Gazetari Gjergj Erebara në një intervistë për Mapon tha se qeveria ka kompromentuar rëndë eficiencën e administrimit fiskal duke ofruar ulje të diferencuar për produkte apo sektorë klientelistë. Sipas tij, koncesionet hanë resurset që mund të përdoreshin me eficiencë gjetkë, ato përqendrojnë paranë e paktë në pak duar joproduktive.
Buxheti 2019 po përballet me probleme të shumta. Sipas jush a është kjo një “kronikë e paralajmëruar”?
Buxheti po përballet me të njëjtat probleme që përballet buxheti i një qeverie të lodhur, e cila ka kompromentuar rëndë eficiencën e administrimit fiskal duke ofruar ulje të diferencuar për produkte apo sektorë klientelistë, gjë që në instancë finale krijon vrima në sistemin fiskal ku biznesi fiton dhe shteti humbet. Aktualisht Shqipëria është bërë një vend me tre shkallë TVSH-je, të cilat në instancë finale lejojnë apo favorizojnë krijimin e skemave mashtruese. Forca goditëse e autoriteteve ndaj skemave të tilla pengohet nga niveli i biznesit të përfshirë në to. Me pak fjalë, qeveria është e konsumuar nga shumë vite qeverisje dhe nuk ka çfarë të prodhojë më. Vështirësitë ekonomike janë në rritje, inflacioni është i ulët, gjë që sugjeron konsum të ulët dhe volumi i kredive të reja është i paktë. Në tërësi, kombinimi i inflacionit të ulët me rritjen ekonomike të ulët quhet stanjacion. Është një lloj problemi ekonomik ndoshta më i vështirë për t’u zgjidhur se sa recesioni.
Ngarkesa e buxhetit me koncesione a po impakton te gjithë treguesit e tjerë, përfshirë paga e pensione?
Koncesionet kanë një efekt të dyfishtë. Përveç që hanë resurset që mund të përdoreshin me eficiencë gjetkë, ato përqendrojnë paranë e paktë në pak duar joproduktive. Të dhënat e buxhetit tregojnë se inceneratori i Fierit ka ngrënë sakaq miliona euro por unë nuk kam dëgjuar të ketë ndodhur ndonjë zhvillim në atë drejtim. Dhe ndërsa miliona eurot përqendrohen në duart e një kompanie me aksionerë të fshehur në Holandë, këto para njëkohësisht hiqen nga ekonomia dhe nga qarkullimi normal ekonomik. Pasojat e kësaj janë më shumë se sa ekonomike. Ato janë sociale. Nëse heq investimet në arsim e shëndetësi për t’i bërë koncesione të kushtueshme dhe pa produkt, ose me produkt të panevojshëm në fund do të kesh një popullsi me shëndet të keq dhe të paarsimuar.
Sa optimiste e shikoni situatën buxhetore 2020?
Bërja e parashikimeve për ekonominë shqiptare është tashmë më e vështirë se sa në të shkuarën. Në përgjithësi plani i buxhetit 2020 është i përmbajtur në parashikimin e të ardhurave, gjë që pakëson rrezikun e ndonjë tronditjeje. Dhe pavarësisht se sa koncesione po jep qeveria, për vitin e ardhshëm dy koncesione të mëdha, rruga Milot-Balldren dhe ajo e Dukatit kanë aspak ose pak fonde në dispozicion. Mbi të gjitha, aftësia e shtetit për të marrë hua jo vetëm që nuk është prekur nga gjendja e financave, por përkundrazi është përmirësuar. Volumi relativisht i lartë i kërkesës për tituj borxhi i lejon qeverisë të respektojë deficitin buxhetor pa shumë mund.
Çfarë ndërhyrjesh janë të domosdoshme për të tejkaluar këtë situatë të vështirë në financat e shtetit?
Problemi kryesor në krahun e të ardhurave buxhetore lidhet me vrimat fiskale të hapura përmes skemave me TVSH me shkallë 6, 10 dhe 20% si dhe, në një masë më të vogël por nga pikëpamja sociale të rëndësishme, në tatimin e biznesit të vogël. Nëse mbani mend, Rama hoqi taksën e biznesit të vogël më 2013 në emër të përmirësimit të klimës së biznesit. Në fakt ajo që ndodhi ishte krijimi i një vrime që shfrytëzohet nga mjekë apo profesionistë të ndryshëm për të paguar një minimum sigurimesh shoqërore e shëndetësore për të ardhura deri në 2 milionë lekë. Por skema kryesore lidhet me TVSH-në 6% në shitje (dhe 20% në blerje) për disa produkte e shërbime, skemë që ka krijuar hapësirë për evazion fiskal. Në krahun e shpenzimeve, vështirë se mund të shpresohet në ndonjë farë mënyre për përmirësim. Nuk mundesh të presësh që tenderët të bëhen me korrektesë dhe prokurimet të bëhen për punë reale dhe të nevojshme për qytetarët. Vendi do të vijojë të shpenzojë në ajër për fasada e beton, vlera e të cilave në ekonomi është negative.