. Ky ka qenë Bekimi”, e kujton Petrovci aktorin e ndjerë.
Fehmiu i takonte atij brezi që u rrit duke mësuar në shkollë vetëm gjuhën serbo-kroate, por e fliste gjuhën shqipe.
“Në gjuhën serbo kroate Bekimi është fantastik, por mjerisht vetëm ajo poezi i ka mbetë në gjuhën shqipe. Në enciklopedinë e Jugosllavisë shkruan “Bekim Fehmiu, aktor jugosllav me prejardhje shqiptare. Qysh me prejardhje?! Me babe, me nanë me gjysh… asht ma shqiptar se une”, thotë aktori.
Petrovci dhe shqipja
Ndryshe nga Fehmiu, Petrovci e kreu gjimnazin në gjuhën shqipe dhe dy vite në Degën e Aktrimit, atëkohë pjesë e Shkollës Pedagogjike. Kujton se pat si mësues aktorin Faruk Begolli.
Kur shkoi të studionte në Beograd, ishte i treti shqiptar në Fakultetin e Artit Dramatik. Profesori i diksionit thotë se ia mësoi ta donte serbo-kroatishten. Sot, biblioteka e tij numëron shumë vepra në këtë gjuhë, rreth tetë mijë drama, thotë ai që i lexon lehtësisht nga gjuhët sllave.
“E doja gjuhën serbo-kroate dhe kam punuar gjithmonë në atë gjuhë. Edhe kur jam kthy në Prishtinë të njëjtën e kam bë me gjuhën shqipe. E dua gjuhën shqipe. Mjeti i aktorit është gjuha”, këshillon ai të rinjtë.
Roli që e bëri yll në Beograd
Në galerinë e pasur të personazheve që ka interpretuar në skenën e teatrit, ndalet veçanërisht tek njëri. Tek ai që rrëfen se e bëri yll të skenës, në Beograd.
“Ishte koha e aparteidit dhe gjendesha në Beograd. Isha nis për Amerikë. Shkova në Londër të mësoja anglishten, shkova në Suedi të praktikoja gjuhën e pastaj të shkoja në Amerikë. Më thirri drejtoresha më e madhe që kam takuar në jetë, Mira Trailovic. Më thotë të kemi dedikuar rolin kryesor Atelije 212”, kujton ai takimin me dramaturgen e njohur dhe një prej teatrove, sipas tij të përmasave botërore. Aty mbahej edhe Festivali i Teatrove, BITEF, që Petrovci e cilëson për kohën si më të madhin në Europë.
“Kush me i thanë Mirës jo! Si me të thirr’ shoku Tito. Më i madh se Tito ishte ajo. I thashë: “zojë jam nis për Amerikë”. Më tha, eja luje këtë rol, ke kohë e pastaj shko. Më pëlqeu ideja”.
Pas premierës, kritika ishte pozitive dhe e shpalli yll të ri. “Filloi me më pëlqy’ vërtet. Kisha gjashtë dinarë në xhep, por isha yll i ri. Po m’dukej sikur po fluturoja kur ecsha”.
Në atë rol prej protagonisti të interpretuar 250 herë në skenë, interpretonte një shqiptar me plis. “Nisa të vë bark me më ranë flokët, nuk kishte kuptim ma sepse luaja një të ri, tridhjetë vjet nuk kishte kuptim”.
Kur Millosheviçi ndiqte shfaqjet në teatër
Kujton se një nga ato herët që u vu në skenë shfaqja publiku dukej i çuditshëm. Nuk qeshte si herët e tjera. “Në pauzë pyeta, pse mor publiku nuk po qesh’, aty ku jemi msue që qesh. Njani m’tha se në sallë asht’ Slloba (Millosheviçi). Të gjithë qeshin, kur ai qesh.
Përjetova edhe atë kohë. Të nesërmen më ka thirr Slloba në zyrë me ma u uru. Pas këtij roli, unë kurrë një ditë të mirë nuk e kam pa. Pasi u bana yll”, thotë duke qeshur.
Me kthimin në Prishtinë, përveçse themeloi teatrin “Dodona”, ishte një prej themeluesve të Fakultetit të Arteve, Dega e Aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku ende jep mësim duke përgatitur brezat e rinj të aktorëve.
Vite më vonë, u kthye në Beograd me shfaqjen “Kreolët e Ballkanit”, si dramaturg dhe regjisor. Një dramë e shkruar në fillim të viteve ’90, që parashikonte edhe fatin e trishtë që ndoqi shqiptarët e Kosovës.
Si një lamtumirë nga teatri apo një rikthim i fortë, sido që mediat e kanë parë shfaqjen e Petrovcit, “Muslimani” do të mbyllë sezonin artistik këtë qershor në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Një dramë që ngacmon disa plagë reminishente, por ende të gjalla në shoqërinë kosovare të një dashurie mes një gruaje myslimane dhe një burri katolik.
“Të gjitha idetë që i kam pas është dashtë me gjak me i fitu’”, thotë ai. Në dramën “Muslimani”, veç tekstit dhe regjisë, është edhe kantautor i këngës, që është edhe kolonë zanore e shfaqjes. “Ka dalë një shfaqje shumë e mirë”, thotë me përulësi.
Përballë studentëve që kanë zgjedhur një rrugëtim drejt artit skenik, Petrovci kujton rininë dhe atë gëzim e energji që e bënte kohën të dukej edhe më e bukur.
Durim, u këshillon ai të rinjve, por edhe talent pa të cilin nuk do të ishte e udhës ta ndërmerrje këtë rrugëtim e në fund, shumë punë e palodhur. Nga ajo punë që merr net pagjumë e , shumë djersë të derdhur në skenë, ashtu si dikur ai kur interpretoi për herë të parë në Shqipërinë, që në fëmijërinë e tij kishte qenë një vend ëndrrash dhe imagjinate./Liberale.al