Me përfundimin e këtij semestri, janë kthyer në Shqipëri plot 45 studentë të UET, nga një numër i madh universitetesh europiane, në të cilat kanë zhvilluar mësimin për një apo më shumë semestra, falë programit të shkëmbimit studentor Erasmus+.
Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e skemës Erasmus+ që prej lançimit të kësaj skeme nga Komisioni Europian në 2014. Që prej atëherë UET ka përfituar një sërë projektesh për shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si edhe për ngritjen e kapaciteteve në universitete. Në kuadër të mobilitetit të studentëve, UET dërgon çdo vit me dhjetëra studentë të tij, të studiojnë në universitetet më në zë të Europës, duke pritur njëkohësisht studentë europianë në auditorët e tij.
UET është institucion i arsimit të lartë, i përkushtuar në ndërkombëtarizimin e programeve të studimit, proceseve akademike dhe zhvillimit të stafit dhe kërkimit përmes mundësive që ofron ndërkombëtarizimi. UET synon të bëhet një qendër e rëndësishme kombëtare dhe rajonale sa i takon bashkëpunimit universitar, shkëmbimeve me karakter kërkimor shkencor dhe debatin e ideve që promovojnë vlerat akademike dhe ato të qytetarisë europiane. Ne synojmë ofrimin e diplomave të përbashkëta me universitete prestigjioze Europiane, me të cilat është ndërtuar partneritet në kuadrin e programeve të përbashkëta të studimit.
Nëpërmjet zyrës së bashkëpunimit ndërkombëtar UET ka arritur një bashkëpunim të frytshëm me universitete partnere prestigjioze, si: Stockholm Business School në Suedi; Lappeenranta University of Technology në Finlandë; The Hague University of Applied Sciences në Holandë; Humboldt University dhe Hochschule Ludwigshafen në Gjermani; NOVA University of Lisbon në Portugali, Universiteti i Salzburgut në Austri; Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti La Sapienza i Romës në Itali; Universiteti Etvos Lorand në Hungari etj.
Në periudhën kohore 2015-2017, përmes projekteve Sigma Agile dhe Credit Mobility, kanë fituar të drejtën për të kryer periudha mësimore ose kërkimore në universitete europiane më shumë se 60 studentë të UET. Nga ana tjetër, UET është institucion pritës për 10 studentë nga Universitete partnere, të cilët kryejnë në UET semestra studimi në gjuhën angleze.
Është e ditur tashmë se Erasmus+ është një nga programet më të njohura të shkëmbimit studentor, me një kontribut të madh në formimin dhe pasurimin e karakterit, si dhe në njohjen dhe përqafimin e kulturave të reja. Një program i cili të ofron mundësi të pafundme, me eksperienca të paharrueshme, me miq dhe kujtime që zgjasin një jetë. Shpeshherë, eksperiencat e studentëve të mëparshëm të cilët kanë përfituar nga kjo skemë i kanë nxitur studentët e tjerë të aplikojnë për të përfituar edhe vetë një eksperiencë të paharrueshme si ajo që ofron Erasmus+.
“36 studentë të UET zhvilluan studimet e tyre për semestrin e dytë të këtij viti akademik që sapo përfundoi, ishin pjesë e shkëmbimit studentor që ofron skema Erasmus+. Në nivel semestri, për UET ky është numri më i lartë i studentëve që janë larguar në një nga universitetet partnere të Bashkimit Europian. Mund të përmend këtu që për këto 36 vende, numri i aplikantëve ka arritur 91 studentë”, tregon Lutjona Lula, Koordinatore e Erasmus+ në Universitetin Europian të Tiranës
Aplikimet për të qenë student Erasmus janë gjithnjë në rritje. Së shpejti do të rihapen thirrjet për shkëmbimin studentor të semestrit të ardhshëm. Por cilët janë hapat që duhet të ndjekë një student për të fituar një bursë Erasmus?
“Praktika e programit Erasmus+ Credit Mobility në universitetet shqiptare është relativisht e re, por UET mundëson asistencë profesionale ndaj studentëve të tij përgjatë gjithë procesit dhe vështirësive që mund të hasen. UET ka ngritur tashmë traditën transparente të procesit të përzgjedhjes, përmes dy fazave. Faza e parë lidhet me dorëzimin e paketës së aplikimit. Pas verifikimit të dokumenteve, studentët e suksesshëm ftohen në një intervistë në gjuhën angleze para një komisioni me përbërje, si nga stafi akademik edhe nga zyrat mbështetëse. Ne kemi arritur në marrëveshje me partnerët, për t’i lehtësuar studentët duke mos u kërkuar certifikatë TOEFL apo IELTS për sa kohë aplikantët performojnë suksesshëm gjatë intervistës gjysmëformale në gjuhën angleze. Megjithatë, validimi final i kandidaturave kryhet gjithnjë nga universiteti pritës. Me këtë rast, më duhet të ritheksoj se aplikantët e suksesshëm kanë qenë studentët me një paketë të kompletuar, çka nënkupton jo vetëm një mesatare e lartë, por edhe një CV e pasur dhe motivim me objektiva të qartë për t’u arritur gjatë semestrit të mobilitetit”, shpjegon Koordinatorja e Erasmus+ në UET në lidhje me procedurën që duhet të ndiqet për të qenë përfitues i këtij shkëmbimi studentor.
110+
studentë të UET kanë
kryer më shumë se
një semestër studimi
në universitetet më
prestigjioze europiane
20+
studentë të huaj nga
universitete partnere
kanë kryer më shumë se
një semestër studimi në
UET në gjuhën angleze
Jona Lamaj: “Erasmus+, një eksperiencë frymëzuese”
Jona Lamaj është studente në Universitetin Europian të Tiranës, dhe sapo ka përmbyllur vitin e saj të dytë të studimeve në degën Administrim Biznesi (Msc.), profili Marketing. Ajo ishte pjesë e skemës së shkëmbimit studentor Erasmus+, si studente në universitetin e Varshavës në Poloni, në Fakultetin e Menaxhimit.
“Eksperienca ime ishte e mrekullueshme. Në Universitetin e Varshavës kishte studentë nga e gjithë Europa, studentët ishin shumë mikpritës, më ndihmuan me akomodimin dhe më bënë të ndihem si ‘në shtëpi’. Edhe pedagogët dhe procesi i mësimdhënies ishin vërtet frymëzues”, tregon Jona.
Duke rrëfyer se eksperienca për të ishte me të vërtetë e bukur dhe e veçantë, ajo e vlerëson mundësinë si unike.
“Universiteti ku unë studiova ishte një ndër më të mirët, me ranking më të lartë, sidomos për Administrim Biznesi. Kjo ishte edhe arsyeja përse aplikova në Universitetin e Varshavës. Kam mbetur mjaft e kënaqur nga kjo mundësi shkëmbimi që përfitova falë skemës Erasmus+, në UET”.
Serxho Gorenca: “Të gjitha pritshmëritë e mia për UET u plotësuan”
Serxho Gorenca është një tjetër student i Universitetit Europian të Tiranës, pjesë e Erasmus+.
Ai studion në degën Financë-Bankë dhe sapo ka përfunduar vitin e tij të dytë të studimeve.
“Unë studiova në Wroclaw University of Science and Technology, në degën e Menaxhimit. Arsyeja përse zgjodha të aplikoj për Erasmus+ ishte për shkak të mundësive të shumta që kjo si eksperiencë ofron, që nga shkëmbi kulturor, përfitimi i njohurive të reja, krijimi i kontakteve dhe miqësive të reja etj., dhe mund të them se pritshmëritë e mia janë plotësuar fare mirë”, tregon Serxho.
Ai shprehet se frytet e kësaj eksperience pritet t’i shohë në të ardhmen.
“Si eksperiencë mund të them se ishte mjaft e frytshme dhe ia ka vlejtur, besoj se përfitimet do të duken edhe më mirë në të ardhmen, ndaj jam mjaft i kënaqur që kam aplikuar dhe e kam ndërmarrë këtë si eksperiencë”.
Emiljano Babaj: “UET me standarde europiane”
Emiljano Babaj është student në degën Informatikë Ekonomike, në UET dhe sapo është kthyer nga qëndrimi i tij disamujor, nga studimet në Universitetin “Riga Technical University” në Riga, Letoni, për të njëjtën degë që studion në UET. Ai është krahas të tjerave, përfitues i bursës “Pashko” në Universitetin Europian të Tiranës.
“Eksperienca ime në “Riga Technical University” mund të them se ishte shumë e bukur. Pedagogët ishin shumë të hapur dhe mikpritës dhe studentët po ashtu. Arsyeja përse aplikova për të qenë pjesë e këtij mobiliteti ishte përfitimi i një eksperience të re, si në aspektin akademik, ashtu edhe në atë kulturor dhe social dhe pritshmëritë e mia janë realizuar plotësisht”.
Emiljano është një ndër studentët ekselentë të UET, nisur kjo edhe nga bursa që ka përfituar. Ai tregon se ka mbajtur po të njëjtat rezultate edhe në “Riga Technical University”.
“Kam ruajtur të njëjtat rezultate të larta, njëlloj si në UET. Metodologjia e disa prej lëndëve që kam ndjekur në “Riga Technical University” ndryshonte në lidhje me UET, megjithatë mund të them se standardi i mësimdhënies, literaturës dhe hapësirave të studimit, ishte thuajse i njëjtë me ato të Universitetit Europian të Tiranës”, tregon Emiljano.
Dejvi Dervishi: “Përfitimi i një eksperience unike akademike”
Dejvi Dervishi sapo ka mbaruar vitin e dytë të masterit në UET për degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai studioi në universitetin ELTE në Hungari.
“Kam studiuar në universitetin ELTE në Hungari. Zgjodha të aplikoj për të qenë pjesë e Erasmus+ pasi edhe unë kisha dëgjuar fjalë mjaft pozitive në lidhje me këtë eksperiencë. Që nga përfitimi i njohjes me kultura të reja deri tek aspektet e shumta pozitive akademike”, tregon Dejvi.
Për sa i përket eksperiencës se tij ai shprehet se ka qenë mjaft interesante.
“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm që kam përfituar nga kjo eksperiencë ka qenë, njohja më konkretisht me politikat e funksionimit të BE-së në përgjithësi dhe ato të shteteve si Hungaria, që kishin probleme me emigracionin p.sh. Përfitimet në aspektin akademik kanë qenë të shumta, por edhe ato në aspektin kulturor dhe social nuk mbeten mbrapa”, rrëfen Dejvi.
Boralda Sheme: “Qëndrimi në Poloni, një eksperiencë e paharrueshme”
Boralda Sheme sapo ka përfunduar vitin e parë në degën Financë-Bankë, Msc.
Ajo ishte për një semestër të plotë, studente në Universitetin Wroclaw University of Science and Technology.
“Wroclaw University of Science and Technology, ishte universiteti në të cilin studiova përgjatë këtij semestri. Ishte një mundësi shumë e mirë për mua, të njihesha më tepër me aspektet e menaxhimit, për shkak se atje u fokusova në këtë fushë. Çdo gjë ka qenë shumë e bukur, ana akademike, me pedagogët shumë të përgatitur, mënyrën e vlerësimit dhe metodologjia e përdorur, por edhe ana sociale e cila ishte shumë aktive dhe interesante”, tregon Boralda.
Ajo thotë se ka krijuar shoqëri të re dhe qëndrimi në Poloni ka qenë një eksperiencë e paharrueshme.
“Prania e shumë studentëve ndërkombëtarë bëri që unë të krijoja një numër të madh miqsh të rinj, me të cilët kam krijuar kujtime të paharrueshme. Krahas shkëmbimit kulturor, aktivitetet dhe organizimet e ndryshme brenda dhe jashtë universitetit e kanë shndërruar eksperiencën në një eksperiencë fantastike”.