Këngëtari Erik Lloshi ka folur sërish për mikeshën dhe kolegen e tij Anxhela Peristeri, duke marrë shtysë nga thashethemet se raporti i tyre shoqëror ka pësuar krisje. Ai sqaroi njëherë mirë në “Rreze Dielli” se midis tyre ekziston një marrëdhënie shumë e fortë miqësie, pasi e cilëson si një njeri shumë të mirë. Mirëpo, Eriku nuk ngurroi të tregojë një anë të keqe të sajën.
“Është shumë e mirë, është si zemër, nuk e di çfarë të them, por thjesht që ka një problem që nevrikoset shumë shpejt. Dhe po u nevrikos, Anxhela i thyen të tëra. Është shumë strikte në gjërat që kërkon dhe e kap ankthi shumë, qoftë për oraret. Vetë është gjithmonë gjysmë ore para. I thoja në fillim, kur erdhi nga Greqia, se duhet të qetësohej se jemi në Shqipëri, ku nuk ka orare”- u shpreh Eriku.