Ky është momenti kur një anije e vogël e Flotës Mbretërore Britanike zmbraps një anije të madhe patrulluese spanjolle. Anija britanike HMS Sabre, e gjatë vetëm 15 metra, zmbrapsi anijen e gjatë 91 metra.
Prej kohësh Spanja dhe Anglia janë të përfshira në tensione për çështjen e Gjibraltarit. Anija britanike HMS Sabre po merrte pjesë në një stërvitje për manovrat me shpejtësi të lartë dhe aftësitë për të qëlluar nga afër.
Megjithatë Tornadoja spanjolle u afrua shumë afër. Tensioni në det zgjati për thuajse dy orë.
Një burim tha se fillimisht anija e vogël britanike i kërkoi me mirësjellje anijes spanjolle që të largohej. Anglezët thanë se anija spanjolle duhet të largohet nga ujërat e Gjibraltarit pasi ky është një cënim sovraniteti.
Spanjollët fillimisht e injoruan kërkesën, por kur gjërat po nxeheshin, anija e tyre u largua.
Gjibraltari gjendet në një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik dhe ka qenë i britanikëve për më shumë se 300 vjet. Spanja e pretendon këtë territor dhe tensionet u shtuan ndjeshëm dy vjet më parë, kur Britania tha se mund të bëjë luftë si në rastin e ishujve Falkland për mbrojtjen e Gjibraltarit.