fbpx

Aktualitet

Ergys Mërtiri: Parlamentarizmi shqiptar ka vdekur!





               Publikuar në : 10:21 - 20/07/19 |
mapo.al

Parlamenti i Shqipërisë, i kthyer nga institucioni më i rëndësishëm në vend, në zgjatim të “varësisë” së qeverisë. Si u kthye institucioni që përfaqëson qytetarët në “fole” që mblodhi të akuzuar për krime të rënda dhe individë oportunistë, apo me nivel të cunguar kulturor dhe intelektual. Flet analisti Ergys Mërtiri.


Parlamenti i Shqipërisë në “hierarkinë” shtetërore konsiderohet si institucioni më i rëndësishëm. Praktikisht a mund të konsiderohet një institucion që e ka humbur rolin e tij dhe a po kontrollohet nga ekzekutivi?
Parlamentarizmi ka vdekur për sa kohë ka qenë i sëmurë gjatë gjithë kësaj periudhe, gjatë këtyre 6 viteve për shkak të rënies së rolit të Parlamentit në vendimmarrje, për shkak të sundimit të pushteteve të pavarura nga Edi Rama, për shkak të përfshirjes së elementëve me precedent kriminal në Parlament. I bie vlera, dhe prej kohësh për shkak se liderët i kanë sunduar partitë në mënyrë gati-gati autoritariste. Gjatë këtyre viteve, shfaqen fenomene që nuk kanë qenë më përpara dhe parlamentarizmi shkon drejt shuarjes. Tashmë që nuk ka as opozitë ka humbur çdo lloj kuptimi. Në thelb, parlamenti ka kuptim kur ka dy palë të cilat rivalizojnë me debat publik çështjet dhe problemet e politikës. Fakti që tashmë nuk është njëra prej palëve, është thjesht zgjatimi i një partie dhe humbet kuptimi për të cilin ekziston parlamenti. Ne kemi praktikisht një shtet i cili është çdo ditë e më shumë duke u uzurpuar nga një dorë e vetme, që është dora e kryeministrit. Edhe përpara ikjes së opozitës nga Parlamenti dhe nga institucionet e tjera, kemi gradualisht një proces ndërtimi të një shteti autokratik nga Edi Rama. Pra, të gjitha pushtetet në dorën e kryeministrit. Përfshirë pushtet që mungojnë, Gjykata e Lartë, Kushtetuese apo fakti që kemi prokurore të Përkohshme të zgjedhur me votat e mazhorancës. Kemi disa prej pushteteve të tjera të pavarura që do futen në dorën e Ramës si KLSH etj. Rama ka monopolizuar biznesin, ka krijuar një sistem oligarkik, ka shtënë në dorë mediat.



Me djegien e mandateve të deputetëve të opozitës në Parlament kanë marrë mandatet një pjesë e listave të PD dhe LSI-së. A po e kryejnë rolin e “opozitarëve” sikurse janë shprehur kur kanë marrë mandatet? Nisur nga mënyra e diskutimeve, artikulimit apo qëndrimeve, si do ta konsideroni sot nivelin intelektual, kulturor, moral dhe institucional të parlamentarëve?
Parlamenti është thjesht në shërbim të Ramës. Një instrument që legjitimon vendimet që Rama i merr vetë sipas dëshirës. Ai qeveris me vullnet dhe jo me ligje. Pavarësisht se ekzekutivin e ka vetë dhe bën ato ligje që do të bëjë shpeshherë në kundërshtim me Kushtetutën, siç është ligji që i jep të drejtën qeverisë të marrë pronat me pretendimin se i shërbejnë një sektori me interes kombëtar. Nëpërmjet legjislativit, qeveria arrin të prodhojë ligje që do edhe në kundërshtim me Kushtetutën, ku si shembull është edhe ligji për teatrin.


Legjislativi në seancën e fundit për këtë sesion miratoi disa ligje si koncesionet e rrugëve, apo edhe ndryshimet në Kodin Penal. Përse ligjet më të rëndësishme, me impakt në ekonomi apo edhe në shoqëri, kalojnë para pushimeve verore?
Edhe fakti që e ka legjislativin në dorë ai po vetë i shkel ligjet. Nuk shpëtohen vendimet e gjykatave nga agjencitë shtetërore të përmbarimit. Rasti më i fundit është  kur Rama ribën një gjyq, ku është marrë një vendim për Bashkinë e Durrësit, në vend që ta çojë në Apel duke ndjekur rrugët ligjore, ribën një gjyq në mënyrë të paprecedentë. Rama është një lider autoritar i cili nuk qeveris me ligje edhe kur e ka në dorë ligjbërjen, pasi nuk ka kohë të presë deri në nxjerrjen e ligjeve përkatëse me të cilat qeveris. Kemi udhëheqje nëpërmjet vullnetit të një njeriu.

Si mund të kthehet Parlamenti i Shqipërisë në institucion të rëndësishëm, ku të përfaqësohen interesat e zgjedhësve? Çfarë duhet të ndryshojë nga roli i liderëve politikë në përzgjedhjen e tyre. Po listat e hapura a janë mundësi për të pasur një përfaqësim më dinjitoz?
Në gjykimin tim ka nevojë për ndryshime qoftë për Kodin Zgjedhor, por në shumë aspekte të sistemit politik. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të sjellë rritjen e përfaqësueshmërisë së publikut në Parlament. Kjo ka nevojë për marrëveshje mbarëkombëtare, sepse është diçka përtej dy liderëve. Të shkohet drejt një Kodi Elektoral që krijon më shumë individualitet në politikë. Deputeti të mos përfaqësojë thjesht interesat e liderit, por të publikut që e voton. Kjo është një prej instrumenteve që mund të zgjidhet kjo çështje. Një tjetër mundësi mendoj se është mënyra si rregullohen partitë në vete. Të vendoset ose të ribëhet një legjislacion që kontrollon partitë, për financat, dhe përpunimi i kodeve të duhura ligjore që pengojnë lidhjet me grupe oligarkësh apo grupe interesi ekonomik që përfshihen në zgjedhje nëpërmjet parave që investohet në fushata elektorale. Që këtu e kemi të kompromentuar procesin, pasi politika lidhet me njerëz që bëjnë biznes. Organizimi i partive në vetvete është një tjetër e rëndësishme. Besoj se nëse krijojmë diçka të tillë, kemi premisa t’i shtyjmë partitë drejt një demokracie të brendshme. Drejt rrugës për një sistem karriere që të pengohet prania e elementëve të inkriminuar në politikë që nuk shkulen për dekada me radhë. Nuk e kam fjalën vetëm për liderët, por dhe të tjerë. E para do rregullohet pastrimi i partive. I bën partitë më të hapura për të marrë elementë të rinj, njerëz që kanë kredon e duhur për të marrë pjesë në politikë. Deri tani partitë kanë qenë hermetike dhe i  kanë mbyllur dyert për njerëzit e tjerë. E mbajnë pushtetin në mënyrë korruptive. Duhet gjetur një element ligjor, por edhe moral për partitë, për rregullimin dhe për prurjet e reja që të kenë vlera në parti. Nëpërmjet këtyre partive krijohet më vonë pushteti i nesërm dhe jeta parlamentare. Nëse partitë nuk arrijnë të tërheqin vlerat, nuk arrijnë të çojnë në parlament vlera. Nëse ata përthithin vetëm antivlera dhe njerëz me pushtet interesash, këto do të transmetohen dhe në parlament e në qeverisje me radhë.


Etiketa: , , , , ,

Pas